Procesi i verifikimit të zarfeve me vota të ardhura nga Serbia, është ndërprerë rreth orës 11:00.
Kjo pas kundërmimit të zarfeve. Si pasojë raportohet të jenë helmuar rreth 26 zyrtarë kosovarë që kanë qenë të ngarkuar me numërimin e zarfeve.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka thënë se Policia posedon informata të tilla por për detaje në këtë fazë ka rekomanduar të adresohemi në KQZ-së dhe autoriteteve shëndetësore.
Në vendin e ngjarjes janë paraqitur policia dhe ambulancat.
Është ndërprerë procesi i verifikimit të votave me postë të ardhura nga Serbia, pasi zyrtarëve që kanë qenë duke i verifikuar këto vota, u është shfaqur alergji në duar.
Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar Besnik Buzhala nga divizioni i Shërbimit votues.
“Është ndërprerë verifikimi i zarfeve (me vota) që kanë ardhur nga Serbia dhe jo nga diaspora”, tha Buzhala.
“ I është shkaktuar (personave që kanë qenë duke verifikuar votat) alergji nëpër duar nga zarfet që kanë ardhur nga Serbia. Tash janë duke u bërë kontrollet dhe çka del tutje, unë nuk mund ta di”, tha Buzhala.
Ndërkaq, Daut Hoxha nga Policia e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë “posedojmë informacionin dhe në aspektin policor jemi duke e trajtuar, ndërsa lidhur me detaje të tjera në këtë fazë adresojuni KQZ-së”.
Në Kosovë më 6 tetor u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas rezultateve preliminare nga numërimi i votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.