Shtetet e Bashkuara të Amerikës e fituat Kupën e Botës në Kampionatin Botëror të femrave. Mirëpo, futbollistet e kësaj Kombëtareje nuk planifikojnë të shkojnë me trofeun e fituar në Shtëpinë e Bardhë te presidenti amerikan, Donald Trump.
Këtë e ka bërë të ditur kapitenia e Kombëtares Amerikane, Megan Rapinoe, mes së cilës dhe Donald Trump vazhdojnë polemikat.
34-vjeçarja ka thënë për mediat amerikane se nuk do ta pranonte asnjë ftesë eventuale nga Trump dhe se qëndrim të njëjtë kanë edhe shoqet e saj të skuadrës.
“Edhe vajzat e tjera, me të cilat kam biseduar nuk do të shkonin. Ekspozimi si trofe i skuadrës sonë do të ishte një mundësi për këtë administratë, nuk mendoj se ka kuptim për ne. Madje nuk arrij ta imagjinoj që një nga shoqet e skuadrës do të dojë të marrë një pozicion të tillë. Presidenti ka një përgjegjësi të madhe për t’u kujdesur për çdo njeri të veçantë të këtij vendi dhe duhet të bëjë më të mirën për të gjithë”, ka thënë Rapinoe.