Katari dhe Turqia dënojnë inkursionin e Izraelit në Siri

Katari dhe Turqia dënuan inkursionin e Izraelit në territorin sirian pas rënies së qeverisë së Bashar al-Assad.

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Katarit tha se ishte “e papranueshme” që Izraeli po përpiqej të përfitonte nga situata në Siri, duke shtuar se izraelitët kishin shkelur sovranitetin e shtetit sirian.

Duke thënë se nuk duhet të ketë ndërhyrje të huaja në Siri, zëdhënësi shtoi se të gjitha kanalet e komunikimit me Katarin janë të hapura për të gjitha palët në Siri për dialog për të ardhmen dhe se rajoni po përjeton ditë historike.

Zëdhënësi deklaroi se ka një fije shprese për popullin sirian.

Reuters raporton se Ministria e Punëve të Jashtme turke gjithashtu dënoi ashpër pushtimin tokësor të Izraelit në territorin sirian, të cilin e nisi nga Lartësitë Golan, të cilat Izraeli i ka pushtuar që nga viti 1967.

Ushtria izraelite ka mohuar se trupat e saj kanë lëvizur brenda Sirisë përtej zonës tampon pranë Lartësive të Golanit.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Geir Pedersen tha se Izraeli po shkelte marrëveshjen e shkëputjes Izrael-Siri të vitit 1974. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *