Rëndimi i aktakuzave nga Prokurori i Specializuar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte kundërshtuar në një fazë të mëhershme nga pala mbrojtëse e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli, në përballjen e tyre me Dhomat e Specializuara.

Gregory Kehoe, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi, dhe Ben Emmerson njëkohësisht avokat i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, kishin apeluar një vendim të tillë, anise i njëjti ishte refuzuar nga Paneli i Apelit, teksa në pretendimet e publikuara së fundit, flitet për krime të reja të cilat thuhet se janë kryer në disa fshatra të Suharekës dhe në Gjilan.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, në ankesën e tij kishte thënë se gjyqtari paraprak ka gabuar kur ka dhënë konstatimin e tij se plotësimi i aktakuzës nuk nënkupton akuza të reja.

Madje, sipas Thaçit, në emër të së cilit ishte ankuar avokati Kehoe, prokuroria në akuzat e reja pretendon në pjesëmarrje personale të të akuzuarit, andaj kjo përbënë shkelje të rregullativave ligjore të funksionimit të gjykatës.

”[Hashim] Thaçi pohon se gjyqtari i procedurës paraprake gaboi kur konstatoi se Amendamentet e Kategorisë së Tretë nuk përbënin akuza të reja në pajtim me Rregullën 90(2) të Rregullores. Më konkretisht, ai pohon se paragrafi i ri 43 i Aktakuzës së Propozuar të Ndryshuar ka të bëjë me një incident të ri që pretendon pjesëmarrjen personale të të Akuzuarit në trajtimin e Kundërshtarëve në një vend të ri. Sipas mendimit të tij, dhe “në mungesë të më shumë detajeve”, këto nuk janë fakte materiale që i japin saktësi më të madhe një forme pjesëmarrjeje të deklaruar tashmë dhe që mbështesin pretendimin ekzistues për pjesëmarrje personale në frikësimin, marrjen në pyetje, keqtrajtimin dhe paraburgimin e kundërshtarëve si ashtu siç gjeti gjyqtari, por janë akuza të reja”, thuhej në pretendimin e Kehoes.

Derisa ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, në ankesën e tij kishte specifikuar problematikën nga e cila, siç citohet, do të krijohej hapësirë që prokuroria të shtonte raste të panumërta supozuese të pjesëmarrjes në krime të pretenduara.

”[Kadri] Veseli pohon se ishte e pamjaftueshme që gjyqtari i procedurës paraprake të konkludonte se ndryshimet e Kategorisë së Tretë nuk përbënin akuza të reja sepse përfshinin “kanosjen, marrjen në pyetje, keqtrajtimin ose ndalimin e kundërshtarëve”. Sipas tij, kjo do të lejonte që Prokuroria të shtojë raste të panumërta të supozuara të pjesëmarrjes personale të të Akuzuarve me kusht që ato të përshtaten me atë përshkrim të përgjithshëm dhe do ta bëjnë çështjen e akuzave të reja “praktikisht të diskutueshme”, thuhej në njërën nga pikat e ankesës së Emmerson.

Sipas mbrojtjes së Veselit, siç shkruan lajmi.net, gjyqtari paraprak i ka bërë një lexim jokritik procedurave të mëhershme dhe formës së Punës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale për Ruandën, në të cilat sipas Emmerson, gjyqtari francez paraprak është mbështetur gjer më tash.

”Sipas [Kadri] Veselit, testi i saktë ligjor dhe pyetja kritike do të duhej të ishte nëse Amendamentet e Kategorisë së Tretë mund të mbështesnin në vetvete përfundimin se i Akuzuari ka marrë pjesë në të vërtetë në NPK-në e supozuar, duke paraqitur kështu një rrezik shtesë, të pavarur të dënimit. Nëse po, ato përbëjnë akuza të reja. Veseli kundërshton “leximin jokritik” të gjyqtarit të procedurës paraprake të autoriteteve të TPNJ-së dhe ICTR-së në të cilat ai mbështetej”, thuhet në Apelin e Veselit, cituar nga mbrojtja e tij.

Tutje, Emmerson ka specifikuar qëndrimin e Veselit, se prokuroria ka dështuar që me kohë të njoftojë mbrojtjen dhe gjyqtarin për ndryshimin e aktakuzës.

”[Kadri] Veseli argumenton se kërkesa e Prokurorisë nuk ishte me kohë pasi që shumica e deklaratave të dëshmitarëve ishin përgatitur para dorëzimit të aktakuzës, e fundit është marrë nëntë muaj para kërkesës së Prokurorisë dhe vendimi i Prokurorisë për të “grumbulluar propozimet e saj” nuk ishte i justifikuar. Sipas Veselit, “hapat e shumtë të procesimit” të thirrura nga Prokuroria nuk mund të demonstrojnë kujdes prokurorial pasi: (i) asnjë nga incidentet e supozuara nuk u zbulua kohët e fundit; (ii) për shkak se Prokuroria ka hetuar që të paktën që nga viti 2015, ishte përgjegjësi e saj të intervistonte dëshmitarët sa më shpejt që të ishte e mundur; (iii) burokracitë e brendshme të prokurorisë nuk janë një justifikim i vlefshëm. Veseli shton se Prokuroria dështoi të njoftojë paraprakisht gjyqtarin e procedurës paraprake dhe mbrojtjen për qëllimin e saj për të ndryshuar aktakuzën. Ai pohon se gjyqtari i procedurës paraprake ka gabuar duke marrë parasysh fazën e procedurës kur vlerësohet nëse Prokuroria ka vepruar me kujdes pasi që është një kriter shtesë për t’u vlerësuar veçmas”, thuhet tutje në ankesën e avokatit Emmerson.

Për më tepër, pala mbrojtëse, Emmerson dhe Kehoe, në shkresën të cilën e ka parë lajmi.net, kanë thënë se amandamentimi i aktakuzës, nënkupton shkelje të të drejtave të të akuzuarve në këtë rast.

“[Kadri] Veseli pohon se gjyqtari i procedurës paraprake dështoi të marrë në konsideratë procedurën tashmë të zgjatur paraprake kur arriti në përfundimin se hapat procedural shtesë të përshkruara sipas rregullit 90 (3) dhe (4) të Rregullores “ka gjasa të kenë një ndikim më të kufizuar” siç mund të jenë të kryera paralelisht me fazat e mbetura të fazës paraprake. Duke vënë në dukje ritmin e procedimit dhe shtrirjen e çështjes së Prokurorisë dhe faktin se procedurat paraprake ka gjasa të vazhdojnë edhe për një vit, [Kadri] Veseli argumenton se procedurat shtesë që rezultojnë nga ndryshimet e propozuara do të kërkojnë ende kohë shtesë dhe do të “cenojnë ndjeshëm” të drejtën e tij për t’u gjykuar brenda një kohe të arsyeshme”, thuhet tutje në Apelin e Veselit në lidhje me çështjen në fjalë.

Ndërkaq, avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe ka thënë se gjyqtari paraprak, me konstatimet e nxjerra mbi atë se nëse amandamentimi i aktakuzës do të prodhojë hapa shtesë në procedurë, po e shkelë të drejtën e ish-presidentit, për mbrojtje efektive.

”[Hashim] Thaçi pohon se gjyqtari i procedurës paraprake nuk e ka aplikuar ”testin e saktë” kur ka konstatuar se hapat shtesë të shkaktuar nga lejimi i amendamenteve të propozuara mund të bëhen paralelisht me fazat e mbetura të fazës paraprake. Thaçi pretendon se Qëndrimi i gjyqtarit gjykues se hetimet e mbrojtjes nuk duhet të “përfundojnë plotësisht” para gjykimit nuk mbështetet nga asnjë autoritet i jashtëm. Sipas tij, kjo do të cenonte të drejtën e të akuzuarit për të përgatitur një mbrojtje efektive. [Hashim] Thaçi pretendon se gjykimi nuk do të fillojë më, së shpejti, para fundit të vitit 2022”, për shkak të dështimeve të përsëritura të mëvonshme nga Prokuroria”, thuhet në ankesën e Kehoes.

Ndryshe, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi gjenden në paraburgim në Hagë, që nga nëntori i vitit 2020.

Atyre deri tani, u janë refuzuar të gjitha kërkesat për lirim nga paraburgimi.

Ndërsa të martën që e lëmë pas, janë caktuar katër seanca ku ish-krerët e UÇK-së veç e veç do të deklarohen për akuzat e reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

BE ka identifikuar informacione të rrejshme për Covid-19 që vijnë nga Rusia

Bashkimi Evropian ka identifikuar informacione për koronavirus që vijnë nga Rusia, deklaroi…

Zbardhen detajet e shkëmbimit të të burgosurve ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë

Janë zbardhur detajet e shkëmbimit të të burgosurve, operacion i realizuar të…

Protesta të dhunshme në Hong Kong

Policia ka përdorur topa uji dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve, të cilët…

Kreu i Unionit të Gazetarëve të Ukrainës falënderon Kurtin për mbështetjen për ta

Këtë të diel ka mbërritur në Kosovë gazetarja e parë ukrainase, Lyudmila…

Ministrja e Jashtme britanike,Truss: Rusia t’i japë fund aktivitetit keqdashës ndaj Ukrainës

ATSH-DPA/ Ministrja e Jashtme britanike Liz Truss i ka bërë një thirrje…