Bjellorusia ndërton kampe dhe ndihmon refugjatët
Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Mariusz Blaszczak, akuzoi Bjellorusin se ka ndryshuar taktikat e nxitjes së krizës me refugjatët duke dërguar grupe më të vogla prej dhjetëra njerëzish në disa pika kufitare. Refugjatët kanë provuar që në mënyrë të jashtëligjshme të kalojnë kufirin polak dhe të hyjnë në territorin e Bashkimit Evropian. “Ne duhet të përgatitemi për faktin se ky problem do të vazhdojë për muaj të tërë. Nuk kam dyshim se do të jetë kështu”, tha ministri polak i Mbrojtjes. Perëndimi akuzon Bjellorusinë se ka krijuar artificialisht krizën duke dërguar në kufi me Bashkimin Evropian refugjatë kryesisht nga Lindja e Mesme.
Refugjatët kryesisht kurdë irakianë, kanë braktisur gjithçka në vendet e tyre, duke shpenzuar mijëra dollarë për të fluturuar në Bjellorusi me viza turistike, në mënyrë që më pas të kalojnë në Bashkimin Evropian. Rojet kufitare bjelloruse kanë transferuar më shumë se 1.000 refugjatë që kanë pranuar që të largohen nga kufiri mbi baza vullnetare nga kampi i improvizuar drejt një qendre logjistike. 800 njerëz të tjerë ende e kaluan natën jashtë në temperatura nën zero në tenda ose pranë zjarreve.
Ndërkohë, më shumë se 400 irakianë u kthyen në shtëpi në fluturimit të parë të riatdhesimit që nga fillimi i krizës.