Krerët e shtetit firmosin për statusin e vendit kandidat
Ditë historike e kanë quajtur krerët e shtetit të Kosovës, nënshkrimin për aplikimin e Kosovës për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Presidentja vlerëson se me këtë veprim Kosova po shkon një hap më afër drejt Bashkimit Evropian.
“14 Dhjetori ka një rëndësi të dyfishtë për historinë e Kosovës. Në njërën anë po aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në anën tjetër po shënojmë përvjetorin e themelimit të ushtrisë sonë. Dy akte që shkojnë në drejtim të realizimit të vizionit tonë, integrimit euro-atlantik”, tha ajo.
Aplikimi do t’i dorëzohet presidencës çeke të Këshillit të BE-së në Pragë.
“Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Prandaj angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm dhe përkushtimi i secilit, i domosdoshëm“, u shpreh Kurti.
“Bashkimi Europian është me të vërtetë i plotë vetëm kur të gjitha kombet evropiane janë pjesë e këtij bashkimi”, tha kryetari i parlamentit, Glauk Konjufca.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç i cili përmes një video mesazhi ka thënë se “ka kërkuar nga Perëndimi që t’i tregojë se cilin nga pesë apo gjashtë dokumentet e rëndësishme duan të respektojnë”.
Ai ka përmendur marrëveshjet e Brukselit e të Uashingtonit atë të Komanovës, Selanikut dhe Rezolutën 1244.