Vitin e kaluar Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut kishte një qëndrim që t’i përjashtojë nga Programi Nacional për Kulturë autorët shqiptarë që nuk jetojnë në këtë shtet! Paratë e taksapaguesve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut do të “shpenzohen” vetëm për shkrimtarët shqiptarë të këtij shteti! Kështu do të ndodhë edhe sivjet! Në këtë ministri flitet se kjo ide ishte e kamotshme, por ja që tani ka gjetur momentin e përshtatshëm që të bëhet praktikë! Pra, maqedonasit të na caktojnë se çka duhet të botojmë e çka të lexojmë, kurse këtij “vendimi” funksionarët shqiptar të këtij dikasteri t’ia bëjnë aminin!
Kjo sjellje shoviniste natyrisht që përbën nonsens dhe ka gjasë që të shtrihet edhe në sferat e tjera të kulturës shqiptare. Botimet janë vetëm një test nacionalist, ndërsa plani është që kultura shqiptare të fragmentarizohet dhe të “të ndihmohet” vetëm ajo kulturë që kultivohet nga shqiptarët e këtushëm! Rrënja e kësaj logjike zgjatohet që nga kuzhinat nëntokësore antishqiptare, prej nga ka dalë konstatimi se “shqiptarë të mirë janë vetëm ata të Shqipërisë, kurse këta këndej kufirit, janë egërsira”! Kjo tezë është tjerrë bukur gjatë për faktin se terezinë nacionalistëve sllavë ua kanë prishur vetëm shqiptarët përtej kufijve administrativë të shtetit amë! Shumë shpejt do të sillen vendime që nga Kosova dhe Shqipëria të mos lejohet të vijë asnjë dramaturg, asnjë regjisor, asnjë shfaqje, sepse edhe në këtë rast do të shpenzoheshin paratë e taksapaguesve shqiptarë për disa “shqiptarë të tjerë”! Kjo pastaj do të shtrihet edhe në skenën muzikore, edhe në ekspozita etj.
Kush është ajo fuqi që mund t’ua diktojë shqiptarëve se çka mund të botojnë e çka të lexojnë, kush janë ata shqiptarë të kësaj ministrie që lejojnë një goditje me sëpatë të madhe mbi krijimtarinë letrare shqipe! Për paratë e taksapaguesve shqiptarë vetë shqiptarët vendosin se çka dhe kë do ta botojnë, madje do të botojnë dhe do ta subvencionojnë çdo gjë të shkruar në gjuhën shqipe. Shkrimi është gjuha e shkronjave shqipe dhe kjo gjuhë kurrë nuk ka duruar dhe nuk do të durojë kufij. Gjuha ruhet dhe pasurohet prej gjërave të shkruara, prej librave, prej veprave të autorëve shqiptarë që veprojnë në trojet e veta etnike, por edhe nëpër botë! Është dëshirë dhe interes i shqiptarëve që ta botojnë edhe në Maqedoninë e Veriut, bie fjala, Ismail Kadarenë, apo Jusuf Buxhovin, apo Ymer Skrelin, Agron Tufën, Besnik Mustafajin, Fatos Arapin, Fatos Kongolin, Skender Sherifin, Sabri Hamitin, Rexhep Qosjen etj. etj.
Këto vendime kaq të ulëta, kryekëput politike, mund të stopohen vetëm me një qëndrim të koordinuar dhe kombëtar të anëtarëve shqiptarë të komisioneve që vendosin për Programin Vjetor Nacional të kësaj ministrie! Natyrisht që duhet të bojkotohet ky program dhe ky bojkotim do të sillte deri te një ngërç që do ta paralizonte edhe miratimin e këtij Programi dhe, me këtë, do të problematizohej edhe vetë buxheti vjetor i shtetit! Pala tjetër (ajo maqedonase) le të bëjë përpjekje që të miratojë program pa përfshirjen e kulturës shqiptare brenda tij! Ky hap do të duhej të interpretohej si këmbëngulje maqedonase për ta “federalizuar” vendin, duke filluar që nga kultura! Është absolutisht e pakuptueshme që të botohen autorë botërorë të përkthyer shkel e shko në shqip, kurse autorët shqiptarë të përjashtohen nga mundësia e botimit, sepse nuk po jetuakan në Maqedoninë e Veriut. Kjo i bie që brenda dy-tri viteve autorët e letërsisë së vjetër shqiptare nuk do të njihen nga gjeneratat e reja, sepse këta autorë nuk mund të botohen, sepse as nuk janë nga Maqedonia dhe as nuk jetojnë në këtë shtet! Turp për ata shqiptarë që e lejojnë një pisllëk të tillë mbi krijimtarinë shqiptare dhe mbi vetë gjuhën shqipe si dhe mbi kulturën tonë!
Paradoksi mund të shkojë deri atje sa, nuk duhet të habitemi nëse një ditë, në Maqedoninë e Veriut të kemi një vendim i cili pranon ta zyrtarizojë vetëm atë shqipe që e flasin shqiptarët e këtij shteti, dhe jo ”shqipen e të tjerëve”! “Rilindësit e fundit” si duket i ka zënë gjumi, apo janë nën peshën e shantazheve të shtresuar nga kushte të shumta politike që vihen në tryezën e negociatave gjatë formimit të koalicioneve qeveritare. Pa pranim të kushteve nuk ka “participim” në qeveri, paçka që ato kushte mund të jenë set ofendimesh e përçmimesh kundër vetë shqiptarëve dhe kulturës së tyre të gjithmbarshme! Nëse edhe për kulturën tonë lejojmë që dikush tjetër të sjellë vendime, vaj halli për ne. Do ta bëjmë “kulturën autoktone të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, e cila dallon prej asaj të shqiptarëve të tjerë”! Të kujt ishin këto vendime të përçudnuara? E kujt është kjo tezë e mbrapshtë? Kush po i miraton dhe kush po u rri sus këtyre vendimeve shoviniste! Athua edhe anëtarët shqiptarë të deleguar nga partitë shqiptare në komisione të ndryshme të ministrisë për të hartuar program vjetor diskriminues? /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Mbi origjinën ilire të gjuhës shqipe

Kumtesa e mbajtur në vitin 1982 në Beograd nga dr. Idriz Ajeti,…

Shqiptari Fetah Efendiu sipas dokumenteve të UDB-ës jugosllave

Pas vdekjes së Ataullah Hoxhës (dhjetor të vitit 1946), për udhëheqës të…

Mohamed Salmawy: Një film për mbretin shqiptar të Egjiptit, Mohamed Ali

Më shumë se 3 shekuj më parë, një familje nga Zëmblaku i…

Biografi për të famshmin Ali Pashë Tepelena

Nga Aurenc Bebja/ “La Quotidienne” ka botuar, të shtunën e 29 nëntorit…

Përshkrimi i udhëtimit të udhëpërshkruesit të njohur gjerman: Johann Georg von Hahn gjatë vitit 1858, nëpër trevat shqiptare të Leskocit

Serbët e shkruajnë se Hahn, kishte shprehur shumë interesim për ti vizituar…