Midis nesh

Ekonomia kulturore sot parqet një prej degëve nacionale më fitimprurëse. Investime të shumta shkojnë për kulturë, në zhvillimin e zejeve kulturore, të artizanatit, në lulëzimin e kreativitetit kulturor, sepse ky trend, pa dyshim që po gjeneron vende të reja të punës, por edhe po i fuqizon sidomos shtresat më vulnerabil, siç janë gratë e zonave rurale, të rinjtë, talentet që assesi nuk munden dhe nuk ndihmohen të vijnë në shprehje.
Projektet kapitale kulturore natyrisht që kërkojnë një përfshirje më të gjerë të qytetarëve, gjenerojnë vende të reja pune, hapin perspektiva për një jetë më të mirë. Projektet lokale për të përkrahur dhe ndihmuar financiarisht, prej lëndës së parë e deri te nxjerrja në treg të prodhimeve kulturore, do të ndikonte në një angazhim zinxhiror të profileve të ndryshëm.
Një strategji e këtillë, e përfshirë në programe politike, në segmentin e politikave kulturore nacionale, do të ndihmonte që pushtetet lokale të nxisnin interesimin për ngjalljen e artizanateve, të themelimit të shoqatave të ndryshme kulturore, të rrjetëzimit të tyre dhe krejt kjo në funksion të përmirësimit të statusit social, kulturor etj.
Përcaktimi i shteteve të ndryshme perëndimore për ta zhvilluar industrinë kulturore, ka rezultuar me përfitime prej miliarda dollarësh. E ka ngjallur kulturën e vetëpunësimit dhe me këtë ka dalë në sipërfaqe tërë ai bagazh i vlerave etnologjike, tërë ajo botë e kulturës kreative etnike.
Le të ndalemi te shqiptarët e Shkupit? Cili është angazhimi i tyre në rrafshin kulturor? Sa shqiptarë të këtij metropoli i kemi të angazhuar në kulturë, qoftë si profesionistë apo si amatorë! Jo më shumë se nja 200-300, prej të cilëve 80 për qind janë mbi baza vullnetare! Kryesisht janë të angazhuar nëpër asociacione amatore folklorike. Nëpër institucione kulturore nuk janë më tepër se 20 për qind, por ka institucione të cilat akoma mbahen si “kështjella nacionale të papushtuara” prej shqiptarëve. Nëpër biblioteka nacionale apo edhe lokale nuk janë të përfshirë as një për qind! Në opera, në balet, në filarmoni, në teatro nacionale maqedonase, po ashtu, nuk e kalojnë përfshirjen në masë prej një për qind. Kjo duhet të nxisë angazhimet këmbëngulëse për themelimin e institucioneve etnike kulturore të domosdoshme!
Politikat e vetëpunësimit në sferën kulturore janë “ekuacione me shumë të panjohura” për shqiptarët e vendit! Qepja e kostumeve tradicionale folklorike, ndreqja e instrumenteve popullorë, poçaria, zeja e telishit (filigranizmi) etj. janë disa prej zanateve të cilët do ta ngjallnin jetën e çdo komune apo zone rurale.
E kanë më të lehtë angazhimin partiak për ta pushtuar “Higjienën Komunale”! Partitë politike shqiptare në Shkup synim kombëtar e kanë bërë marrjen e kësaj ndërmarrje, sepse vetëm aty dinë t’i rehatojnë çetat e militantëve partiakë! Ndërmarrja më e madhe në vend ku ka më shumë shqiptarë të punësuar është “Higjiena komunale”! Partitë politike janë shumë të lumtura që po ua bëjnë shqiptarëve “kulturë” fshesën! Flitet se në këtë ndërmarrje të Qytetit janë të angazhuar mbi 1300 shqiptarë, prej të cilëve, mbi 500 shqiptarë me nivel arsimor të ndryshëm, mbahen me kontratë në vepër, sepse kjo u sjell përfitime të majme “agjencive për punësim” që i menaxhojnë partitë e pushtetit, si dhe vota të sigurta nga “ëndërrimtarët” e vendimeve të punës! Pra, shqiptarët angazhohen në “plehra” që të përfitojnë partitë, ndërsa angazhimi i partive në sfera të ndryshme kulturore, do të thoshte përfshirje më e theksuar e intelektualëve nëpër parti! Natyrisht, kjo u pengon partive tona!
Institucionet aktuale kulturore kanë nevojë të madhe për punësime të personave me shkollim jo të lartë, siç do të punësonin edhe institucionet që do të duhej të ishin synime kombëtare (prej nga nuk ka zmbrapsje) për çdo parti politike! Shqiptarët e Shkupit e meritojnë një jetë më të dinjitetshme, dhe jo një jetë me të vetmen ëndërr jetësore: si të punësohemi në “Higjienën Komunale”!
/HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Vrullshëm

Ylltare Ferati VRULLSHËM Vrullshëm jeta qëndis honet e sajMë rrëmben hovshëm nga…

Nga Marrëveshja e Prizrenit deri te ajo e Ohrit

Shkruan Jusuf Buxhovi / Ose gjeneza e një lufte të sukseshme të…

Kultura e partive dhe kultura kombëtare

Midis nesh Partitë janë struktura organizative politike që synojnë pushtetin. Pushteti pa…

Letër nga Prishtina / PËRTEJ MULTI-KULTIT

Nuk pati Evopë të sigurt derisa populli gjerman nuk u denazifikua plotësisht!…