Letër nga Shkupi

Në vendin tonë (RMV) janë publikuar dhjetëra shkrime gazetareske prej autorëve shqiptarë të këtushëm, të cilët kanë trajtuar “probleme kulturore” shqiptare. Në fakt, shumica dërmuese e shkrimeve janë marrë me funksionarët-menaxhuesit e kulturës (!) dhe jo me kulturën; askush nuk merret me aktivitete kulturore shqiptare, sepse ato mungojnë, por merren me funksionarët, të cilët postin e vet e trajtojnë dhe e shesin si “sukses kulturor”! Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë “përparuar” mjaft shumë në kulturë, sepse tashmë kanë zëvendës ministër të Kulturës, kanë sekretar shtetëror të kulturës, kanë zëvendës udhëheqës në sektorin e muzikës etj! Kjo është logjika e “elitistëve” të dështuar partiakë!
Funksionarët shqiptarë në Ministri të Kulturës nuk marrin as më të voglin mund për të kuptuar se aty nuk janë për ta drejtuar administratën kulturore, por janë për të zhvilluar politika kulturore kombëtare, janë aty për ta zhvilluar dhe avancuar kulturën shqiptare! Funksionarët shqiptarë nuk duhet të mendojnë se janë aty si shpërblim partiak për angazhimin e palodhshëm që e japin në terrenin partiak, porse janë në pozicione prej nga duhet të angazhohen ekskluzivisht për kulturën shqiptare.
Funksionarët shqiptarë duhet të detektojnë probleme kulturore, duhet të motivojnë reagime e debate dhe madje t’u prijnë atyre, sepse vetëm kësisoj do të sensibilizohen faktorë të ndryshëm për nevojat kulturore të shqiptarëve. Aktiviteti i tyre në shpalosjen e problemeve kulturore do ta ndihmonte komunitetin kulturor, do ta ndihmojë partinë dhe në fund, edhe qeverinë! Do të nënvizohen prioritetet kulturore kombëtare, ndërsa kjo do të ndihmojë në hartimin e programeve si dhe të strategjive nacionale më gjithëpërfshirëse.
Lëvizjet kulturore, qoftë si protestë apo “reagim estetik”, në ballë të të cilave duhet të qëndrojnë funksionarët shqiptarë të dikasterit të kulturës, nuk duhet të frikësojnë askënd se ato janë nacionaliste dhe kundër kulturave të tjera, por, thjesht, duhet të shprehin nevojat jetike të shqiptarëve të këtushëm për aktivitete institucionale kulturore. Pra, të shtohet dhe të përforcohet ai diversitet kulturor për të cilën angazhohet tërë Evropa dhe më gjerë! Vetëm ata që janë brenda administratës kulturore e dinë se ku jemi dhe çfarë na duhet në rrafshin kulturor që të jemi një degë balancuese e trungut të diversitetit kulturor në RMV! Natyrisht, problemet kulturore nuk mund të detektohen nga militantët partiakë, qofshin këta edhe në pozita më të larta të Ministrisë për Kulturë! Synimi partiak nuk duhet të jetë kujdestaria e funksionarëve tanë në realizimin e “planit 25 për qind” përmes kapjes së projekteve gjatë hartimit të programit vjetor për kulturë. Strategji kombëtare duhet të jetë tejkalimi i 25 për qindëshit në themelimin e institucioneve kombëtare kulturore si dhe në ndërtimin e infrastrukturës adekuate për kulturë në çdo komunë e vendbanim më të madh shqiptar në RMV. A mund të jetë Hamami i Tetovës infrastrukturë ideale për Institucionin nacional “Galeria e Arteve”-Tetovë?! Këto ditë, një rrebesh shiu në Tetovë, “e fundosi” Hamamin-Galerinë! Aty kanë mundur të jenë kryeveprat shqiptare! U përmbyt hapësira dhe asnjërit në shtet ky fakt nuk i bëri përshtypje, madje as komunitetit të artistëve shqiptarë të artit pamor!
Prandaj në Maqedoninë e Veriut shqiptarët nuk flasin për kulturën, por vetëm për ata që “e menaxhojnë” kulturën shqiptare, për ata që kulturën e llogarisin si bregore të Panteonit “të elitave” të dështuara partiake”! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Letër nga Shkupi / MANIPULIMET PARTIAKE DHE LAVDËRIMET BOSHE

Ministria e Kulturës është një prej dikastereve më të ndjeshme ku për…

Absurdet shqiptare

Politika agresive serbe: “aty ku ka kishë, aty është tokë serbe”, ka…

Biografi për të famshmin Ali Pashë Tepelena

Nga Aurenc Bebja/ “La Quotidienne” ka botuar, të shtunën e 29 nëntorit…