Midis nesh

Si te shumica e popujve në Evropë dhe më gjerë, edhe te shqiptarët impakti i muzikës është më i fuqishëm se i llojeve të krijimtarive të tjera artistike! Një libër bestseler në mbarë botën mund të lexohet prej nja 3-4-5000 lexuesve. Le të jenë edhe 50 mijë ose 500 mijë lexues! Një pikturë bashkëkohore mund të vizitohet nga 100-200-300 mijë vetë; një shfaqje me, për shembull, 100 repriza, mund të shikohet prej nja 50 mijë apo 1000 mijë vetë. Por ama sot, një këngë, çfarëdo qoftë ajo, e shoqëruar edhe me ndonjë videoklip “të hallakatur”, mund të dëgjohet e klikohet me miliona herë!
Keqkuptimi i demokracisë, apo perceptimi i demokracisë si “liri absolute”, ka ndikuar në trasimin e një shtegu, fundi i të cilit të nxjerr në një fushë gjembore të degradimit dhe të degjenerimit të krijimtarisë artistike, të vetë kulturës! Nëse i hedhim sot një sy kulturës sonë muzikore, sakaq do të vërejmë se jemi shthurur totalisht! Fjala është për muzikën “popullore”, e cila, duke rendur pas komercializimit, ka shkaktuar një kaos të tmerrshëm në kultivim dhe në shije! Sot, nuk kemi më muzikë të Isuf Myzyrit, Big Ndojës e Shyqyri Alushit, nuk kemi muzikë të Nexhmie Pagarushës, të Qamilit të Vogël, të Ismet Pejës, të Esat Bicurrit, të Shahindere Bërlajollit etj. Fatkeqësisht, për nga tekstet, edhe Polifonija ka nisur të na rrëshqasë!
A kemi strategji të zhvillimit sektorial në kulturë? A na duhet një strategji kombëtare, sidomos në krijimtarinë muzikore popullore e cila përpos fjalëve në shqip, nuk ka asgjë të përbashkët me melosin shqiptar! Plot kanale televizive me kulturë muzikore greke, rome, turke, serbe, indiane, kineze, të cilat na serviren si “krijime muzikor shqiptare”! Lokalet e restorantet ta luajnë kapakun e kresë me muzikë të tillë! Nuk ka dasmë e mbledhi familjare, restorante e oborre katundesh ku nuk kumbon kjo “kulturë muzikore”! Si asnjëherë më parë, shqiptarët dasmat i bëjnë me muzikë e me ritëm të huaj, ahengun e organizojnë për ta kultivuar dhe trashur sa më shumë një “kulturë muzikore” e cila e ofendon deri në palcë identitetin kulturor shqiptar.
Kohë më parë, në një familje preshevare, në Preshevë, ishin ftuar të bëjnë muzikë një grup mjaft i njohur muzikantësh nga Shkupi! Ngritët plaku 80 vjeçar dhe muzikës ia kërkon vallet me radhë! “Cilën valle”, e pyet saksafonisti! “Me rend”, mezi i flet plaku! Ia nisë saksafonisti një valle turko-bullgaro-greke, ndërsa plaku ia luan mindilin, duke i thënë jo këtë, kaloje, tjetrën, me radhë, prej të parës e deri te e njëzeta! Saksafonisti shtanget, ndërsa plaku i kthehet të zotit të dasmës: “Në dasmë i kërcej ato valle që i dua dhe që i di unë dhe jo muzika! Ato valle që m’i ka kërcy babë e babgjysh! Pse po na sillni turlifarë “hamami”, na e fëlliqët traditën dhe muzikën”, flet plaku i mllefosur, duke u kthyer në karrigen e vet i zhgënjyer e me lot në sy!
Për momentin, kombit shqiptar i duhet një projekt-super censurë, e cila do të udhëhiqej nga komisionet e veçanta pranë ministrive për kulturë! Jo që duhet të kërkohet që në afat rekord të zbriten nga repertorët të gjitha ato “pika muzikore”, por nëse nuk i nënshtrohen urdhrit, të shkohet edhe deri në marrjen e licencave për transmetim televiziv, apo bllokim të transmetimeve! Ky helmim “kulturor” i shqiptarëve duhet të ndalet sa më parë! Urgjentisht të fillojë një riedukim i fëmijëve dhe të rinjve tanë për sa i përket muzikës së mirëfilltë shqiptare! T’ju shtohen tatimet deri në mospërballim të gjithë muzikantëve e këngëtarëve që nëpër dasma e mbledhi familjare ofrojnë shërbime transi përmes madhërimit të kulturave të huaja muzikore.
Pa dyshim, është koha për hartimin e një strategjie të përbashkët, me synim krijimin e një sistemi mbështetës për të gjithë krijuesit dhe nxitjen e industrisë krijuese muzikore ndër shqiptarët. Të organizohen shumë manifestime kombëtare e ndërkombëtare, koncerte me muzikë e valle popullore origjinale, të sponsorizohen dhe të nxiten sa më shumë spektakle televizive me këngë e valle shqipe, debate televizive, ligjërime shkencore, prezantime vetën të atyre që këndojnë dhe bëjnë muzikë origjinale popullore shqipe, urgjentisht të digjitalizohen të gjitha vallet popullore-folklorike që janë thesar që nuk e ka asnjë popull në rajon dhe më gjerë!
Një popull si i yni, me kulturë muzikore të mbrojtur nga UNESKO (Iso-polifonia), një popull me talente muzikore (tenorë e soprano) me përmasa botërore, me instrumentistë e valltarë baleti të pranuar ndërkombëtarisht, të lejohet që të thahet nga prurjet e huaja muzikore, ngjashëm siç thahen kulturat bujqësore nga ujërat e zeza të kanalizimeve, është përtej mëkatit. Është në dorën tonë që të njihemi si popull me kulturë të lashtë muzikore apo si palaço amatorë e të shpifur. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Ata që dinë të lexojnë e nuk kuptojnë!

Midis nesh Analfabetët funksional realisht i kemi kudo: në shkolla, në fakultete,…

Politika kulturore dhe e drejta në kulturë

Midis nesh Termin politikë kulturore do ta definonim si angazhim për t’u…

Midis nesh / “POETËT E POETET” QË SHKRUAJNË POEZI TË “HUAZUAR”!?

Përkundër mungesave të shumta të natyrave të ndryshme, për një gjë nuk…

Kush ishte Adem Kastrati?

Midis nesh A e njohin sot kasta politike Adem Kastratin? A e…