Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbërritur në Presidencë, i shoqëruar nga një delegacion.
Ai është pritur në hyrje nga presidenti Bajram Begaj, ku parashikohet të kalojë rreth 30 minuta me kreun e shtetit për të shkuar më pas në kryesinë e Kuvendit, ku do të takohet me Lindita Nikollën.
Pas drekës me Ramën, Kurti do të ketë një takim edhe me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Marrëveshja e Ohrit Kosovë- Serbi, e cila mori formë por pa nënshkrime, pas 10 orësh bisedime, do të jetë në qendër të takimit Rama – Kurti.
Në Ohër, palët u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të pranuar parimisht gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt. Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave.
SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman. Një takim zyrtar I Kurtit pritet të zhvillohet në orët e para të ditës edhe në kryesinë e Kuvendit me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.