Letër nga Tirana

Sot mediat elektronike luajnë një rol jashtëzakonisht të madh në shoqëri! Nëse subjekte dhe struktura të caktuara mundohet që mediat t’i përdorin si mjet propagandistik për ta arritur një qëllim të caktuar, mediat me kohë janë përcaktuar që edhe ato të luajnë rol ndikues duke zbardhur fenomene, trajtesa e dukuri të caktuara; përmes shtjellimit të problemeve të krijojnë opinion dhe të ngrenë mekanizma shoqërore mbi tejkalimin e problemeve. Mediat profesionale janë fokusuar edhe në programacion që kanë synim hulumtimin shkencor, zbardhjen e gjurmëve që na vijnë nga e kaluara, zbardhjen e fenomeneve natyrore, shpalosjen e kujtimeve, shfletimin e kalendarit historik-kombëtar! Sektori i dokumentarit pa dyshim që është një prej sektorëve më të vështirë, më të rëndë, më të kushtueshëm, por edhe më interesante, më sensibilizuese, më informative dhe jashtëzakonisht me interes të shumëfishtë.
Le të përqendrohemi te emisioni dokumentar i TV Top chanel, realizuar nga gazetari Marin Mema! Emisionet e këtij gazetari tashmë të dëshmuar si specialist i rrallë në fushën e dokumentarit televiziv, trajtojnë fenomene në dy rrafshe: në atë historik dhe në atë arkeologjik! Emisionet që trajtojnë fenomene arkeologjike janë jashtëzakonisht interesante dhe kryekëput me interes kombëtar! Mjerisht, aq sa të shtojnë krenarinë e të qenët popull i lashtë, sa vetë toka, aq shkaktojnë një irritim, një pakënaqësi dhe një zhgënjim total nga pasiviteti, neglizhenca dhe mosreagimi i asnjë institucioni shtetëror!
Në rrafshin e hulumtimeve arkeologjike gazetari Marin Mema, ka zbuluar fakte, lokalitete e artefakte pothuajse më shumë dhe jashtëzakonisht të rëndësishme se sa institucionet përkatëse shtetërore. Nuk ka kurrfarë reagimi nga shteti! Nuk dihet në po sajon Marin Mema apo institucionet shtetërore po gjunjëzohen heshtazi para tij!
Në historinë e gazetarisë shqiptare, në historinë e mediave shqiptare, në arkivin e dokumentarëve televizivë shqiptar, nuk mund të gjejë njeriu gjëra më të rëndësishme dhe me vlera aq kombëtare se sa dokumentarët e Marin Memës në rrafshin arkeologjik! Gazetari në fjalë absolutisht që e meriton titullin “AKADEMIK I JASHTËM”, madje që tani!
Natyrisht, Marin Mema nuk i është qasur kësaj pune investigative për ndonjë titull, as për ndonjë përfitim, porse, thjesht, që të bëje detyrën e vet prej shqiptari, t’i shpalosë të gjitha ata argumente e fakte që flasin për lashtësinë e popullit të vet si dhe të atdheut shqiptar me taban që kur qeniet humane u shfaqën në tokë.
Këtë mision Marin Mema po e kryen me shumë sukses dhe me një ndjeshmëri prej gazetari profesionist e kombëtar! Ka zbardhur dhjetëra lokalitete arkeologjike për të cilat institucionet shtetërore as që kanë dëgjuar më parë! Ka ofruar me qindra artefakte e argumente si perla kulturore dhe të qytetërimit shumë të hershëm pa të cilat e sotmja shqiptare duket shumë e varfër!
Deri më sot, nuk është dëgjuar asnjë institucion shtetëror, asnjë institucion përkatës nacional të ketë reaguar gjurmëve të zbulimeve gazetareske! Asnjë iniciativë shtetërore, të paktën për hartëzim të të gjitha lokaliteteve të zbuluara e të shfaqura në emisione dokumentare të autorit; asnjë shpallje “zona të interesit nacional” të atyre lokaliteteve të cilat gjithsesi që duhet të shenjëzohen dhe të merren nën mbrojtje të nateditshme të autoriteteve shtetërore. Në një prej emisioneve të këtilla dokumentare banorët e vendit vërtetuan se lokaliteti arkeologjik pranë vendbanimit të tyre ka qenë i vizituar dhe i hulumtuar nga “arkeologë grekë”, të cilët kanë marrë mostra artefaktesh dhe kanë ikur! Ekspedita arkeologjike sekrete të të huajve para hundës së organeve gjegjëse shtetërore?!
Hulumtimet, ekspeditat arkeologjike, natyrisht që kërkojnë buxhet të madh! Kërkojnë ekip shkencëtarësh vendor e ndërkombëtar. Natyrisht që kërkojnë impenjim të shumë strukturave shtetërore. Por ama, për një shtet serioz, të pasur me një botë arkeologjike si asnjë vend tjetër në rajon, me vlera të pakrahasueshme arkeologjike si dhe nga fusha e trashëgimisë kulturore, çdo hamendësim në krijimin e buxhetit të konsiderueshëm dedikues, do të ishte baras me “heshtjen e vlerës” së identitetit etnik me një taban sa vetë lashtësia.
Deri më sot, po krijohet përshtypja se shteti shqiptar vetëmsa po mrekullohet nga puna hulumtuese dhe e shenjtë e Marin Memës. Qëndrimi indiferent ndaj emisioneve historike mbase edhe mund të “arsyetohet”, sepse aktet dhe dokumentet mund të jenë “relative”, por ama indiferenca shtetërore ndaj emisioneve me tema arkeologjike kjo është baras me sjelljet nonshalante të të gjithë atyre që nuk e kanë dert as shtetin dhe as kombin! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Si të falet vrasja e identitetit kulturor!

Midis nesh Në manifestimin përkujtimor, organizuar me rastin e tridhjetë vjetorit të…

Letër nga Shkupi – KUSH PO I PËRJASHTON AUTORËT SHQIPTARË!

Vitin e kaluar Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut…

Kaosi rreth poezisë

Midis nesh Duhet pranuar se rrethanat aktuale letrare imponojnë shumë dilema e…

MEDIOKRITETI NË KRIJIMTARINË LETRARE

REXHEP QOSJA / “… Numri i mediokriteteve në letërsitë e vogla kombëtare…