Heshtja e intelektualëve si pasojë e servilizmit para pushtetit nga i cili gëzojnë “subvencionime” për “veprimtarinë intelektuale” të tyre, nuk është as intelektualizëm, as kulturë, as demokraci. Është kapitullim moral para antivlerës

Heshtja intelektuale është analfabetizëm, është pozë e mediokrëve, është shprehje e shpifur, përmes së cilës pseudo-intelektualët janë munduar ta justifikojnë heshtjen e tyre në situata të caktuara. Pra, heshtje intelektuale nuk ka, ka heshtje të intelektualëve, siç nuk mund të ketë “intelektualë të heshtjes”, kurse mund të kemi plotë “intelektualë të heshtur”! Si mund të jetë “intelektuale” heshtja para dukurive të caktuara, të cilat mëtojnë ta dëmtojnë në kurriz identitetin kulturor dhe atë kombëtar! Si do të dukej “jointelektualiteti” i heshtjes? A mund të jetë e logjikshme pyetja, për shembull, cili është “shikimi” i të verbrit total?!
Intelektualët e heshtur janë kategoria më fatkeqe e shoqërisë. Po pse heshtin ata? Ata nuk mund të heshtin pa u heshtur. Heshtin ose pse “intelektualitetin” e vet e kanë të stisur, pra, në esencë janë një shkallë mbi analfabetët, ose militojnë nëpër parti, ose janë në grusht të pushtetit.
Shoqërinë shqiptare e përcjellin një varg dukurish para të cilëve heshtin pikërisht ata që duhet të jenë më të zëshëm! Ose, në rastin më të butë – paraqiten mendime e pikëpamje, teori e qëndrime nga më të ndryshmet, varësisht se ku aderojnë intelektualët, militantë të cilës parti janë! Intelektualët e pushtetit nuk bëjnë zë, ndërsa, natyrisht që dukuritë vijnë dhe rrjedhin prej pushtetit të dobët, autokrat, diktatorial. Heshtin, sepse ose janë të shantazhuar ose të blerë.
Intelektualët e pushtetit heshtin për një projekt që do t’ua financojë pushteti, për një libër që do ta miratojnë komisionet e pushtetit, për një “ekskursion kulturor”, për një përfshirje në shfaqjen qoftë edhe më të dobët, për një përfshirje në ndonjë ekspozitë kolektive, për një “festival” këngësh, për një sponsorim filmi. Zëri i intelektualëve nuk duhet të dëgjohet vetëm kur përballemi me ndonjë dukuri që nuk i bën nder etnikumit tonë! Misioni i intelektualëve është bastarduar deri në “poteraxhinjë”! Mbase, edhe ky mision është një sajesë idiotësie, sepse as “potere intelektuale” nuk kemi sot! Këto ditë HEJZA ngriti problemin e Teatrit Shqiptarë për Fëmijë dhe të Rinj në Shkup dhe, me përjashtim të shqetësimi intelektual të Besfort Idrizit, nuk kemi pasur asnjë reagim, asnjë “protestë intelektuale” të asnjë aktori, të asnjë regjisori, të asnjë dramaturgu, të asnjë profesori të artit, asnjë hulumtim gazetaresk, asnjë “zhurmë” mediale… Të gjithë heshtën para talljes politike me një institucion nacional shqiptar që mezi u bë! Në këtë ngjarje të shëmtuar, në këtë shprehje të urrejtjes kundër kulturës shqiptare, zë vend më së miri definicioni i Konradit, i cili thoshte: “Ne, intelektualët, në përgjithësi, që të gjithë e kemi tradhtuar obligimin tonë: nuk kemi arritur të shpjegojmë mirëfilli as kapitalizmin shtetëror, as socializmin shtetëror, as esencën e inteligjencies”!
Intelektuali kurrë nuk ka qenë “plaf” nën të cilën janë fshehur gabimet trashanike të pushtetit; nuk ka qenë kurrën e kurrës as pastrues i veprimeve antikulturore të pushtetarëve. Sartri intelektualin e definon vetëm si roje të demokracisë! Rrjedhimisht, demokraci do të thotë kulturë!
Heshtja e intelektualëve ose si pasojë e shantazheve politike, ose si pasojë e respektimit të pushtetit nga i cili gëzojnë “subvencionime” për “veprimtarinë intelektuale” të tyre, nuk është as intelektualizëm, as kulturë, as demokraci. Është kapitullim moral para antivlerës. Asnjë subjekti politik kombëtar, asnjë subjekti të çfarëdoshëm kombëtar, nuk u bëjnë nder intelektualët e heshtur! Ata, me heshtjen e tyre, dëshmojnë se përtej interesit të tyre meskin, nuk u interesojnë vlerat, virtytet dhe asnjë tipar që ia shton peshën kombit!/HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Mbi origjinën ilire të gjuhës shqipe

Kumtesa e mbajtur në vitin 1982 në Beograd nga dr. Idriz Ajeti,…

Shqiptari Fetah Efendiu sipas dokumenteve të UDB-ës jugosllave

Pas vdekjes së Ataullah Hoxhës (dhjetor të vitit 1946), për udhëheqës të…

Mohamed Salmawy: Një film për mbretin shqiptar të Egjiptit, Mohamed Ali

Më shumë se 3 shekuj më parë, një familje nga Zëmblaku i…

Biografi për të famshmin Ali Pashë Tepelena

Nga Aurenc Bebja/ “La Quotidienne” ka botuar, të shtunën e 29 nëntorit…

Përshkrimi i udhëtimit të udhëpërshkruesit të njohur gjerman: Johann Georg von Hahn gjatë vitit 1858, nëpër trevat shqiptare të Leskocit

Serbët e shkruajnë se Hahn, kishte shprehur shumë interesim për ti vizituar…