Midis nesh

A po na “vdes” dramaturgjia si zhanër letrar? Shumë poetë, shumë romansierë, tregimtarë, por tepër pak dramaturgë! Një teori teatrale thotë: një dramë që nuk luhet, që nuk vihet në skenë, ajo vdes! Këtu diku, në këtë teori të mbrapshtë, duhet kërkuar energjinë negative që thanë krijimin e dramës si letërsi!
Nga ana tjetër, edhe regjisorët tanë, të etur për famë, të cilën e shohin ekskluzivisht te autorët e huaj, iu shmangen autorëve shqiptarë. Veç kësaj, është edhe një politikë e çoroditur e menaxhuesve të teatrove kombëtarë, të cilët, për t’i ikur “shpenzimeve”, turren pas shkrimtarëve të huaj, mundësisht të vdekur këtu e 70 vite më parë (periudhë kjo që të liron nga pagesa e të drejtave autoriale)!
Thonë që Shekspiri veprat e veta i ka shkruar derisa ideja e tij është zhvilluar në skenë. Aty për aty i ka sjellë ngjarjet, i ka zhvilluar situatat, e ka tjerrë dialogun përmes batutave spektakolare e të paarritshme në dramaturgjinë botërore! Pra, shfaqjet janë art kolektiv që i përshkruhen me të drejtë regjisorëve! Sepse, këta mbajnë mbi vete atë gurë të Sizifi, deri sa ta ngjisin në premierë një vepër kolektive (përfshirë këtu aktorët, skenografinë, muzikën, dekorin, kostumografinë, eventualisht koreografinë etj.)
Së këndejmi, dramaturgët duhet të jetë në shërbim të regjisorit, aktorëve etj., me qëllim që shfaqja të dalë sa më artistikisht e lartë. Shfaqet që ndihmohen financiarisht nga ministritë tona përkatëse, duhet ta ndjekin këtë politikë – të zhvillimit të dramaturgjisë kombëtare, që do të sillnin emra tashmë të verifikuar, por edhe autorë të rinj që do të shënonin epokën e dramaturgjisë sonë bashkëkohore.
Sot, kemi shfaqje që luhet në teatro kombëtare, por që, regjisori, autori, skenografi, kostumografi e muzika, janë tërësisht të huaj! Teatri kombëtar sot frymon shqip vetëm përmes aktorëve! A nuk është mëkat, a nuk është mohim që i bëhet artit dhe kulturës shqiptare! Nuk mund të zhvillojmë identitet të qartë kulturor kombëtar përmes veprave të huaja!
Viteve 80, pasi u botua “Bregu i pikëllimit”, i Teki Dërvishit, të gjithë, mbarë kritika teatrale e kohës, thanë se tashmë në duar kemi një dramë poetike, ose një poemë dramatike të shkruar në formë të prozë! Asnjë regjisor shqiptar nuk kishte guximin që ta vinte në skenë, qoftë një fragment të saj! Atëherë doli regjisori i mirënjohur Agim Sopi dhe e punoi një fragment të kësaj vepre, të titulluar “Lulepjeshkat e dashurisë”! Miqtë e tij, njerëzit nga sfera e krijimtarisë letrare, e shikonin me skepticizëm angazhimin e tij, e vlerësonin si një “aventurë regjisoriale”, sepse askush nuk e kishte idenë se si mund të përgatitet një shfaqje teatrale nga një “poezi”! Megjithatë, Agim Sopi arriti të realizojë një shfaqe që edhe sot e kësaj dite vlerësohet si nj ndër kryeveprat e tij teatrale.
Kanë thënë se diku në një teatër tonin kombëtar është bërë traditë që veprat e dramaturgëve tanë të lexohen publikisht nga aktorët e teatrit dhe, përcaktimi për repertor vjetor të bëhet varësisht se si tingëllojnë për vesh ato lexime! Punë koti! Tallje! Regjisorët për konceptin e tyre regjisorial nuk ndikohen nga leximi i aktorëve! Sepse, shfaqja nuk është vepër autoriale e aktorëve, por është e regjisorëve. Regjisorët detyrohen në punë vetëm varësisht politikave të bordit të teatrit, të menaxhuesve si dhe të politikave kombëtare të ministrive përkatëse, respektivisht të qeverive tona kombëtare! /HEJZA/

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=112127134537910&id=100072218703108

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Mbi origjinën ilire të gjuhës shqipe

Kumtesa e mbajtur në vitin 1982 në Beograd nga dr. Idriz Ajeti,…

Shqiptari Fetah Efendiu sipas dokumenteve të UDB-ës jugosllave

Pas vdekjes së Ataullah Hoxhës (dhjetor të vitit 1946), për udhëheqës të…

Mohamed Salmawy: Një film për mbretin shqiptar të Egjiptit, Mohamed Ali

Më shumë se 3 shekuj më parë, një familje nga Zëmblaku i…

Biografi për të famshmin Ali Pashë Tepelena

Nga Aurenc Bebja/ “La Quotidienne” ka botuar, të shtunën e 29 nëntorit…

Përshkrimi i udhëtimit të udhëpërshkruesit të njohur gjerman: Johann Georg von Hahn gjatë vitit 1858, nëpër trevat shqiptare të Leskocit

Serbët e shkruajnë se Hahn, kishte shprehur shumë interesim për ti vizituar…