Çdo paraqitje apo gjetje e talenteve të reja, çdo defilim i tyre në aktivitetet e gjithmbarshme kulturore, sikur e shton krenarinë, jo vetëm familjare, por edhe gjithëkombëtare! Por, a bëjmë ndonjë gjë si komb për ata talente! Fatkeqësisht, nuk i përceptojmë si dhuratë Perëndie për të cilët duhet të përkujdesemi përjetësisht. Thjesht i konsiderojmë si “rastësi familjare”, të cila duhet të përkujdesen dhe, nëse “vdesin” talentet brenda familjes fatlume, atëherë fajësia bie ekskluzivisht mbi “prindërit e pakujdesshëm” dhe “arkaikë”.
Ekzaltohemi deri në pikë të fundit nëse shohim në ekran, apo në skenë një fëmijë talent, me një zë të mrekullueshëm tek këndon duke i rënë ndonjë vegle popullore. Sepse, aty-këtu mund të gjendet ndonjë përkushtim prindëror, duke punuar me fëmijët talent që shprehin dëshirë për këndim e për çifteli!
A kemi sot ndonjë talent për kitarë! Në mesin e mijëra e mijëra fëmijëve që i kemi nëpër çerdhe e kopshte, a nuk mund të zbulohet një talent që ka afinitete të mbinatyrshme për pikturë, për kitarë, për violinë, për bateri.
A kemi sot shkolla private, qoftë edhe në nivel të kurseve vjetore për muzikë, për vegla muzikore, për pikturë, për skulpturë, për vizatim, për krijimtari letrare, siç i kemi për gjuhë të huaja, për zanate të ndryshme! A ka krim më të madh sesa një fëmije t’ia ndrydhësh dhe t’ia vdesësh talentin në një fushë të caktuar!
Reformat në arsim a kanë paraparë edhe angazhime institucionale për gjeten dhe zhvillimin e talenteve të reja, apo janë këto “aktivitete metafizike” që nuk sjellin asnjë pikë politike, sepse komuniteti i talenteve të reja është jashtë mundësive për t’u llogaritur si votë partiake. Nëse nuk investohen për të gjetur talente të llojllojshme, nëse këta nuk konceptohen si perspektivë kulturore e kombit, por vetëm si persona që duhet të shprehen nëpër show programe televizive sa për ta ekzaltuar masën e gjerë, atëherë dëshmojmë se, edhe ne jetën kulturore jemi stihikë. Aktivitetet kulturore nuk guxojmë t’i trajtojmë si “tenis”, sport individual, “ke para, bëhesh tenisist”! Talentet e reja nuk guxojmë t’i lëmë barrë e buxhetit familjar. Institucionet shtetërore gjithnjë duhet të jenë në kërkim të tyre, në gjetje dhe në zhvillim të tyre, sepse janë si rruaza diamanti që formësojnë “gjerdanin kulturor” të një etnie me taban të fuqishëm të identitetit kulturor. /HEJZA/