Nga Jehona Hulaj

Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, ka pasur edhe “lulëzim” të lajmeve të rreme apo dezinformatave në masë më të madhe. Ekspertët kanë treguar se burimi i tyre është në Rusi dhe se e gjithë kjo o ndodhë me qëllim ekonomik dhe politikë.

E këtij “trendi” nuk i ka shpëtuar as Kosova. Në një raport të realizuar së fundmi nga KIPRED u tha se mediat ruse në më pak se tre muaj publikuan 500 lajme që kishin të bënin me Kosovën, ku çdo i pesti lajm i publikuar kishte përmbajte me dezinformata.

Po ashtu, raporti thotë se përqendrimi kryesor i përmbajtjeve të lajmeve të botuara nga mediet ruse ka pasur të bëjë me rrënimin e themeleve të legalitetit të shtetësisë dhe të sovranitetit të Kosovës, ndryshimin e narrativave të luftës dhe të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi, rrënimi i themeleve të kredibilitetit të angazhimit Perëndimor në shtetndërtimin e Kosovës dhe në dialogun Prishtinë – Beograd dhe paraqitja e komunitetit serb dhe e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë si të shtypura dhe të kërcënuara.

Raporti i KIPRED- “Observeri i Kosovës – Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformimi Medial, 1 nëntor 2021 – 15 janar 2022”

Eksperët e mediave kanë thënë për Telegrafin se ndikimi i lajmeve të rreme apo dezinformatave në Kosovë po ndodh për shkak të mungesës së edukimit medial.

Pedagogu i shkencave të komunikimit në Universitetin e Prishtinës, Dren Gërguri ka thënë se mungesa e edukimit medial krijon terren të përshtatshëm për shpërndarjen e dezinfomratave.
“Sikurse shtetet tjera, edhe shoqëria kosovare ndikohet nga dezinformimi. Besoj se mungesa e edukimit medial në shoqëri krijon terren të përshtatshëm për ata që duan të shpërndajnë dezinformata dhe të ndikojnë në bindjet e njerëzve”, u shpreh Gërguri për Telegrafin.

Pedagogu i shkencave të komunikimit në Universitetin e Prishtinës, Dren Gërguri

Gërguri theksoi se Kosova nuk është burim i prodhimit të këtyre lajmeve, përkundrazi ai shprehet se dezinformatat mbërrijnë në Kosovë përmes Serbisë dhe Rusisë.

“Mendoj se te ne mbërrijnë dezinformatat që burimin e kanë në shtetin serb apo edhe rus. Besoj se ato dezinformata duhet të demaskohen nga gazetarët dhe qytetarëve të Kosovës t’iu dekonstruktohet një propagandë apo dezinformatë serbo-ruse. Në këtë dekonstruktim, gazetarëve mund t’u dalin në ndihmë edhe kontrolluesit e fakteve”, tha Gërguri.

Ligjëruesi dhe Hulumtuesi Shkencor në Universitetin e Agder të Norvegjisë, Abit Hoxha poashtu ka theksuar se mungesa e edukimit medial e bënë Kosovën vend të ekspozuar ndaj dezinformatave.

“Publiku kosovar ndikohet nga lajmet e rreme. Duke pasur parasysh se publiku kosovar ka pak edukim medial dhe ka shumë ekspozim ndaj lajmeve të fabrikuara për qëllime dezinformimi, ky ndikim amplifikohet. Unë nuk mund të them me saktësi numerike sa ndikohet por kuptimi i lajmeve në Kosovë është i ulët- publiku nuk kupton burimin e informacionit dhe punën e gazetarit”, është shprehur Hoxha për Telegrafin.

Ligjëruesi dhe Hulumtuesi Shkencor në Universitetin e Agder të Norvegjisë, Abit Hoxha

Për dallim nga pedagogu i shkencave të komunikimit, Dren Gërguri i cili shprehet se Kosova nuk është vend i prodhimit të dezinformatave, profesori Abit Hoxha pohon të kundërtën. Ai thekson se Kosova është vatër e prodhimit të këtyre lajmeve por jo në nivel ndërkombëtar.

“Kosova është vatër e prodhimit të lajmeve të rreme por jo të nivelit ndërkombëtar. Pra, në Kosovë lajmet e rreme janë ekskluzivisht pjesë e luftës së brendshme politike ndërsa ekspozimi ndaj lajmeve të rreme nga Rusia ose ngjashëm vjen për shkak të interesave strategjike. Këto lajme vijnë shumicën e rasteve nga Serbia dhe Shqipëria”, tha Hoxha.

Të pyetur se çfarë duhet ndërmarrë për të parandaluar rrjedhjen e këtyre dezinformatave të dy kanë thënë se çelësi i kësaj është edukimi medial.

“Thelbi qëndron te shtrirja e edukimit medial në shoqëri dhe vetëdijësimi që qytetarët ta kuptojnë se duhet të mbajnë gjykim kritik ndaj çfarëdo përmbajtje mediale që u ekspozohen. Qytetarët duhet së paku t’ia bëjnë tre pyetje vetes para se të besojnë një lajm/informacion. Pyetja e parë është kush është autori dhe a është i besueshëm? Pas çdo informacioni të publikuar qëndron një autor dhe është shumë e rëndësishme të kuptohet se kush është ai dhe a ka besueshmëri në shoqëri. Për shkak të relevancës së lajmit, informacionet e rëndësishme gjithmonë i gjeni në më shumë se sa një media, prandaj është e rëndësishme të kërkohet i njëjti lajm edhe në një media tjetër. Kjo është pyetja e dytë. Me këtë pyetje, duke lexuar informacionin e njëjtë te burime të ndryshme, kemi edhe një horizont më të gjerë të informacioneve që marrim, si dhe kontekst më të kompletuar. E treta pyetje që duhet t’ia bëjmë vetes është për burimet mbështetëse mbi të cilat ndërtohet informacioni. A janë burime zyrtare? Kush janë burimet? A ofron informacioni edhe fotografi, video apo ndonjë fakt tjetër nga konteksti i lajmit. Besoj se këto tri pyetje e ndihmojnë secilin të analizojë një lajm, para se ta besojë”, tha Gërguri.

Kujtojmë se javëve të fundit Kosova ka qenë cak i dezinformatave të koordinuara mes Serbisë dhe Rusisë, për gjoja pajisjen e Kosovës me raketa anti-takne nga Britania e Madhe.

Ishte pikërisht deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me këtë temë ku pastaj lajmi u përhapë me të madhe.

Lidhur me këtë kishte reaguar edhe drejtori i institutit KIPRED, Lulzim Peci i cili tha se ka më shumë se tetë muaj që sulme në Kosovë ishin të përqendruara në veçanti në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, në Kryesuesin e Misionit të OSBE-së në Kosovë – Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar Michael Davenport dhe në inteligjencën britanike.

Për përhapjen e dezinformatave apo lajmeve të rreme në Kosovë, një raport e ka publikuar edhe National Democrtaic Institute (NDI). Gjetjet kryesore të këtij raporti tregojnë se dezinformimi dhe gjuha nxitëse paraqesin kërcënim për mjedisin medial të Kosovës.

Raporti: “Sfidat e integritetit të informacionit: Një kërcënim në rritje për demokracinë e Kosovës” nga NDI

Zëvendësdrejtori i NDI, Valon Kurhasani në një intervistë të dhënë për Telegrafin në shkurt të këtij viti tha se Kosova është në udhëkryqin e dezinformatave Rusi-Serbi-Kinë që plasohen në Shqipëri.

Kurhasani kishte theksuar se njerëzit nuk janë imun ndaj dezinformatave dhe kjo është mungesë e edukimit medial. Ai ka theksuar se për të pasur një treg më të mirë publik të informacionit duhet që secili akterë të luaj rolin e tij. /Telegrafi

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Mbaron afati për arritjen e marrëveshjes rreth klimës: Vendet e pasura nuk janë të gatshme të sakrifikojnë

Negociatorët në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP26) në…

Buçitjet nga motoçikleta u dukën si gjuajtje armësh, paniku në Nju-Jork

Ngjarjet e fundit në ShBA kanë shkaktuar panik te qytetarët amerikanë. Kjo…

Kryemyftiu i Arabisë Saudite: Namazet e teravisë dhe bajramit do të falen në shtëpi

Kryemyftiu i Arabisë Saudite, Abdulaziz Al ash-Sheikh, njoftoi se namazet e teravisë…

“Monstra”, palët do të japin fjalët përfunduese

Në Gjykatën themelore penale në Shkup sot duhet të vazhdojë gjykimi për…

Të shtëna me armë zjarri para selisë së një partie, thirret në polici banori nga Gostivari

Mbrëmë rreth orës 21:30 në Stacionin policor të Gostivarit, është thirrur personi…