Ka edhe nga ato shtëpi botuese shqiptare që janë gjallë të interesuar që të promovojnë vlera letrare dhe kulturore mbarëkombëtare dhe, pikërisht këto, duhet të përkrahen nga institucionet tona shtetërore

Në mbledhjen e fundit ndërqeveritar në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, të dyja qeveritë u pajtuan që të themelojnë Agjencinë e përbashkët që do të merret me marrëveshjet e nënshkruara (mbi 150 të tilla) dhe me përshpejtimin e implementimit të tyre, duke i anashkaluar të gjitha barrierat administrative që i kemi me bollëk!
Kjo Agjenci, padyshim që duhet ta gjenerojë edhe agjencinë e radhës, e cila do të ishte në shërbim të nevojave jetike kombëtare! Kushtetuta e Shqipërisë e ngrit në nivel obligativ nacional përkujdesjen ndaj shqiptarëve jashtë kufijve administrativë! Për çfarë përkujdesje aktualisht kanë nevojë këta shqiptarë? Për siguri dhe paqe? Natyrisht që jo, por për bashkim shpirtëror. Kurse kjo mund të arrihet vetëm me përkrahje nacionale, duke i përfshirë në aktivitete kulturore, përkatësisht duke zhvilluar politika përkrahëse kulturore.
Fatkeqësisht, për momentin, jemi barrikaduar dhe bëjmë jetë kulturore nëpër “istikame” shumë të rrezikshme për identitetin tonë kulturor kombëtar! Kemi disa klube kulturore, kemi klane letrare, teatrale etj. Këto klane kanë krijuar monopol dhe, nën emrat e personaliteteve tona të mëdha kulturore, po zhvillojnë “biznes kulturor”: ke lekë mund ta botosh një libër nën siglën e një shtëpie botuese me renome kombëtare, nuk ke lekë – je i përjashtuar nga “klubi letrar”!
Këtu në Shqipëri, shkrimtarët nga Kosova dhe Maqedonia llogariten si “shkronjës që po bastardojnë gjuhën”, në Kosovë shkrimtarët nga Shqipëria konsiderohen si “shkrimtarë elitarë të prodhuar nga sistemi”, kurse në Maqedoninë Veriore të dy palët e shkrimtarëve llogariten si të huaj!
Ka edhe nga ato shtëpi botuese shqiptare që janë gjallë të interesuar që të promovojnë vlera letrare dhe kulturore mbarëkombëtare dhe, pikërisht këto, duhet të përkrahen nga institucionet tona shtetërore!
Në redaksinë e HEJZËS kanë arritur shumë rrëfime (sidomos të krijuesve nga diaspora), të cilët flasin për kërkesa të pamëshirshme të botuesve që të vetëfinancojnë botimet autoriale. Meqë janë të panjohur, shtëpitë botuese rrezikojnë që të humbin shumë, ndaj, sipas tyre, është mirë që autorët të vetëfinancohen, sidomos ata nga diaspora, sepse “ata kanë lekë”! Kjo natyrisht se flet për biznes në emër të kulturës. Në shikim të parë, nuk ka asgjë të keqe, por ky monopol, megjithatë, duhet të thyhet! Si?
Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës duhet që, në kuadër të dikastereve për diasporë, apo për përkujdesje ndaj shqiptarëve jashtë kufijve administrativë, të formojnë Agjenci mbarëkombëtare, e cila do të merrej me “gjuajtjen” e krijuesve, të këngëtarëve, të tenorëve, sopranove, të balerinëve, të trupave teatrale jashtë Shqipërisë dhe Kosovës. Pra, duhet të themelohet agjenci e posaçme kulturore, e cila do t’i joshte produksionet kulturore që të konkurrojnë me vepra nga artistët jashtë shteteve respektive, edhe atë jo për çdo vit me të njëjtët autorë; që të promovojë vlera të mirëfillta kulturore të shqiptarëve që jetojnë jashtë shtetit amë. Pra, të subvencionohen këto produksione kulturore dhe jo ata që promovojnë kulturë provinciale, kulturë të mëhallëve, të klubeve e të klaneve kulturore që jetojnë nën logjikën “unë për ty, ti për mua” dhe të shërbëtorëve redaksional që merren me gjuajtjen e “shtrigave kulturore”!
Në Shqipëri vështirë mund të botohen shkrimtarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, sepse shkrimet e tyre vuajnë nga logjika gegërishte dhe sintaksa sllave! Nëse nuk je shtetas (me dokumente) i Kosovës, nuk të financohet vepra nga Ministria e Kulturës. Kjo do të thotë se autorët shqiptarë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, mund të shpresojnë vetëm në vullnetin e mirë të botuesve nga ky shtet! Në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk mund të botohet një autor shqiptar nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi apo Lugina e Preshevës, sepse këta shkrimtarë llogariten të huaj!
Këto logjika të mbrapshta dhe antikombëtare mund t’i heshtë dhe neutralizojë një vendim qeveritar për një qasje më konstruktive kombëtare ndaj artistëve shqiptarë, duke thyer monopolin e “produksioneve kulturore”, të cilët, në emrin e “veprimtarisë kulturore”, po zhvillojnë biznes mbi kurriz të kulturës shqiptare! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Mbi origjinën ilire të gjuhës shqipe

Kumtesa e mbajtur në vitin 1982 në Beograd nga dr. Idriz Ajeti,…

Shqiptari Fetah Efendiu sipas dokumenteve të UDB-ës jugosllave

Pas vdekjes së Ataullah Hoxhës (dhjetor të vitit 1946), për udhëheqës të…

Mohamed Salmawy: Një film për mbretin shqiptar të Egjiptit, Mohamed Ali

Më shumë se 3 shekuj më parë, një familje nga Zëmblaku i…

Biografi për të famshmin Ali Pashë Tepelena

Nga Aurenc Bebja/ “La Quotidienne” ka botuar, të shtunën e 29 nëntorit…

Përshkrimi i udhëtimit të udhëpërshkruesit të njohur gjerman: Johann Georg von Hahn gjatë vitit 1858, nëpër trevat shqiptare të Leskocit

Serbët e shkruajnë se Hahn, kishte shprehur shumë interesim për ti vizituar…