Në dritën e publikimit të fundit nga BFI në RMV mbi vizitën “zyrtare” të Shaqir Fetai në EBA, ndjej si qytetare, besimtare dhe anëtare e këtij komuniteti, një detyrim moral dhe civil për të ngritur zërin kundër një praktike të rrezikshme të institucionalizimit të heshtjes, mjegullës dhe kotësisë. Me këtë shqetësim timin publik dua t’i inkurajoj edhe teologët e vendit që assesi të zgjohen nga gjumi letargjik i “dimrit të madh”
Nga Mejreme Shema
Në një kohë kur komuniteti mysliman në Maqedoninë e Veriut përballet me sfida reale—nga mungesa e qasjes në arsim cilësor fetar, te polarizimi i brendshëm dhe mungesa e transparencës në udhëheqje—na imponohet një pyetje e thjeshtë por urgjente: Çfarë do të thotë të bësh një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, kur kthehesh me duar bosh dhe me deklarata që s’thonë asgjë?
I ashtuquajturi “reis” Shaqir ef. Fetai, në një vizitë të raportuar pompozisht në Abu Dhabi, u takua me një zyrtar të autoritetit për çështje islame dhe me ambasadorin e RMV-së. Dhe? Kaq! Përtej fjalëve të përzemërta, mirënjohjeve, shprehjeve të gatishmërisë për bashkëpunim në të ardhmen, nuk ofrohet asnjë përmbajtje reale, asnjë rezultat konkret, asnjë projekt i qartë, asnjë ndikim i prekshëm për komunitetin mysliman të vendit.
Kjo lloj “diplomacie fetare” e Shaqir Fetait është bërë një ritual monoton, dhe, në fakt, pas këtyre udhëtimeve fshihen shumë interesa meskine të vetë Fetait, të cilat, në një shtet normal, do të zbardheshin një më një. Vizita. Foto. Deklarata formale. Falënderime. Dhe heshtje. Heshtje për qëllimin e vërtetë. Heshtje për përfitimet reale. Heshtje për koston e udhëtimeve. Heshtje për bashkëpunimet eventuale të dyshimta. A janë këto takime pjesë e një strategjie të errët influencash dhe lojërash të buta të shërbimeve të huaja, apo janë thjesht turizëm diplomatik i mbështjellë me petkun e fesë?
Në një lajm bosh të publikuar në paçavurat e Shaqir Fetait, nuk përmendet qartë përse ndodhi kjo vizitë. Nuk ka ndonjë marrëveshje të nënshkruar, ndonjë projekt të dakorduar, ndonjë nismë të re në fushën e arsimit fetar, shkencës islame, humanizmit, apo dialogut ndërfetar. As për fondet e mundshme të përkrahjes për xhamitë, as për bursat e studentëve, as për tekstet shkollore. Asnjë transparencë për temat që janë diskutuar me autoritetin e Emirateve. Dhe akoma më pak, për ndonjë strategji bashkëpunimi të sinqertë që do të ndihmonte realisht myslimanët e RMV-së.
Për çudi, një pjesë tjetër e kësaj vizite ishte takimi me ambasadorin e RMV-së. Por pse? Cili ishte qëllimi i këtij takimi? Çfarë e lidh Reisul Uleman me ambasadorin? Një vizitë për t’i shprehur falënderime personale dhe “mirënjohje” për një ambasador që nuk është pjesë e ndonjë institucioni fetar? Apo të falënderojë për ndonjë rrogë që ia ka siguruar nga shërbimet e dyshimta sa për t’ia shitur shpirtin shejtanit! Këto takime tingëllojnë më shumë si demonstrime të vogla personale ndikimi sesa si pjesë e një misioni serioz institucional.
Ka ardhur koha të kërkojmë llogari publike dhe transparencë nga figurat fetare, njësoj si nga politikanët. Udhëheqësit fetarë nuk mund të vazhdojnë të fshehin pas deklaratave të thata dhe të vakëta për vizita “zyrtare”, të cilat nuk i shërbejnë askujt përveç vetes së tyre. Është mirë dhe “sevap” të dihet:
Cili ishte qëllimi zyrtar dhe i mirëpërcaktuar i kësaj vizite?
Çfarë është arritur konkretisht?
Pse mungon transparenca për temat e diskutuara?
A ka një strategji afatgjate të miratuar nga organet vendimmarrëse të BFI-së për bashkëpunime ndërkombëtare?
A janë këto udhëtime të mbuluara financiarisht nga fondet e institucionit apo nga sponsorime të tjera, dhe cilat janë ato?
Cilat janë obligimet që mund të kenë lindur nga këto vizita? A janë ato politike, fetare, apo të ndonjë natyre tjetër?
Kur nuk jepet asnjë informacion për rezultatet, mund të dyshohet lirisht se vizita të tilla janë për interesa personale, dhe jo në shërbim të institucionit. Madje, ka vend të hapur për pyetje më të thella: A janë këto vizita fasadë për kontaktime joformale me shërbime inteligjente të huaja? A kemi të bëjmë me një politikë të heshtur influencash fetaro-politike në vend, e orkestruar nga qendra të dyshimta, të cilat kamuflohet edhe me ndonjë vizitë ambasadorësh të vendit të origjinës?
BFI nuk është një organizatë personale. Ajo është një trashëgimi e përbashkët e të gjithë myslimanëve të këtij vendi. Çdo përfaqësim ndërkombëtar i saj duhet të jetë transparent, me qëllime të qarta, dhe të ndihmojë për përmirësimin e jetës fetare dhe edukimit të gjeneratave të reja. Udhëheqja me hije, me “vizita” të errëta dhe pa llogaridhënie, është abuzim i pastër me besimin dhe detyrimin e vjedhur, siç veproi Shaqir Fetai.
Nëse një vizitë zyrtare nuk sjell dobi, atëherë ajo është e kotë. Dhe kotësia në emër të fesë është abuzim me besimin e njerëzve, është haram. E Shaqir Fetai është zhytyr në haram deri në fyt, si asnjë mysliman tjetër i vendit!
Përfundimisht, Shaqir Fetait dikush (nga TË URTIT E KOMBIT) duhet t’ia thotë troç: Të ndalet praktika e përdorimit të institucionit për përfitime personale, shëtitje diplomatike apo krijim të influencave të padeklaruara, të cilat do ta thyejnë në kurriz interesin kombëtar.
Me që ra fjala: ky DIKUSH i KOMBIT duhet t’ua bëjë me dije të gjithë komuniteteve fetare se, është koha e fundit që të hartohen strategji bashkëpunimi ndërkombëtar të miratuar nga Kuvendet përkatëse të Komuniteteve dhe të hapura për publikun.
Sepse, të gjithë duhet të dinë se tashmë është koha për llogaridhënie, për transparencë, për dinjitet institucional, për besnikëri ndaj komunitetit e ndaj interesit kombëtar, dhe jo ndaj interesave të dyshimta personale apo të huaja.