PASIONI I TË SHKRUARIT NUK ËSHTË FATAL

(Enkas për HEJZA-n)


Diçka magjepsëse ndodh me njeriun, që prej kohërave të tejme të vogëlisë, kur një çast i rrufeshëm e i pakontrollueshëm ia shprish gjethurinat e kopshtit të zemrës, ashtu që artisti fëmijë fillon të vërejë trazimet e ndjenjave, të ndjekë lëvizjet e çrregullta të mendjes, të dëshirojë t’u afrohet gjuhëve të një zjarri të beftë, për ta prekur madje. E quajnë së rëndomti frymëzim, po edhe shpirt, muzë, grishje. Shfaqet shpesh serbes, mysafir i paftuar, sqimtar, pasi ka kapërcyer me sukses të gjitha pragjet e portave të kyçura, duke tharmuar përjetësime që turbullojnë, të ngarkuara me pretendime fëminore, me njerëz që mësyjnë në labirintet e fantazisë me historitë e tyre të mykura apo të pa ndodhura, me gjallesa e sende të larmishme, streha të ulëta, apo rrokaqiej të mprehtë.
Italishtja zotëron një fjalë me të cilën deri diku pajtohem. Afflato, që mund të shqipërohet si frymë, fllad, pëshpërimë. Askush nuk mund ta dijë me saktësi, megjithë përpjekjet që bëhen për ta përcaktuar, sesi, se kur e sepse pëshpërit kjo pëshpërimë. Gjithsecili prej nesh ka një marrëdhënie personale më të. Unë, ta zëmë, kur shkruaj, nuk e di me saktësi atë që po shkruaj, e çasti kur kjo të më bëhet e qartë, është çasti kur libri ka hyrë në proces botimi. Tek unë pasioni i të shkruarit nuk është fatal, pret radhën me përultësi e në distancë, pas përjetimit të gëzuar e kuptimplotë të lindjes së diellit, të këqyrjes së një hëne të bardhë në orët e freskëta të agimit, të ujitjes së aloeve hijerënda. Shkruaj pra më pak nga ç’këshillohet, e kjo më bën të ndjej keqardhje për personazhet e historive që mbeten pezull, pa u dhënë dum një herë e mirë, krijesa që dalin përkohësisht nga skutat e tyre gjumë-grishëse të hutuara e të turbulluara, si aktorë që nuk ua kanë caktuar ende rolet. E po ashtu rikthehen, pas procesit kaotik të krijimit, në gjendjen e tyre të parë, dikush me sytë të cunguar, dikush me lëkurë të butë, dikush veç me një këmbë, pak a shumë të paplotësuar, të sakatosur, në pritje të një rehabilitimi tjetër.


Ka prej miqve të mi nga ata që duan vërtet të dinë nëse po katranos ndonjë gjë. Janë ata që më vlerësojnë e që më lexojnë me gjithë mënd. Siç është Eliza.
Eliza u shfaq në orën 11 e 45, para portës me xhama të punës sime. Me flokët e bardhë kasket, e me një arkëz druri të mbushur me qershi. Trupi i saj i dobët me tesha elegante e të holla, të shndritshme e të buta, i ngjan një bishti luledielli. Gojën e ka të kuqe flakë , e krahët e flashkët tepër energjik. Duhet t’i ketë kaluar të 70-at, ndonëse unë nuk e pyes kurrë, veç kur ajo ma kujton vetë. Sot pra, erdhi të më sillte qershia e të më pyeste nëse kisha filluar të shkruaja. Para se të vinte tek unë, kishte bërë një orë meditim, ulur mbi tapetin e saj të madh me ngjyra të ndezura, duke fiksuar shikimin pa shikim, përtej mureve të kuzhinës, pas të cilëve ngrihen të murrme pemët e larta të manjolave.
Elizës, unë mund t’i them me gojën plot: “Jo! Hiç fare! Nuk kam dëshirë…” E, i tregoj sesi po më rrëmbejnë ndodhitë e çastit, sesi nuk më lënë rehat as dinamikat e sotme të botës. Po edhe ato të shkuarat, luftërat e gjata të popujve e paqëvëniet e shkurtra, heronjtë e harruar e kalimtarë, logjika e historive të çmendura. I them Elizës sesi po më thithin energjitë edhe gjëra më të thjeshta, si receta e tortës Linz, e qofteve Falafel, jeta dashurore e Munch, ndjenjat e ujit. Ta zëmë, i them unë. Para ca vitesh u apasionova pas përvojës së përtej vdekjes së Feritit, një zotërie të urtë në një nga periferitë e qytetit të Durrësit, që pasi përjetoi për ca minuta vdekjen prej një infarkti në zemër, ishte kthyer prej saj buzagaz e me plot dëshirë për të qenë i drejtë e i mirë, me plot preokupime për të këshilluar njerëzit mbi qëllimin e jetës e gjëra të urta si këto. Ca kohë askujt prej atyre që kalonin tek ai për të blerë kausha me luledielli, nuk ia mohoi rrëfimin e historisë së tij të pazakontë. Deri kur filloi të kapte ca buzagaze të pahijshme, ca shkelje sysh të pabesa, që e bënë të kyçte gojën me kujdes e ta hapte vetëm kur një “pëshpërimë” serioze ta këshillonte të rrëfente aty ku fara do të binte patjetër në ngastër.
Kështu më kalon dita pra, i them Elizëz, e copëzuar me punë, gatime, lexime, meditime, shikime filmash emocionues, dokumentare mbi natyrën e universin që më lënë pa mend.
Vetëm se, Eliza, nuk i han lehtë këto llomotitje të miat, sepse më njeh, e di që unë jam edhe pak përtacake, edhe pak burracake. Sikur të mos mjaftonin këto, ajo e di edhe që unë e kam pak frikë frymëzimin. Por ama, nga ana tjetër, unë e di edhe që ai nuk ngopet me ca shëtitje të çakërdisura të fantazisë. Duhet ta meritoj për t’u shërbyer historive njerëzore, të siguroj lirinë në mendjen time të hapërdarë dhe përulësinë në zemrën time të dobët.
Sot m’u kujtua një çast i hershëm tragjik, më erdhi në mënd i ligësht si atëherë, kur shihja figurën e bukur e të lemerisur, sytë e errët e të pikëlluar të Bekim Fehmiut, që zbriste në mbretërinë e nëndheshme të Hadit, në kërkim të shpirtit të orakullit Tiresia. Përkuljen e tij e dëshpëruar mbi këmbët e ajërta të të ëmës. Oh sa më ka lënë pa mënd ai zbulim! Ja që njeriu vdiska! Unë pra do të vdiskam! Sa u trondita atëherë, kalama i frikësuar nga vetë jeta, ndërsa shihja sesi prej botës mortore aviteshin të shqetësuar shpirtrat e vegjël, të druajtur e të tejdukshëm, drejt pellgut të gjakut nën gurmazin e therur të qengjit fli. Pyesja shpesh veten asohere, se pse prindërit, më kishin tërhequr në këtë botë të vdekshme për të bashkëndarë aventurën e komplikuar të jetës! Mundet që këto përsiatje të mëpastajme u bënë shkas për t’u vënë të tregoj mundësi të tjera jete, për të dëshmuar çastin që ka fund, që nuk përsëritet më, për të rrëfyer përpjekjen qorre të zemrës për të kuptuar shpirtin, kujtesën e vdekjes, pa të cilën, asnjë pasazh i jetës nuk do të kishte kuptim.
Atëherë, ndoshta, ajo që i ndodh artistit, kur diçka nga brenda i flet apo i bën shamatë si prej një trekëndëshi të Bermudës, është meraku i zërit e i shamatës për ta kujtuar sesi aty kanë rënë njerëz, shumë njerëz, të rinj e pleq me gjuhë të tharë e sy të ngrohtë, të gjithë e gjithçka që të humbur e të trishtuar, shpresojnë me gjithë forcën e shpirtit të dalin, të çlirohen, të tregojnë.
Si unë sot, për Elizën, për pëshpërimën, e për të tjerë si unë e si ti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Kultura si paneton i ‘elitistēve’ partiakë

Letër nga Shkupi Në vendin tonë (RMV) janë publikuar dhjetëra shkrime gazetareske…

Kultura si mënyrë punësimi dhe përfitimi

Në shtetet në tranzicion kultura edhe më tej trajtohet si sektor që…

ESMERALDA TAÇE SHPATA për frymëzimin, procesin krijues, kohën…

SHQISA E GJASHTË Unë jam lexuesi i parë i vetes. Nëse “mirësjellja”…

Ora ime e prishur

Lazër Stani për kritikën letrare (Posaçërisht për Hejza)Çfarë është kritika letrare? Orvatja,…

Kur publiku mbetet në terr!

Letër nga Prishtina Muaj më parë bota u paralajmërua se po hymë…