Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe, tash e 9 vjet mbetet një nga temat më të përfolura në Kosovë. Kosova dhe Serbia kanë arritur më 2013 Marrëveshjen për Asociacionin në kuadër të dialgout të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Dy vjet më vonë, në vitin 2015, palët kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi parimet e themelimit të Asociacionit. 

Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se disa pika të marrëveshjes nuk ishin në harmoni me aktin më të lartë juridik, dhe tha se ato mund të harmonizohen me ake nënligjore të Qeverisë.

Krejt kjo pasi që marrëveshja e arritur fillimisht në vitin 2013, në kohën kur kryeministër ishte Hashim Thaçi, nuk është zbatuar asnjëherë.

Por, tani pas 9 vitesh çdo ditë e më shumë eksponentë të fuqishëm të politikës ndërkombëtare, po kërkojnë që Kosova ta zbatojë këtë marrëveshje.

Një nga ta është edhe përfaqësuesi BE-së për Politikë të Jashtëm dhe Siguri, Josep Borrell.

Një ditë më parë, ai ka deklaruar se Prishtina zyrtare duhet ta zbatojë këtë marrëveshje, që pas vitit 2013 ishte negociuar edhe në vitin 2015.

Në këtë kohë, kryeministër i Kosovës ishte Isa Mustafa, i cili në një përgjigje për RTV Dukagjini, ka thënë se përgjigja për moszbatimin e kësaj marrëveshje, nuk duhet të kërkohet në kohën kur ai ishte shef qeverie.

“Sa e lexova, shkruante se Borell (në mënyrë eksplicite) kërkon zbatimin e marrëveshjes së vitit 2013, të ratifikuar në Kuvend. Prandaj përgjigje mund të jap Kuvendi i asaj kohe ose qeveria e asaj kohe”, ka thënë Mustafa.

Pavarësisht se kush e hodhi firmën, sipas analistit politik Artan Muhaxhiri, Asociacioni duhet të themelohet.

Sipas tij, Kurti nuk mund të rezistojë edhe gjatë, ndaj duhet të gjejë formën e duhur ta implementojë këtë marrëveshje.

“Tema e Asociacionit është bërë një mur që po e ndan Qeverinë e Kosovës jo vetëm me BE-në, por edhe me aleatët tjerë, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për fat të keq, sepse ekzistojnë qëndrime diametralisht të kundërta. Por dihet sa herë ka presione të tilla të koordinuara shumë të mëdha ato tema edhe realizohen në një mënyrë ose tjetër, kështu që qeveria e Kosovës mos të këmbëngulë në injorimin e kësaj teme”, ka shtuar Muhaxheri.

Por krejt mendim tjetër ka analisti serb Dushan Janjiq.

“Në thelb deklarata nga Borell dje më duket vërtet e çuditshme. A është kjo gjuhë tipike burokratike? Shumë flasin e asgjë nuk e thonë. Ai tha se po insistojmë në një zbatim pra implementim të marrëveshjes. Jo, nuk mund ta detyrojmë Prishtinën ta bëjë këtë. Kjo është qasje krejtësisht e gabuar. Unë mendoj se ai donte në të njëjtën kohë të kënaqte presionin e Vuçiqit dhe vendeve të tjera, duke përfshirë qeverinë e tij, të cilët e shtynë atë të bënte diçka për zbatimin e asociacionit”, ka theksuar Janjiq.

Sipas Dushan Janiq, edhe nëse Kosova e zbaton marrëveshjen për Asociacionin, Serbia nuk do ta njeh Kosovën.

“Të besosh se kur do të zbatohet Asociacioni, Serbia do ta njohë Kosovën është krejtësisht çmenduri? Asociacioni i komunave nuk është teme e re. Çfarë është me të drejtat pronësore, çfarë me pacientët, çfarë me kujdesin social? Kush do të paguajë koston e privatizimit? Çfarë do të ndodhë me çështjen e sigurisë, bashkëpunimi i institucioneve të sigurisë?”, është shprehur Janjiq, për RTV Dukagjini.

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha sot se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Escobar tha se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me ligjet.

Gjatë këtij diskutimi ai foli edhe për situatën në rajon dhe përsëriti qëndrimin se “nuk do të ketë luftë në Bosnjë e Hercegovinë”.

“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, deklaroi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kundërshton një asociacion njëetnik, ndërkaq Serbia insiston në krijimin e tij.

Më 18 gusht, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel për të vazhduar dialogun, dhe Escobar tha se shpreson që në këtë takim të flitet edhe për Asociacionin.

Escobar tha se për Shtetet e Bashkuara, çështja e Kosovës “nuk është çështje e hapur”, pasi Uashingtoni dëshiron që Kosova të njihet prej të gjitha shteteve të BE-së dhe të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

Ai tha se SHBA-ja mbështet “plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja”./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Kurti uron Ramën: Kosova nuk mundet pa Shqipërinë, e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama…

Guvernatori rus akuzon Ukrainën për sulmin ndaj një depozite nafte

Guvernatori rajonal i qytetit rus Belgorod ka akuzuar ushtrinë ukrainase se ka…

Kryeministri Kurti udhëton drejt Kroacisë, do të vizitojë të lënduarit në spital

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të udhëtojë drejt Kroacisë pas aksidentit…

Pak për ateizmin në BFI-në e Shaqir Fetait

Kujdes! Nuk bëhet fjalë për BFI-në ateiste por, për ateizmin që ka…

PD: Shqipëria e para për kanabis/ Salianji: Jemi vendi i parë në Europë dhe i gjashti në gjithë botën

Partia Demokratike denoncoi futjen e Shqipërisë në listën e zezë për prodhimin…