Shkruan Xhevat Halili

Kemi rënë në hall të madh të gjithë, veçmas diplomatët. Të gjithë, ata të karrierës, dhe jo vetëm. Në ΄mjegullnajë΄ është diplomacia ballkanase dhe më gjerë. Të ΄hutuar΄ janë edhe ekspertët e specialistët në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. I tërë opinioni i hapësirës sonë dhe mbase më gjerë. Një pikëz tharmi i keq na e ka prishur tërë sasinë e qumështit të mjelë me aq nikoqirllëk. Na e ka bërë kos. Kos, KOS-i që po thartohet e po tharton…
Në rrëmujën e paparë në Ballkanin e trazuar që po vlon, shqiptarët sikur nuk po mund të bashkërendisin veprimet e të ngjeshin radhët. Në fokus si gjithmonë në histori, dje e sot, ne shqiptarët, Kosova. Tani shteti, Republika e Kosovës: njohjet dhe çnjohjet e pavarësisë së Republikës së Kosovës si një shtet i pavarur. Nga Afrika na kanë sjellë pakëz përzierje çokollate për të prodhuar eurokrem. Këtë e ka importuar Biligradi, qyteti i bardhë.
“Mégadonnées”, “Données massives”, terme nga frëngjishtja apo “Big data”, term nga anglishtja që edhe si shprehje përcjellin tërësinë e të dhënave që janë vështirë të analizueshme me ndihmën e mjeteve klasike të fushës së statistikës. Kjo së pari për shkak të vëllimit, për shkak të jokompletimit të lëndës, për shkak të shpejtësisë marramendëse të zhvillimit të fenomeneve si dhe për shkak të vështirësive për t΄iu qasur dhe për t΄i trajtuar sipas logjikës së mirëfilltë e rrjedhës normale të gjërave.
Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, shtetin Republika e Kosovës, sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, janë 116 shtete që e kanë njohur. Në mesin e tyre është edhe Republika e Ganës e cila këtë njohje, na e thotë mendja, e pati bërë me vetëdëshirë, vullnetshëm e pa ndërhyrje të sforcuara që në vitin 2012. Kjo njohje ishte si rrjedhojë e njohjeve që u bënë atëherë nga shumë shtete duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian (pa llogaritur pesëshen: Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja), si dhe plot shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara nga mbarë bota.
Tani pakëz brum prej kakaos, çokollata nga Gana afrikane, për të prodhuar eurokrem made in Serbia, nga Takovo-Gornji Milanovac. Ndërkaq që marifeti mjeshtëror mbetet gjithnjë ballkanas nga Beogradi. Kjo epiqendër ΄tërmetesh e tollovish΄ nga periudha e së tashmes të largët e të afërt. Njerëzit e politikës, pasardhës të regjimit diktatorial të kriminelit të Ballkanit Milosheviqit, pulenët e tij, e njëri ndër më besnikët e më kokëfortët, që u quajt edhe Slloba i Vogël, Ivica Daçiqi, Ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, prodhojnë, tregtojnë e shesin mjegull.
Ky ΄kokëdiplomat΄ (se kryediplomat s΄është as pak e hiç!) me angazhimet e tija, me qasje guerilje ysht si plakat besëtyte. Kjo yshtje e zuri fytaqafas në Qeverinë e Republikës së Ganës në Afrikën hallemadhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të këtij shteti me plot probleme natyrash të ndryshme, Charles Owiredou (Sharl Oviradu).
Përndryshe, Republika e Ganës, sipas të dhënave që mund të nxirren nga burime të ndryshme ka sipërfaqe prej afër 240 mijë kilometrash katrorë dhe me një popullsi prej afër 30 milionë banorë. Gana është vendi i renditur si i dyti me fuqi ekonomike në Afrikën Perëndimore, mbingarkuar dhe i mbytur në borxhe, dhe përkundër se ka shumë pasuri veçmas: ar, naftë dhe KAKAO! Partnerë tregtarë kryesorë të saj janë: Kina, India dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2011 Republika e Kinës i ka dhënë qeverisë ganeze 3 (tre) milionë dollarë amerikanë, kjo si një formë huaje për ngritjen dhe ndërtimin e infrastrukturës… Ndërkaq, Qeveria franceze qytetarëve të vet ua tërheq vërejtjen për rreziqet e krimit kibernetik aq të përhapur në këtë vend.
Dhe ja, sipas agjencisë franceze, qeveria ganeze para do ditësh, i ra mohit, i ra hasha fjalës e veprimit diplomatik zyrtar e publik, pra, nuk e njeh më pavarësinë e shtetit Republika e Kosovës. Vendimi për njohje në vitin 2012 sipas një dokumentit zyrtar paskësh qenë: “I frymëzuar nga hulumtimi për paqe dhe harmoni”. Tani qeveria ganeze vlerëson se njohja paskësh qenë “E parakohshme”, Sic! Dëngla të papara kund! Dhe se tash kësaj qeverie të këtij shteti i paskëshin ardhur mendtë, se kjo qenka një “dhunim” i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe broçkulla të tjera…
Dhe fare në fund: athua vallë me çka do i ketë joshur Daçiqi i Serbisë anëtarët e qeverisë ganeze e në veçanti zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të këtij vendi afrikan, që e shpalli vendimin e këtillë të çnjohjes së shtetit Republika e Kosovës?!

Shkup, 15 nëntor 2019

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Ku jeni “komandanta” të 2001-shit, pse po heshtni për komandant Sokolin!

Nuzemedin Imeri / Vëllezër e Motra, Të dashur bashkëkombës, të flasësh për…

“Grupi i Kumanovës” ri-dënohet me aminin e Ali Ahmetit

“Rasti i Kumanovës” në fakt është varri moral i BDI-së dhe oqeani…

Efendi Rexhepi: Me komplot e tradhëti nuk përmirësohen “situatat e vështira”

R E A G I M Mbi Raportin e Komisionit Evropian për…

Xhaferi: Nesër në xhami do vinë politikanët kriminelë, dhe hoxhallarët që heshtin para të keqes

Arianit Xhaferi Mendojeni pak o njerëz të mirë, Nesër do vinë në…

Fituesit e zgjedhjeve në Kosovë po e përkrahin Selën dhe Gashin, humbësit po e përkrahin Ahmetin dhe Musa Xhaferin

Ylber Pilku /Nëse bëjmë një paralele shumë lehtë do ta konstatojmë se…