Kryeministri Albin Kurti ka komentuar sot marrëveshjen e Washingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kohën kur në SHBA ishte administrata e presidentit Donald Trump.

Kurti gjatë diskutimit në Vjenë “Kosova: Një rreze shprese për demokraci në Evropën Juglindore?”, ka thënë se marrëveshja e Uashingtonit “më shumë ishte tentim për marrëveshje të shpejtë sesa ndihmë për ecjen përpara të Kosovës dhe Serbisë”.

“Sa i përket marrëveshjes së shtatorit në Washington, ka aq shumë elemente në atë marrëveshje, nuk po them se secili element në këtë marrëveshje nuk është i mirë, siç është njohja reciproke me Izraelin siç ishte pika e fundit dhe është implementuar dhe është pozitive. Por prapë më duhet të them se ky lloj zotimi unilateral në mes të Kosovës dhe Serbisë vitin e kaluar ishte shumë më shumë lëvizje taktike e administratës paraprake para zgjedhjeve në SHBA dhe ka pasur synim që të ndërtojë diçka të qëndrueshme për të shtruar të ardhmen e sigurt. Unë e shoh këtë më shumë si një tentim për një marrëveshje të shpejtë që do ta mbante imazhin ndërkombëtar dhe politikat vendase të ish-presidentit sesa në të vërtetë të ndihmojë Kosovën dhe Serbinë të ecin përpara”, tha Kurti.

Ai gjithashtu ka komentuar marrëdhëniet Kosovë-SHBA, duke thënë se “situata tani është shumë ndryshe, për më mirë natyrisht”.

“Presidenti Biden është ndër liderët më progresiv në botë. Nëse e shohim programin e tij, është socio-demokratik për çka kemi nevoje të gjithë jo vetëm SHBA, por të gjitha vendet. Unë kisha mundësinë që në pallatin Elize në darkën që thirrur nga presidenti (Emmanuel) Macron të takohem me Kamala Harris, zëvendpresidente e SHBA. Kishte një fjalim të jashtëzakonshëm në këtë forum”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u nënshkrua më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump.

Dy versione të dokumenteve për palën e Kosovës dhe atë të Serbisë, i kanë nënshkruar kryeministri i atëhershëm i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Zyrtarët amerikanë e vlerësuan marrëveshjen e Uashingtonit si një fillim të ri për Ballkanin Perëndimor.

Në kuadër të zotimeve të nënshkruara më 4 shtator në Washington, Kosova u pajtua që të respektojë një moratorium njëvjeçar, përmes së cilit, nuk do të aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Në 12 muajt e fundit, Kosova nuk ka aplikuar për anëtarësim në asnjë organizata ndërkombëtare.

Marrëveshja obligoi edhe Serbinë, që të pezullojë iniciativën e saj për t’i bindur shtetet e ndryshme të botës që të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në marrëveshjen për normalizim ekonomik, nga Kosova dhe Serbia, dy vendet janë zotuar se do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetin e komunikimit.

Kosova më 23 tetor 2020, ka nënshkruar në Shkup memorandum bashkëpunimi me SHBA për “Rrjetin e pastër” të gjeneratës së pestë të komunikimeve, 5G.

Në dokumentet e nënshkruara nga Kosova dhe Serbia, të dyja palët janë pajtuar që të punojnë me Departamentin Amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë/KP

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

“Mosparaqitja e Ahmetit dhe Grubit si dëshmitarë, vulosi dënimet e përjetshme për herë të dytë”

Gjykata e Apelit në Shkup sot ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore…

Bugajski: Nëse rishikohen territoret në Kosovë, shqiptarët e Maqedonisë mund të kërkojnë bashkim me Shqipërinë

Ndërsa pandemia e koronavirusit shqetëson Uashingtonin, administrata e Trump pa dashje po…

Kurti i publikon me emra e foto: Vrasja e Aganit u urdhërua nga këta dy persona

Faton Kurti, kryetar i Republikanëve të Kosovës, ka thënë se vrasja e…

Hallaçi: Kërkoj zbardhjen e rastit të Kumanovës

Ju bejë Apel te gjithë Shqiptarve mbarë kombëtarë për hirë se vertetës…

Avokatja e Grupit të Kumanovës: Qeveria e Albin Kurtit do t’i lirojë djemtë tanë!

Kërkesa për hetim ndërkombëtar të rastit të Lagjes së Trimave të Kumanovës…