Midis nesh

Shqiptarët e dinë se partitë politike janë subjekte juridike që përfaqësojnë interesat komunitare, shoqërore e kombëtare! Megjithatë, ky është një manipulim i thjeshtë që vjen nga të shkathëtit politikë për të siguruar sa më shumë vota e përkrahje. Sepse, interesat popullore apo kombëtare janë aq të shumta e të ndryshme sa, nëse do të përfaqësoheshin secili interes nga një parti, atëherë do të kishim mijëra “parti popullore”! Partitë politike janë vetëm subjekte që përpiqen t’i çojnë përpara axhendat e tyre “origjinale” për të cilat votohen, apo përmes të cilave synojnë sa më shumë vota.
Partitë do të kenë një imazh të mirë në varësi nga përfshirja sa më e gjerë e intelektualëve në radhët e veta! Siç e kishte dikur LDK-ja e Ibrahim Rugovës! Sepse, intelektualët e mirëfilltë ndër popull gëzojnë respekt e dashuri më të madhe se çdo subjekt politik! Pa dyshim, ky fakt i “nervozon” partitë, ndaj dhe mundohen t’i përvetësojnë, ndërsa në rast se partia gjendet në pushtet, kurse intelektuali nuk pajtohet të përfshihet në asnjë subjekt politik, atëherë më mirë e ka të heshtë se sa ta ketë “një gijotinë” të përhershme mbi kokë! Natyrisht, kështu është vetëm ndër ato shoqëri që akoma janë në fazën e tranzicionit post-komunist dhe duke u shkundur nga “gjumi ideologjik” gjysmëshekullor i cili shpesh ka ditur të jetë fatal për intelektualët e mirëfilltë të kohës.
Çka ishte intelektuali në kohën e ideologjisë komuniste dhe çka është në kohën e partive tona të sotshme? Asgjë më shumë se një njeri që posedon dituri të gjëra dhe të cilat e ka “obligim kombëtar” që t’i vë në shërbim të pushtetit. Pra, pushtetit i duhen intelektualët për “t’i luluar” ato strategji nacionale që në duart e partive të sotme nuk janë asgjë tjetër përveçse lëvizje taktike! Një intelektual kaq i mirë, sipas parametrave partiake, mund të arrijë të jetë kryetar akademie, drejtor institucionesh, ministër, dekan, rektor, kryetar sindikatash të arsimit, të artistëve…
Çeslav Millosh këtë rol të intelektualit të partive të sotshme e përkufizon si shpërfytyrim i intelektualit në aktor. Intelektuali nuk guxon ta thotë atë që e mendon, të vërtetën, objektiven, por duhet ta thotë dhe ta bëjë sa më të kapshme atë që e do, por nuk di si ta thotë pushteti! Ngjashëm si aktori! Nuk guxon ta interpretojë vetveten, por duhet ta interpretojë rolin, të ndërtojë karakterin mbi personazhin të cilin tashmë e ka studiuar regjisori dhe ka ngritur një rol që mund ta interpretojë akcili aktor! Aktori nuk mund ta lozë lojën e vet, por atë që ia dikton regjisori sipas konceptit të tij regjisorial. Në momentin kur aktori futet në rol, mishërohet me botën dhe shpirtin e personazhit, atëherë ai nuk ka nevojë për kurrfarë “dirigjenti”!
Intelektuali partiak, apo ideologjik, apo i pushtetit, sipas Milloshit, është i detyruar që ta ngulfasë të vërtetën, të bukurën, të fuqishmen dhe ta artikulojë “intelektualisht” vetëm atë që ia kërkon pushteti apo partia. Kështu, duke ikur nga intelektualiteti i vet, në fakt intelektuali kyçet në aktrim dhe interpreton “konceptin strategjik” të partisë.
Intelektuali partiak, para se të shpreh mendimin e vet, gjithnjë duhet të jetë shumë i kujdesshëm, por edhe i vëmendshëm se çfarë pasoja mund të shkaktojë për të si dhe për rrethin ajo që do ta thotë! Pikërisht, kjo vëmendje e domosdoshme e intelektualit partiak, sipas Çeslav Milloshit, është arsyeja e rrëshqitjes së tij në aktrim! Ky intelektual jo vetëm që duhet të jetë i kujdesshëm në atë që e thotë, por, pa dyshim, po kaq i kujdesshëm duhet të jetë edhe në komunikime më të rëndomta. Madje, duhet të ketë kujdes edhe në shprehjen e simpatisë për një kravatë, e cila, për shkak të ngjyrës, vijave, apo luleve, mund të ngjallë dyshime te liderët partiakë! Dhe, këto përulësi ndaj partisë, në fakt vetëm sa shprehin “vuajtje aktoriale” të intelektualëve të tillë! Prandaj, fatkeqësisht, shqiptarët sot nuk mund të llogarisin se kanë një intelektual “disident”, i cili do të dilte “kaçak” për ta luftuar intelektualisht çdo parti shqiptare e cila intelektualin e llogarit si aktor që duhet të interpretojë, jo në skenë, por në rrugë, në protesta, në takime, në kuvend. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Ahmeti: PËRÇARJET POLITIKE E KANË NDARË HAPËSIRËN TONË LETRARE

Për HEJZA-n flet Lindita AHMETI, poete Lindita Ahmeti është një nga poetet…

Pritet të fillojë renovimi i shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë dhe i xhamisë së Drenocit në Deçan

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Programi i Kombeve të Bashkuara…

Si të dalësh shkrimtar i mbaruar!

(Enkas për Hejza-n)Në Shqipëri kritikët janë si sazexhinjtë. Kur dikush ka “dasmë”…

Pse disa prindër ua mohojnë shqipen fëmijëve të tyre

Midis nesh Ekziston një prirje e sëmurë për të ndjekur mënyrën e…

Projekte të pjesshme!

Edhe një herë për ABETAREN Nxënësit shqiptarë të klasave të para në…