“Dhurone Kurbanin për Medresenë”, thonë të BFI-së? A përdoret i gjithë mishi i kurbanëve për Medresenë Isa Beu, për të cilën edhe dhurohet kurbani? Kurrsesi! Atëherë: ku shkon i gjithë ky mish? A e ka parë dikush të ndahet për nevojtarët, ashtu siç e kërkon norma dhe tradita islame? A ka një raport publik të shpërndarjes? Apo edhe këtë vit do të përfundojë në heshtje, siç ka ndodhur gjithmonë, që kur ka vendosur që Shaqir Fetai të bëhet “kasapi” i BFI-së
Nga Mahir Rexhepi
Edhe këtë vit, Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut ka dalë me të njëjtën moto që tashmë është shndërruar në slogan të marketingut sezonal: “Dhuro kurbanin tënd për Medresenë Isa Beu!” Por, një pyetje thelbësore ngrihet me të drejtë: për cilën Medrese bëhet fjalë? Për atë që vetë kreu i BFI-së, Shaqir Fetai, e çregjistroi? Për atë që u bë objekt manipulimi institucional? Apo për një institucion që shërben si pretekst për grumbullimin e fondeve dhe mishit, pa llogari, pa transparencë dhe pa nder?
Kjo moto është një abuzim i pastër. Abuzim me aktin fetar të kurbanit, me amanetin e myslimanëve që dhurojnë për hir të Zotit, dhe me ndjenjat fetare të një komuniteti që kërkon vetëm drejtësi dhe dinjitet në ushtrimin e besimit të vet.
Në Maqedoninë e Veriut, çdo vit dhurohen mbi 6,000 kurbane, prej të cilëve 70–80% janë në formë pagese – çka do të thotë se vetë BFI merr përsipër therjen e tyre. Po të marrim një mesatare modeste prej vetëm 15 kilogramësh mish për kurban, bëhet fjalë për mbi 90,000 kilogram mish në vit – më shumë se 90 ton mish!
A përdoret ky mish për Medresenë Isa Beu? Kurrsesi! Aq më pak kur vetë ky institucion është formal apo gjysmë i paralizuar në strukturë dhe funksion. Më e rëndë akoma: ku shkon i gjithë ky mish? A e ka parë dikush të ndahet për nevojtarët, ashtu siç e kërkon norma dhe tradita islame? A ka një raport publik të shpërndarjes? Apo edhe këtë vit do të përfundojë në heshtje, siç ka ndodhur gjithmonë, që kur ka vendosur që Shaqir Fetai të bëhet “kasapi” i BFI-së!?
Brenda vetë radhëve të BFI-së ka fakte të pamohueshme që tregojnë se jo të gjithë kurbanët që paguhen, therren realisht. Kjo do të thotë se paratë e dhuruara për një akt të shenjtë nuk shkojnë në vendin e duhur. Ashtu siç nuk shkojnë në vendin e duhur edhe mbi dy mijë kurbana të haxhilerëve, të cilët janë të detyruar që t’i paguajnë por nuk kanë të drejtën e shikimit se si therret kurbani i tyre! Ky është tradhti ndaj amanetit të besimtarëve dhe një shkelje flagrante e normave islame. Një akt që nuk është më vetëm administrativisht i papërgjegjshëm, por moralisht dhe fetarisht i dënueshëm.
Me këtë sjellje, BFI-ja nuk është më një institucion fetar që mbron interesat shpirtërore të myslimanëve, por një strukturë që i përdor ndjenjat e tyre për përfitime të errëta dhe pa llogaridhënie.
Të grumbullosh tonelata mish në emër të një medreseje që nuk ekziston de jure dhe pastaj ta shpërndash “gjetiu”, sipas logjikës së klanit, është më shumë se abuzim: është manipulim i pastër, është turp publik dhe një dhunim i vullnetit të besimtarit që ka besuar se po kryen një akt të shenjtë.
Pyetja që ngrihet është: A do të ketë ndonjëherë hetim? A do të kërkojë ndokush përgjegjësi? Apo edhe këtë vit, si çdo vit, do të mbyllet gjithçka me heshtje dhe një fotografi propagandistike para ndonjë frigoriferi bosh?
Nëse një institucion që duhet të jetë shembull i drejtësisë dhe amanetit, tradhëton vetë amanetin, atëherë për çfarë shërben ai më? Pse duhet besuar më? Dhe mbi të gjitha: kush e mbron fenë nga ata që e përdorin fenë për qëllime tokësore, si puna e Shaqir Fetait dhe klika e tij?