NE NDJEJMË SE NUK KA TË ARDHME ME SERBINË
Në vendin e tij të preferuar, në pjesën e pasme të një kafeneje në qendër të Prishtinës, Profesor Fehmi Agani-zëvendësi i Ibrahim Rugovës në Lidhjen Demokratike te Kosovës dhe një anëtar i delegacionit negociues në Rambouillet-i dha një nga intervistat e tij të fundit, Drejtorit Ekzekutiv të IWPR Anthony Borden. Me flokët e tij të zbardhura dhe një kostum të prerë bukur, duke folur ngadalë por në një Anglishte të qartë, ai vlerësoi mundësitë dhe rreziqet e një periudhe të re dhune.
IWPR: A jeni optimistë se do të ketë një zgjidhje pozitive gjatë javëve të ardhshme?
AGANI: Nuk ka shumë bazë për të qenë optimistë, por ne nuk mund t’i lejojmë vetes të jemi pesimistë.
IWPR: Çfarë nuk shkon në marrëveshjen e Rambouillet?
AGANI: Për serbët, problemi është se marrëveshja do të thotë fundin e të gjitha pretendimeve dhe iluzioneve në Kosovë. Ata akoma duan ta mbajnë Kosovën nën Serbinë, megjithëse tani është e pamundur dhe 2 milionë njerëz nuk dëshirojnë një gjë të tillë. Shumë njerëz në Serbi nuk mund të kuptojnë këtë. Por nesër shumë do ta kuptojnë. Është shumë e vështirë për Serbinë për ta pranuar, por do të jetë më e vështirë për ta refuzuar. Kjo është shpresa jonë. Për shqiptarët, vështirësia është të pranojnë integritetin dhe sovranitetin e Jugosllavisë. Jugosllavia do të ketë shumë fuqi të rëndësishme. Dhe Serbia është prezent në kushtetutë. Ky pranim simbolik është shumë i rëndësishëm, sepse synimi ynë është pavarësia. Ne ndjejmë se nuk ka të ardhme me Serbinë apo Jugosllavi. Pra ne do të na duhet të pranojmë që për një kohë ne kemi qenë në Jugosllavi. Por nëse njerëzit do të ishin krejtësisht të bindur se NATO do të vinte me të vërtetë, ata do të jenë të gatshëm të pranojnë.
IWPR: Cili do të jetë roli i Perëndimit?
AGANI: Marrëveshja është një lloj protektorati, dhe i vetmi shans i vërtetë është nëse do të ketë një fuqi ndërkombëtare, një forcë të NATO-s. Presidenti Jugosllav Slobodan Milosheviç thotë se Serbia dhe institucionet e saj ofrojnë një kuadër të mjaftueshëm për zbatimin e marrëveshjes. Por pa praninë e NATO-s, do të jetë e pamundur, sepse kush do të qëndrojë në mes të dy ushtrive? Kush tjetër mund të imponojë një paqe?
IWPR: Ka mundësi, që për herë të parë gjatë kaq shumë vjetëve vuajtjesh, Prishtina mund të ndryshojë krejtësisht.
AGANI: Me parë, veçanërisht nga 1974-1990, kemi pasur një jetë të mirë. Shqiptarët dominonin, sepse ishin në Jugosllavi dhe vetëm emrin kishin në Serbi. Ata gëzonin një autonomi substanciale. Kosova merrte pjesë në federatë njëlloj si republikat. Ajo kishte një parlament, kushtetutë, gjykatë të lartë, gjykatë kushtetuese, dhe pavarësi financiare. Organi kryesor ishte presidenca, dhe Kosova ishte e përfaqësuar aty me një njeri, si Serbia dhe Kroacia. Në parlament, Shqiptarët kishin të drejtën e vetos, pra asgjë nuk mund të vendosej pa ata. Kosova ishte një lloj shteti i stabilizuar. Tani, situata këtu është krejtësisht jo normale. Në arsim, për shembull, ne kemi shkolla në të gjithë Kosovën, por ato janë të boshatisura. Shqiptarët duan klasa, por atyre iu është ndaluar hyrja në to. Ne u kemi kërkuar serbëve që të lejohet kryerja e mësimit pas dreke, por ata nuk kanë pranuar. A mund ta mendoni? Edhe stadiumet sportive përdoren vetëm nga Serbët. A ka njeri që të mund të kuptojë këtë politikë kaq irracionale? Në Prishtinë diskriminimi nuk ndihet edhe aq sepse 70 për qind e popullsisë apo edhe më tepër janë shqiptarë dhe ata jetojnë sipas mënyrës së tyre. Por në administratë dhe polici të gjithë janë serbë. Pra ne jemi në fakt të pushtuar, dhe nuk mund të qëndrojmë më në Serbi. Në rast se marrëveshja pranohet, kjo lloj gjendjeje në Kosovë duhet të përmirësohet rrënjësisht.
IWPR: Por të gjithë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, janë kundër pavarësisë.
AGANI: Kjo është e kuptueshme, për momentin. Por askush nuk ka të drejtën dhe arsye që të kundërshtojë pavarësinë tonë.
IWPR: Ata frikësohen për stabilitetin në rajon, Maqedoninë, ndryshimin e kufijve …
AGANI: Por nuk do të ketë ndryshim të kufijve. Në Jugosllavi, Kosova ka qenë një element konstituiv, me një kufi të përcaktuar. Ajo Jugosllavi nuk ekziston më. Dhe ashtu si shtete të tjera-Kroacia, Bosnja, Sllovenia, Maqedonia-Kosova duhet të ketë të drejtën të vendosë për statusin e saj. Lëvizja jonë nuk është secesioniste. Ne vetëm sa themi se nuk e pranojmë Jugosllavinë. Tani Jugosllavia është një shtet i ri, dhe nuk është shteti ynë. Tani Jugosllavisë i ka mbetur vetëm emri. Në fakt, ky shtet i ri është Serbia.
IWPR: Por nëse tani ka një shpresë për ndryshim, arsyeja është Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), dhe jo Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
AGANI: Nuk mendoj kështu. Humbja e vërtetë e Serbisë ishte ajo politikë, dhe kjo është arritur nga LDK. Nuk ishte e mjaftueshme, por UÇK-ja doli në një kohë kur Serbia tashmë ishte bërë e huaj në Kosovë. Pra terreni ishte përgatitur për ta. Pra ka një lidhje midis periudhave të LDK dhe UÇK-së.
IWPR: Cila ishte humbja politike? Cila ishte “fitorja” e Shqiptarëve?
AGANI: Serbia nuk mund të mobilizojë shqiptarë në ushtrinë e saj. Ajo nuk mund të na fusë ne në luftërat e saj. Ajo nuk mund të bëjë një regjistrim të popullsisë. Serbia është zvogëluar në Kosovë, duke mbetur vetëm një prezencë e ushtrisë dhe policisë, dhe e forcës. Politikisht, ajo është izoluar krejtësisht në Kosovë, dhe nuk ka mbështetje në asnjë shtresë të popullsisë.
IWPR: Dhe tani, a është kjo koha e UÇK-së?
AGANI: Në një farë mënyre, po. Por vetëm për pak kohë. Problemi nuk do të zgjidhet përmes UÇK-se, megjithëse ajo do të marrë pjesë. Por elementet e tjera në shoqëri, veçanërisht LDK, do të luajnë një rol. Për shembull, LDK ka krijuar një sistem institucionesh relativisht të pavarura, si p.sh. shkollat, të cilat do të jenë shumë të rëndësishme.
IWPR: Por Shqiptarët e rinj në moshë janë radikalizuar. Ata thonë se LDK ka dështuar, dhe strategjia e saj pacifiste ka qenë një gabim. Dhuna ka pasur sukses.
AGANI: Po, por kjo teori duhet provuar. Ju duhet të krahasoni synimet me ato që janë arritur. Ne kemi mbi 2,000 të vrare, 5,000 të plagosur dhe mbi 50,000 refugjatë. Për një kohë, ne kishim 400,000 të zhvendosur brenda vendit. Ne kemi 40,000 shtëpi të djegura. Kjo është një kosto e madhe. Dhe kryesisht kjo kosto është paguar nga njerëzit e thjeshtë: organizatat e të drejtave të njeriut thonë se 95 për qind e shqiptarëve të vrarë janë civilë dhe vetëm 5 për qind nga UÇK-ja. Pra unë nuk dua të minimizojë rezultatet e UÇK-se. Por unë jam kundër euforisë.
IWPR: Pra si e mendoni të ardhmen?
AGANI: Protektorati. Në rast se ne arrijmë një marrëveshje, do të kemi institucione të vërteta, dhe politikë të vërtetë. Në rast se nuk arrihet marrëveshje, është e pamundur të thuash-ose të rrimë nën Serbi ose të luftojmë, dhe asnjëra nga këto nuk është e pranueshme. Por kemi Ushtrinë Jugosllave, dhe 20,000 njerëz në UÇK. Pa një marrëveshje, herët a vonë lufta është e pashmangshme.