Është nënshkruar pranim-dorëzimi i donacionit për kamerat e trupit mes drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe ambasadorit të SHBA-së Jeff Hovenier.
Ambasadori i SHBA-së Jeff Hovenier në një konferencë për media lidhur me donacionin për kamerat e trupit për Policinë e Kosovës, ka thënë se kamerat kanë rëndësi jetike për zbatimin e ligjit në Kosovë dhe ato do të rrisin besimin e publikut në polici, si dhe do të përmirësojnë ndjeshëm llogaridhënien.
Më tej, ambasadori Hovenier tha se dëshira e SHBA-së është që Kosova të zë vendin e saj që i takon në strukturat evropiane, por kjo nuk mund të bëhet pa transparencën policore.
Sipas tij, SHBA me krenari kanë investuar më shumë se 1.8 milionë dollarë në këtë program. Ai tha se ky projekt është edhe një dëshmi e përkushtimit që kemi me Policinë e Kosovës.
“Donacioni ynë përfshin një strukturë elektronike të ruajtjes së të dhënave që shtrihet në tërë Kosovën. Teknologjia e kamerave të trupit ofron siguri dhe video-incizime që janë të paanshme, si dhe ruan pasqyrimin faktik mes policisë dhe qytetarëve. Kur ato përdoren në mënyrën e duhur, kamerat janë një mjet efektiv që e përcepton profesionalizmin e policisë”, ka thënë Hovenier, teksa shprehu mirënjohjen për Policinë e Kosovë për mbështetjen që i ka dhënë këtij programi.
Ndërsa drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha lidhur me donacionin e SHB A-së për Policinë e Kosovës, tha se nëse ka moskryerje të punës nga Policia e Kosovës, do të ketë edhe ndëshkim, teksa shtoi se kamerat, një pjesë e tyre do të përdoren për trafik.