Midis nesh

A e njohin sot kasta politike Adem Kastratin? A e di gjenerata e re se kush ka qenë Adem Kastrati? Ç’bëri ai në jetën e vet që të jetë aq i rëndësishëm, aq i madh dhe aq i domosdoshëm që të njihet sot!
Adem Kastrati është pa dyshim piktori më unikat në botë, i papërsëritshëm në stilin e vet, në origjinalitetin e teknikës për të folur me gjuhën e ngjyrave të dheut, në kompozicionet e pikturave të veta naive, me tonalitete ngjyrash që ia ofron dheu i vendlindjes, me formën e protestës të ngjeshur në tema përplot me frymë dhe motive kombëtare.
Adem Kastrati është ndër piktorët që i përkasin brezit të pas Luftës së Dytë Botërorë. Ishte profesor i dashur, pedagog i respektuar jo vetëm brenda, por edhe në botë. Dashamirët e Adem Kastratit nuk kanë reshtur së mbajturi gjallë këtë artist të madh shqiptar. I kanë organizuar sërë ekspozitash post-hume! Pikturat e tij janë endur poshtë-lartë, nëpër disa vise etnike. Por, kush përkujdeset për këto vepra të Adem Kastratit? Ku ruhen ato, në çfarë kushtesh? Adem Kastrati thoshte se teknika parapërgatitore që përdoret mbi pëlhurë para se aty të derdhen ngjyrat prej dheu, të ekspozuara në kushte çfarë i kemi, garanton një kompaktësi të dheut të paktën për nja njëqind vite! Vetëm kaq kohë na duhen pikturat e tij? A janë trashëgimi kulturore familjare apo ato duhet të jenë nën mbrojtjen e institucioneve për trashëgimi kulturore. A kanë blerë galeritë nacionale të shteteve tona ndonjë pikturë, të cilat do të ruheshin nën kushtet e nevojshme dhe që do t’i nënshtroheshin kurimit, dezinfektimit, shërimit dhe shpëtimit eventual nga bakteret e materialit të cilat mund të ngjallen nën kushtet e lagështisë, të territ, të dritës, të pluhurit etj. Pse nuk iniciohet krijimi i një galerie-muze të veçantë ku do të ruheshin veprat unikale botërore të Adem Kastratit! Pse atelieja e tij ku ka krijuar po dhe shtëpia e tij nuk shpallen institucion nacional, “Shtëpia Muze e Adem Kastratit”! Adem Kastrati, siç e di bota e artit pamor shqiptar dhe më gjerë, ka pikturuar duke përdorur dheun me nuanca të ndryshme të ngjyrave, të cilën e gjente vetëm në vendlindjen e vet, në Karaçevë të Dardanës së Kosovës! Dhe, është i vetmi në botë që ka përdorur këtë teknikë pikturimi me ngjyra të dheut! Kjo teknikë pikturimi pa dyshim që kërkon, mbi të gjitha, kujdes shtetëror, ekspertizë profesionale nga ekspertë përkatës të vendit e të huaj, të cilët do ta thoshin fjalën e tyre shkencore mbi mënyrën dhe domosdoshmërinë e mbrojtjes dhe ruajtjes së këtyre veprave me vlera universale.
Le të shërbejë kjo brengë edhe si inspirim për organet gjegjëse shtetërore që të ndërgjegjësohen dhe krijuesve të dëshmuar të artit figurativ t’u ofrojnë studio, të cila, pas vdekjes së artistëve, do të merrnin statusin e monumenteve kulturore, kurse veprat e tyre pasuri shoqërore nga sfera e kulturës nën përkujdesjen e organeve përkatëse shtetërore. Le të ngriheshin në institucione nacionale – galeri që do të mbanin emrat e artistëve e ku do të ngelnin të ekspozuara të gjitha veprat, veglat e punës dhe mjetet personale të artistëve.
Keqtrajtimi i personalitetit, sjellja nonshalate ndaj artistit dhe veprave të Adem Kastratit, le të jetë një zgjim, një ndërgjegjësim dhe një qasje e re institucionale e organeve shtetërore, e shoqërisë përgjithësisht, kundrejt artistëve të popullit! Këtë status e meritojnë edhe familjarët, pasardhësit e artistëve të cilët janë “tretur” për të mirën e përgjithshme. Artistët, ndonëse i kanë familjet e veta, me kryeveprat e tyre botërore, sigurojnë statusin e anëtarit të familjes universale. Çdo shoqëri e civilizuar shpreh përkujdesje të veçantë ndaj artistëve të vet, të gjallë apo të vdekur dhe, me këtë, dëshmojnë lashtësinë kulturore dhe seriozitetin e koduar nëpër korniza ligjore që flasin për shoqëri e shtete me taban të padiskutueshëm. Artistët janë pasqyra e shtetit, veprat e tyre janë shpirti i shoqërisë. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Së shpejti del nga botimi “Tradhëtia dhe komploti i Shaqir Fetait në kohë pandemie”

Këto ditë, respektivisht, me rastin e njëvjetorit të uzurpimit politiko-partiak të Bashkësisë…

Hajredini: Grubi po i përsërit premtimet e rrejshme të Musa Xhaferit të vjetra më shumë se 10 vite

Albert Hajredini / Vendosja e një figure antipatike për elektoratin shqiptar në…