Midis nesh

A do të kishte korrupsioni sikur politikanët dhe shtetet tona ta kishin ngritur në kult kulturën, siç e kanë ngritur “lirinë e korrupsionit”?! Sikur tërë ai buxhet “antikorrupsion” të shkonte për kulturë, ku do të ishim sot si shoqëri?

Korrupsioni është matrapiku më fatal i themeleve të shtetit! Kultura është oda monumentale, ku në ballë të oxhakut rri këmbëkryq e i lumtur vetë shteti! Tash e tridhjetë vite shoqëria shqiptare, gjithandej ku jeton në shumicë, bombardohet me deklaratat, me premtimet, me vendimet, me burgosjet, me amnestimet, me pllenimin dhe me gjykimin e korrupsionit. Reforma të përhershme në drejtësi për çrrënjosjen e korrupsionit! Janë derdhur qindra miliona dollarë për “luftimin e korrupsionit” dhe në çdo palë zgjedhjesh sërish dëgjohet zotimi dhe premtimi se do të luftohet korrupsioni!
A do të kishte korrupsioni sikur politikanët dhe shtetet tona ta kishin ngritur në kult kulturën, siç e kanë ngritur “lirinë e korrupsionit”?! Sikur tërë ai buxhet “antikorrupsion” të shkonte për kulturë, ku do të ishim sot si shoqëri? Korrupsioni zë fill që në momentin e shkeljes së parë të Kodit Etik! Kush mund t’i bëjë këto shkelje përveçse matrapazët dhe ata që pushtetin e konceptojnë si trampolinë që të hedh në pasurimin përrallor! A ka në kulturë korrupsion? Korrupsioni edhe mund të shfaqet në emër të kulturës, por në kulturë nuk mund të ketë korrupsion! Në mesin e njerëzve të kulturës, në mesin e kulturologëve si vlerë e pacenueshme shoqërore, nuk mund të ketë ëndrra të tjera, përveçse qëllime dhe synime të qarta për ta nderuar kombin, duke i nxjerrë në pah të gjitha vlerat kulturore të etnisë sonë.
A ka pasur korrupsion në kulturë? Pra, a kemi pasur individë të korruptuar e që, për fatin tyre të keq, kanë qenë në krye të institucioneve nacionale apo të aktiviteteve të ndryshme kulturore? Mbase edhe ka pasur, pa dyshim, por edhe këtu faji bie mbi pushtetarët tanë të korruptuar, të cilët nga çdo pore e jetës shoqërore, pra edhe nga kultura, mundohen të nxjerrin nga një govatë përfitimesh materiale! Komuniteti kulturor sa herë që i ka shërbyer komunitetit korruptiv, e ka degraduar kulturën nacionale dhe, për pasojë, ka përfunduar i njollosu, ku me faj e ku pafaj! Aty ku komuniteti kulturor ka qenë unik në zhvillimin dhe avancimin e jetës kulturore, aty pushtetet kanë hasur në arrore të pathyeshme.
Pushteti i korruptuar asnjëherë nuk ka mbajtur llogari për personalitetet kulturore që si militantë kanë pranuar të drejtojnë institucione nacionale kulturore. Sa herë që kanë pasur leverdi personale, i ka ndërruar dhe, nëse këta personalitete kulturore kanë qenë me dinjitet e integritet të lartë dhe kanë refuzuar që t’ua përmbushin interesat politiko-partiake pushtetarëve, atyre u janë lëshuar dy-tre “auitë” partiakë dhe, për shkak të “padëgjueshmërisë partiake”, mbi këta persona të dinjitetshëm, hidhet gurë e baltë, duke u thyer e përndjekur deri në çmendi!
Pra, korrupsioni dhe të korruptuarit vendosin edhe për fatin e kulturës sonë kombëtare, ndërkohë që kultura, vetëdija e larë kulturore, jeta e begatë kulturore, e nderon çdo shtet, çdo komb, çdo parti politike. Një shpirt i lindur, i rritur dhe i zhvilluar në frymë kulturore është pararojë e pathyeshme në ruajtjen e shtetit dhe të vlerave kombëtare! Shpirtit të korruptuar nuk i intereson as shteti dhe as kombi! Prandaj lufta e përhershme kundër tyre është luftë me mullinjtë e erës! Lufta për zhvillim dhe avancim kulturor është luftë kundër çdo të keqe në një shoqëri! Platformat, programet e partive tona nuk ofrojnë kurrfarë politikash të qarta kulturore kombëtare. Këtu edhe radhiten të gjitha disfatat “kombëtare” në luftë kundër korrupsionit! Vetëm kultura dhe personalitetet kulturore madhërojnë një popull, lavdërojnë një pushtet! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Mbi origjinën ilire të gjuhës shqipe

Kumtesa e mbajtur në vitin 1982 në Beograd nga dr. Idriz Ajeti,…

Shqiptari Fetah Efendiu sipas dokumenteve të UDB-ës jugosllave

Pas vdekjes së Ataullah Hoxhës (dhjetor të vitit 1946), për udhëheqës të…

Mohamed Salmawy: Një film për mbretin shqiptar të Egjiptit, Mohamed Ali

Më shumë se 3 shekuj më parë, një familje nga Zëmblaku i…

Biografi për të famshmin Ali Pashë Tepelena

Nga Aurenc Bebja/ “La Quotidienne” ka botuar, të shtunën e 29 nëntorit…

Përshkrimi i udhëtimit të udhëpërshkruesit të njohur gjerman: Johann Georg von Hahn gjatë vitit 1858, nëpër trevat shqiptare të Leskocit

Serbët e shkruajnë se Hahn, kishte shprehur shumë interesim për ti vizituar…