Midis nesh

Kultura është shtylla vertebrale e çdo etnie. Gjykuar sipas koncepteve bashkëkohore, është i pavlefshëm secili komunitet apo shoqëri që i mungon kjo shtyllë! Kultura është “arka misterioze” e kodeve gjenetike të çdo populli.
Kultura si fenomen ka fuqinë përthithëse të investimeve siç e ka fuqinë mbrojtëse, por dhe të reflektimit të krenarisë dhe të dinjitetit kombëtar. Kultura është me sedër dhe kjo sedër kulturës mund t’i lëndohet nëse shpërqendrohemi si komb dhe për një çast humbim vëmendjen nga ajo! Në këtë rast, mbi kulturën do të shpërthejnë si çibanë, dezorganizimi, akulturimi, tallavaja, shundi, kiçi, krijimtaria letrare, artistike, skenike, do të shkretohen si mos më keq, komunikimi, qasja ndaj vlerave, ushqimi, veshja, bindjet mbi të bukurën, mbi fenë, mbi moralin, do të jenë reagim nga një instinkt i ulët.
Investimi në kulturë do të thotë shprehje e gjakimit të fuqishëm për të jetuar me dinjitet e me krenari, për të qenë i respektueshëm dhe i dashur prej të gjithëve që të rrethojnë e më gjerë. Kultura është pasqyra shpirtërore e një populli dhe sa më shumë që kjo pasqyrë të jetë e pastër dhe të shkëlqejë, aq më shumë tjerët do të lakmojnë të shihen në atë pasqyrë!
Pse gjuha amerikane, angleze, gjermane, franceze, janë elemente të kulturave gjegjëse që lakmohen më së shumti në botë! Sepse e kanë fuqinë e armatimit bërthamor? Sepse janë super fuqi botërore? Sepse kanë shumë avionë, aparatura mjekësore, robotikë shëndetësore, kompjuterë apo se kanë para shumë? Mbi të gjitha, për shkak të fuqisë kulturore që këta shtete e kanë dhe që kjo fuqi ka ndikim të cilit nuk mund t’i rezistojë askush në botë, mësa mund të rezistojë dikush pa oksigjen!
Gjuha shqipe këtë muaj ka një festë aq shumë të rëndësishme, sa me gjasë, populli shqiptar nuk e ka boshtin kurrizor për ta mbajtur tërë atë peshë jetike të kësaj ngjarje! Prej datës 14 nëntor e deri më 22 nëntor të vitit 1908 u mbajt Kongresi i Manastirit, në të cilin morën pjesë ajka e inteligjencies kombëtare e kohës, e cila do të themelojë alfabetin e gjuhës shqipe! Sot, vetëm shqiptarët e Maqedonisë së Veriut këtë 22 nëntorin e shënojnë si festë kombëtare. Kosova jo, kurse të rinjtë e Shqipërisë as që dinë se ku i bie Manastiri e jo që dinë se aty ka ndodhur diçka e rëndësishme për kombin shqiptar! Akoma shënohen dofarë festash partizane, dofarë fitoresh të imagjinuara, kurse kjo fitore kulturore e ndodhur para 114 vite, ngjarje kjo kur u hodhën themelet e kulturës sonë etnike, nuk përfillet fare as nga Shteti Shqiptar por as nga Shteti i Kosovës!
Fuqia e kulturës është e jashtëzakonshme edhe në rastin e mospërfilljes institucionale që i bëhet kulturës. Kjo fuqi, në rast të mospërfilljes si dhe mungesës së mosinteresimit, shpalosë mercenarët, shpalosë shpirtshiturit, patriotët me bateri; shpalosë sjelljet nonshalante të subjektit tonë shtetëror përballë “kutisë misterioze” të kodeve gjenetike të etnisë sonë!
Asgjë si kultura në të cilën investohet natë e ditë, nuk mund të dëshmojë për fuqinë shpirtërore dhe për vlerat e lashta e të padiskutueshme të një populli. Investimet në kulturë kthehen shumëfish në përfitime nacionale të pallogaritshme.
Fuqia e kulturës di të jetë edhe hakmarrëse, të shndërrohet në rrezik potencial kombëtar! Mos ruajtja e vlerave kulturore, mos investimi në ruajtjen dhe në trashëgiminë kulturore, mos angazhimi institucional që këto vlera të bëhen pasuri kulturore botërore, do të na kthehen bumerang, duke na trullosur me kundërmim të antivlerave e të “kulturave të kontaminuara” që sjellin vetëm degradim, degjenerim dhe tuhajësim shpirtëror.
Fuqia e kulturës është masë e vetëdijes dhe ndërgjegjes së institucioneve nacionale e shtetërore si dhe masë e seriozitetit të një populli për vlerat e veta materiale e shpirtërore! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Vizioni për kulturë letrare

Midis nesh Secili komb, në secilin shtet, ka figurat e veta emblematike,…

S’bëhet kultura me anonimë e servilë!

Për çka formohen dhe për çka shërbejnë partitë tona politike. Praktikat e…

Maqedonia e Veriut apo Maqedonia Veriore?!

Probleme gjuhësor Shteti i Maqedonisë shtrihet në një hapësirë të Maqedonisë së…

Interesimi i mediave për kulturë

Në fokus Nëse i hidhet një sy programeve vjetore të ministrive tona…

A jemi në fazën e ekzaltimit kombëtar!?

Sot vetëm të pabesët krenohen me besën, duke abuzuar sa herë që…