Këto ditë, Shaqir Fetai, isntalacioni i dhunshëm i pushtetit maqedonas në krye të BFI-së, ndonëse fillimi i Muajit të Shenjtë të Ramazanit, sërish doli nëpër media me një potpuri rrenash, trillimesh dhe përpjekjesh për ta zhdukur një kontinuitet tridekadësh të BFI-së së pavarur! Është e habitshme përpjekja naive e këtij farë soji për ta fshirë një histori të tërë dhe për ta paraqitur BFI-në si institucion i këtyre dy viteve prej kur atij dikush i tha “çup” në kolltukun e pamerituar

Nga Idriz Fazliu

Shaqir Fetai tallet me Institucionin e BFI-së, me një lehtësi prej djalli nxjerr nga goja rrena të pakripta sa, këtë veprim nuk do të ishte në gjendje ta bënte asnjë mysliman i vendit. Shaqir Fetai flet sikur myslimanizmi në këtë vend të ketë filluar nga 27 maji i vitit 2020, sikur këtu nuk ekziston një histori përplot me vuajtje, me trishtime, me ngadhnjime, me suksese, me trimëri e me krenari përgjatë zhvillimit tridekadësh të BFI-së.
Shaqir Fetai thotë se, tashmë BFI-ja është e hapur, ka vënë bashkëpunim me botën turko-arabe, BFI ftohet nëpër konferenca, siç ishte ky i Egjiptit, se vizitohet prej personaliteteve të njohur në botën islame, vizitohet nga ambasadorë e nga shumë qytetarë! Ftohet si turist i thjeshtë për t’i vizituar muzetë dhe institucionet shkencore etj. Do me thënë që nga ardhja e Shaqir Fetait BFI po lulëzon! Po më parë ishte situatë katastrofale, ë? Kur përpara?! Kur përfaqësues organi ishte edhe Shaqir Fetai? A ka ndojë prononcim, ndonjë deklaratë, ndonjë fjali nëpër procesverbalet e BFI-së kur Shaqir Fetai ka ngriur ndonjë shqetësim, kur ka kritikuar apo kur nuk është pajtuar me situatën e mjerë të BFI-së? Përkundrazi, ekziston deklarata e fundit e Shaqir Fetait, e thënë publikisht, një javë para se ta ndërmerrte aktin e tradhëtisë për ta shkatërruar BFI-në! Kjo deklaratë e Shaqir Fetait thotë kështu: “Kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulemanë Haxhi Sulejman efendi Rexhepin, jo vetëm që e njoh më tepër se dy dekada e gjysëm, por edhe kam qenë bashkëpunëtor i gushtë i tij në funksione dhe pozicione të ndryshme në Bashkësinë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Vërtet Kryetari Sulejman efendi Rexhepi ka qenë, është dhe do të ngelë një figurë markante e zhvillimit të mendimit islam, edhe si ide por edhe në aspektin institucional. Ardhja e tij në krye të BFI vërtetë paraqiti një kthesë të madhe në historinë e myslimanëve dhe BFI-së këtu në këtë nënqiell. Mendimi i tij i pastër, i çiltër dhe reformues bëri që organizimi i myslimanëve në këtë nënqiell vërtet të jetë në nivelin e duhur konform kohës dhe rrjedhave të kohës në të cilën ka jetuar dhe vepruar me qëllim që islami të merr karakter të nivelit të lartë. Është një personalitet që qëllim kryesor e pati themelimin e institucioneve fetare arsimore, duke filluar nga Medreseja Isa Beu, pastaj degët e saj, por Kryetari i BFI-së, Sulejman efendi Rexhepi, dëshirë të madhe kishte që të hapë një institucion edhe më të lartë fetaro-shkencor, kështu që arriti të themelojë dhe të ndërtojë Fakultetin e Shkencave Islame, nga i cili institucion vërtet dalin kuadër të mirëfillta për shpjegimin dhe prezantimin e jetes fetare islame. Sulejman Rexhepi është një personalitet me karizëm të fuqishme fetaro-shkencore por edhe kombëtare. Më kujtohet në momentet e para kur, me ardhjen e tij, automatikisht dha urdhërin dhe vendimin që të gjithë institucionet fetaro arsimor, duke filluar nga administrata e BFI-së, të vendoset barazia gjuhësore e këtij Institucioni, kështu, që në momentet e para menjëherë dha urdhër që krejt mësimi të zhvillohet në gjuhën shqipe, të shkruhet administrativisht gjuha shqipe, duke dhënë hapësirë të fuqishme që edhe në institucionet fetaro-arsimore por edhe në BFI, edhe nacionalitetet e tjera që i takojnë fesë islame, ta gjejnë veten e vet, dinjitetin e tyre fetaro-kulturor dhe kombëtar”! Pra, në këtë deklaratë të Shaqirit të mjerë ka përplotë histori fetare e kombëtare, ka përplotë aktivitete gjigante që kanë rezultuar me famë të hatashme të BFI-së, ka përplotë ngjarje sa, Shaqir Fetai është tepër shumë i vogël, shumëfish i pafuqishëm, i patalentuar, për t’i zhbërë të gjitha ato dhe për të filluar nga e para, nga 27 maji i vitit 2020, momenti që në fakt shënon tradhëtinë dhe komplotit më të turpshëm që ndonjëherë një musliman ia ka bërë tjetrit në këtë nënqiell, siç ia bëri Shaqir Fetai tërë BFI-së.
Ky aktivitet i Shaqir Fetait pa dyshim që është mision me të cilin ai është ngarkuar, ndaj dhe, për të dalur i suksesshëm duhet të gënjejë, duhet të sajojë, duhet të jetë me fytyrë pesëhektarësh, duhet mos t’i dridhet qerpiku nga frika prej Allahut Fuqiplotë, duhet të jetë hipokrit e zemërzi!
Shaqir Fetai e di fort mirë se nuk është ashtu siç përpiqet ta nxjerrë veten si nismëtarë i BFI-së, sepse për këto tri dekada nga pavarësimi i BFI-së prej “bashkësive” komuniste, ky Institucion është ftuar dhe ka prezantuar aktivisht në:

  • 192 konferenca kombëtare e ndërkombëtare të organizuara anekënd botës
  • e përfshirë në dhjetra e dhjetra organizata islame në të cilat, nuk ka qenë vetëm anëtarë e rëndomtë por, ka pasur edhe pozita drejtuese në kierarkinë e këtyre organizatave.

Po a mundet me aq lehtësi të mohohet angazhimi i natëeditshëm i BFI-së në sensibilizimin e organizatave islame, isntitucioneve shtetërore të botës myslimane për çështjen shqiptare në viset etnike! Urrejtja e Shaqir Fetait kundër H. Sulejman ef. Rexhepit, në fakt është urrejtje kundër veprimtarisë së tij të bujshme kombëtare e fetare, kundër angazhimit të efendi Rexhepit për t’ia siguruar BFI-së fanaret e ndriçimit në faqet e historisë kombëtare! Kjo i pengon Shaqir Fetait, ndaj dhe nuk lejon askë që para tij madje as ta përmendë emrin e Sulejman Rexhepit! Historia nuk bazohet në thashetheme të Shaqir Fetait, Qenan Ismailit apo Salim Sulejmanit, por, në veprat madhore kombëtare e fetare të Sulejman Rexhepit!
Po a mundet që me aq lehtësi të harrohen përfshirja në delegacion të BFI-së edhe i përfaqësuesve të subjekteve politike shqiptare me qëllim për të vënë kontakte me faktorë të rëndësishëm nga bota turko-arabe!
Po a mundet me aq lehtësi ta shlyej Shaqir Fetai vizitën e burrështetasve, siç ishte Turgut Ozal, Sulejman Demireli, të cilët qëndruan në BFI jo vetëm se iu kujtua atyre! Si mund të bëhen përpjekje për t’i fshirë kohërat kur BFI thjesht ishte shndërruar në një “zyre shtetërore” alernative ku personalitete të kombit, që po drejtonin Kosovën, takohshin me burrshtetas e me personalitete të ndryshme (Fehmi Agani dhe Ali Aliu me Turgut Ozal)!
Lidhjet e BFI-së me botën perëndimore nuk mund t’i mohojë askush. Falë bashkëpunimit me organizma botërorë në BFI qëndroi edhe Tadeush Mazovjetski, Raportuesi i Komisionit për të Drejtat e Njeriut pranë OKB-së si dhe luftëtar i denjë për të vërtetën e luftës së Bosnjë-Hercegovinës!
Për këto tri dekada, selia e Rijastit të BFI-së u vizitua 410 herë prej të gjithë ambasadorëve dhe diplomatëve në vend.
Pra, siç u nënvizua më sipër, BFI-ja ishte e ftuara permanente në kongrese të ndryshme, si:
– Konferenca ndërkombëtare në Mekke, organizuar nga Liga Botërore Islame me temë “Uniteti i muslimanëve – rreziku i frakcionimeve të ndryshme dhe ndarësitë”;
– Konferenca ndërkombëtare në New York, nën organizimin e Rabita Alemu Islamije me moton “Vijëmësia e lidhjeve midis SHBA-ve dhe Botës Islame”;
– Konferenca ndërkombëtare mbi diversitetin në Egjipt, organizuar nga Ez’heri Sherifi me temë: Temë boshte ishte “Liria, atdhetaria, diversiteti dhe integrimet”;
– Takimi i Shurës Islame të Shteteve Euro-Aziatike Tetore, Stamboll;
– Samiti Rajonal për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, Tiranë;
– Konferencë shkencorë organizuar nga Universiteti Shtetëror i Tetovës me temë: “Religjioni dhe dhuna”;
– Takimi i Shuras Euro-Aziatike, Bruksel-Belgjikë;
– Konferencë ndërkombëtare me temë:

– Konfrontimi i ekstremizmit dhe terrorizmit”, Kajro;
– Konferenca Muslimane në Sofja;
– Takimi i Liderëve Myslimanë të Ballkanit, Shkup;
– Konferenca e Këshillit të Lartë për Çështje Islame, Kajro;
– Konferenca botërore për dialog ndërfetar dhe ndërcivilizues, Ohër;
– Kongresi botëror Islam;
– Takimi i Shurës Islame të Shteteve Euro-Aziatike, Stamboll;
– Kongresi për çështje islame, Kajro;
– Konferenca Botërore Islame për Dialog, Mekë;
– Kongresi ndërkombëtar i intelektualëve myslimanë organizuar nga Universiteti “Al el Bejt”, Jordan;
– Kongresi i muslimaneve të Evropës, Basel;
Konferenca ndërkombëtare për Ballkanin, Stamboll;
– Konferenca e Kuvendit të përgjithshëm për çështje islamike, Aleksandri, Egjipt;
Dejtuesi historik dhe i papërsëritshëm i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, falë menaxhimit brilant dhe faktorizimit të papërsëritshëm të BFI-së, u përfshi nëpër organizma botërorë islam edhe atë në cilësi të:
– anëtarë i rregullt i Kuvendit të lartë për çështjë islame me seli në Kajro;
– anëtarë i rregullt i Kongresit botëror Islam me seli në Tripoli;
– anetar i rregullt i Unionit Islamik për Evropën;
zëvendës i sekretarit gjeneral të Kuvendit të këshillit për Evropën Lindore me seli në Stamboll;
-anëtar i forumit të shkencëtarëve Islam me seli në Rabat;
– themelues dhe zëvendës Kryetar i Shurës Euro Aziatike me seli në Ankara.
– anëtar i Këshillit Botues të Kolanës “Zani i Naltë” (1923-1939)
Gjithashtu, ai do të dallohet për një varg kontributesh të veçanta, nërsa këtu do t’i nënvizojmë ato që na kujtohen për momentin:
– Zyrtarizon gjuhën shqipe në institucionin e Bashkësisë Fetare Islame në RM si dhe krahas flamurit mysliman ngre edhe flamurin shqiptar të valvitet në të gjitha institucionet e BFI;
– Advokues i flaktë për sigurimin e bursave për mbi 140 studentë të shkencave të natyrës;
– Themelues i Revistës Hana e Re, që botohet në tre gjuhë;
– Themelues i O.H El Hialal (sot HILAL) – organizatë humanitare me synim të mbështetjes së shtresave të varfëra të shoqërisë;
– Themelues i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup dhe dekan i parë i kësaj vatre akademike;
– Kontribut të veçantë në menaxhimin e krizës humanitare të shkaktuar nga refugjatët e Bosnjës;
– Nënshkrues i Grupit nismëtar për themelimin e Univesitetit të Tetovës;
– Iniciator për themelimin e këshillit koordinativ mes BI Shqipëri-Kosovë-Maqedoni;
– Pritja e refugjatëve nga Kosova ku BIM përmes O.H El Hilal ishte organizata më e zëshme deri në Kombet e Bashkuara;
– Raportues i BBC në Londër në gjuhën Arabe rreth konfiktit në Maqedoni, promotor në botën arabe i luftës së drejtë të UÇK;
– Themelimin e Medresesë së Vajzave në Tetovë;
– Themelimin i Medresesë së djemve në Shtip;
– Themelues i Medresesë së Vajzave në Shkup;
– Themelues i Medresesë së Vajzave në Gostivar;
– Organizator i simpoziumit me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar “Kontributi i ulemave në ngritjen e vetëdijes kombëtare“;
– Ideator për themelimin e Agjencionit për Standardin Hallall;
– Ideator i Projektit Stop RedTer, project inovator në parandalimin e terrorizmit dhe radikalizimit në Maqedoni;
Idetator i Konfrencës mbarëkombëtare “Medhhebi Hanefi, prioritetet dhe sfidat”, Shkup
Ideator i themelimit të Mexhlisit për fetva në Maqedoni;
Dhe, tani vogëlsia prej bubërreci të papërfillshëm e Shaqir Fetait ta mohojë tërë këtë histori të begatshme dhe të thotë se “tash e dy vjetë BFI-ja është e hapur dhe tashmë jemi edhe antare e Konferencës islamike me seli në Kajro”…
Po pse Shaqir Fetai nuk futet më poshtë viteve të BFI-së dhe për ta përmendur emrin e njeriut që është meritori absolut (me lejen dhe me ndihmën e Allahut Fuqiplotë) për këtë histori kaq të bujshme të BFI-së? Sepse duhet do t’i duhet ta zë ngojë emrin H. Sulejman ef. Rexhepi! Po pse i druhet kësaj! Çfarë mëkati e çfarë krimi ka bërë ndaj këtij personaliteti kombëtar e fetar? Çfarë borxhi apo çka i ka bërë efendi Rexhepi këtij farë Shaqir Fetait që ky ta urrejë deri në mospërmendje të emrit, madje edhe në kërcënim të të gjithë atyre bashkëveprimtarëve të vet që e përshëndesin në rrugë apo me telefon H. Sulejman ef. Rexhepin!
Shaqir Fetai është i kompleksuar, shpirtërisht është i vetëlënduar, i parahatshëm, e di që kurrë nuk do ta falin myslimanët e vendit, bashkëfshatarët e tij, familja e tij! Sepse ka bërë krim kundër atij që e ka rritur në prehër, si një foshnje të llastuar!
Për dallim prej këtij skuthi, H. Sulejman ef. Rexhepi ka qenë gjallë i interesuar që të ndriçohen personalitetet e kaluara të jetës fetare, sidomos udhëheqësit e BFI-së. Ai, për shembull, ka kërkuar me ngulmë që të sigurohen sa më shumë dokumenta nga Arkivi shtetëror i Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë që flasin mbi veprimtarinë patriotike dhe fetare të ish-udhëheqësit të BFI-së, Hfz. Bedri ef. Hamidi, të ndriçohet personaliteti i tij dhe të botohet libër! Po kaq krenar ka qenë edhe kur e kishte bashkpunëtorë të ngushtë ish-reisin H. Jakup ef. Selimovskin, ndonëse në situata të caktuara ishin “armiq” të përbetuar! Shaqir Fetai nuk guxon që ta kujtojë të kaluarën, jo më thellë se deri më 27 maj të vitit 2020, sepse, tmerrohet, sepse harron të marrë frymë nga fakti se është ngarkuar me mision për ta zhbërë tërë atë histori të lavdishme komëtare e fetare të BFI-së për tri dekadat e pavarësimit të saj.
Krejt në fund, Shaqir Fetai po paralajmëron nëpër intervista të kurdisura në mediat që i sponsoron se, sivjet, paska vendosur që të prezantojë në të gjitha xhamitë e të mbajë ligjerata mbi familjen e myslimanëve të Maqedonisë së Veriut, sepse paska konstatuar se, familja myslimane, respektivisht, familja shqiptare qenka fuqishëm në tatëpjetën e degjenerimit! Kush e ka porositur dhe kush e paguan Shaqir Fetain që të dalë me konstatime të tilla?! Familjet shqiptare sot në Maqedoninë e Veriut me “pesë” Medrese, me FSHI, me mbi 800 xhami, me mbi 1000-2000 “hoxhollarë” (kështu tallet Shaqir Fetai me termin “hoxhallarë”), me tri-katër universitete shqiptare, me një numër të madh intelektualësh dhe, megjithatë, sipas Shaqir Fetait, familja shqiptare qenka në degjenerim e sipër!
Po çka do t’ju thotë Shaqir Fetai atyre familjeve që i shkatërroi, që i theu në shpirtë! Që i la pa bukën e gojës duke sajuar “argumenta” në mënyrë policeske! Janë të shumtë, si në periudhën kur funksiononte si “ORAO”, si kur ishte këlysh i Temellko Boshkovskit, por edhe si “myfti” e “reis”!
Sa i përket vakëfit, nuk ka se çfarë të pallamudë duke na ofruar definicone mbi vakëfin, të na thotë se si qenka vlerë islame që nuk guxon të tjetërsohet e të shkatërrohet! Ndërsa nuk e thotë se vakëfin në mënyrë islamike e ka definuar edhe Kushtetuta e BFI-së! Nuk e pranon këtë akt normativ, sepse vetë është jashtëkushtetutar! Mos të na flasë për vakëfin e kthyer si pronë por, le të na thotë se çfarë i bëri vakëfit të kthyer si vlerë monetare! Ku i çoi ato para, a mos bleu vakëf tjetër apo i kullufiti në gushë, siç po i kullufitë edhe fitrin dhe zeqatin të cilin e kërkon si financim ekskluzivisht të Medreseve. Rrenë! Sepse, nuk besojmë që pushteti i jep rrogat e nëpunësve të BFI-së nga buxheti shtetëror, porse kjo jepet nga buxheti i krijuar prej fitrit, zeqatit dhe kontributeve të ndryshme të myslimanëve të vendit. Shaqir Fetai herdokur publikisht, para opinionit të gjërë, do t’i tregojë të gjitha hajnitë, vjedhjet dhe zhvatjet që ia ka bërë vakëfit! Sepse te ky narrativ kanë ardhur të gjithë ata që kanë lejuar të joshen nga ofertat tunduese të djallit. Pse a mos i tha ndonjë MELAQE Shaqir Fetait që të tradhëtojë, të komplotojë, të gënjejë, të shkelë mbi parimet islame, ta shkatërrojë Bashkësinë Fetare Islame vetëm e vetëm që b… e tij ta shijojë kolltukun e të parit të BFI-së. Karriera e sëmurë nuk është asgjë tjetër përveçse tundim djalli!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Masat antikovid të Shaqir Fetait

Instalacioni politiko-partiak në krye të BFI-së, Shaqir Fetai, ka një porosi për…

Shaqir Fetait i shkuan veshët zhag për toke

Shaqir Fetai, sakaq, me përmirësimin e gabimit trashanik, duke e korrigjuar sintagmën…

Kurti në takimin për Vettingun: Na duhen prokurorë e gjyqtarë efikas dhe energjikë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se njëra ndër shtyllat e…

Te i Madhi Zot arrinë vetëm përkushtimi i të devotshmit

Mesazh për Kurban Bajramin, 2021 Me të vërtetë, Ne të kemi dhënë…

Qenan Ismaili ia bart kompetencat e myftiut ministrit Oliver Spasovski

Ish-reisul ulema i BFI-së H. Suejman ef. Rexhepi patjetër të ketë ditur…