Kur flasim për Frida Kahlon, keqkuptimi më i zakonshëm është ndërlidhja e punës së saj me Revolucionin Meksikan. Esenca e Fridas nuk vjen nga konflikti i armatosur, por nga Meksika që u shfaq më pas.

Ishte pothuajse katër vjeçe kur Porfirio Diazi dha dorëheqjen si president i Meksikës në vitin 1911; ishte gjashtë vjeçe kur presidenti Francisco Madero u vra në vitin 1913; dhe, ishte shtatë vjeçe kur forcat konstitucionaliste mundën Victoriano Huertan dhe pushtuan kryeqytetin Mexico City në vitin 1914. Frida Kahlo ishte 10 vjeçe më 1917 – të njëjtin vit që u krijua Kushtetuta e re që shenjtëronte të gjitha parimet që përbënin bazën ideologjike të konfliktit të armatosur .

Revolucioni meksikan ishte si një ëndërr e keqe që e shoqëroi Fridan gjatë gjithë fëmijërisë; një hije që vinte e shkonte në jetën e saj personale dhe familjare, duke krijuar një ndjenjë shqetësimi dhe pasigurie.

Shtëpia e Kaltër e mirëpriti Magdalena Carmen Frieda Kahlo y Calderonin më 6 korrik 1907. Në atë kohë, Coyoacani ishte një qytezë e vogël në periferi të kryeqytetit, një vend pushimi dhe relaksimi që ruajti qetësinë edhe pas shkatërrimit të revolucionit që krisi më 1910.

Frida Kahlo në moshën katërvjeçare

Coyoacan duhet të kishte qenë vendi i përsosur për një fëmijëri të lumtur, por dhembja dhe vuajtja kapluan jetën e Fridas në një moshë shumë e re. Në vitin 1913 ajo u sëmurë me polio, një gjendje që dëmtoi shpirtin dhe besimin e saj (jo shumë për faktin se në shkollë iu dha nofka “Frida me këmbën kunj”). Sëmundja e la të izoluar nga bota e jashtme. E përballur me provokime të padurueshme, e shpiku një mik imagjinar që e shoqëronte përgjatë dhimbjes. Situata u menaxhua me kujdes, por pasojat shkatërruese ishin të pakthyeshme. Këmba e saj e djathtë u dëmtua rëndë.

Edhe financat e familjes pësuan teksa revolucioni përparonte. Kishte raste kur ata duhej të vënin shtëpinë në hipotekë, të shesin mobilet e madje të japin dhoma me qira. Më vonë, piktorja do ta kujtonte kohën rreth vitit 1915, kur trupat e Emiliano Zapatas patrullonin në Coyoacan dhe kur hasi në përplasje midis mbështetësve të Zapatas dhe të Venustiano Carranzas.

“Nëna ime”, kujton Frida, “do të hapte dritaret për të lejuar zapatistët. Ajo ndihmoi që të plagosurit dhe të uriturit të kërcejnë nëpër dritaret e shtëpisë për në dhomën e ndenjes. I ushqeu me tortilat e misrit, të cilat ishin të vetmet që mund të hanim në Coyoacan në atë kohë…”!

Coyoacani dikur

Familja Kahlo përjetoi revolucionin meksikan si shumica e 15 milionë banorëve të vendit në vitin 1910: si dëshmitarë të rastit, që përpiqen të ruajnë normalitetin e tyre për aq kohë sa të jetë e mundur. Në momentin kur lufta e armatosur mbaroi në vitin 1917, revolucioni nuk thoshte asgjë për Fridan: ishte ende një lëvizje e vogël në atë kohë dhe emrat që më vonë do të shkruheshin në legjendë – Madero, Carranza, Villa, Zapata – kishin pak kuptim për të.

“Autoportreti në vijën e kufirit mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”

Revolucioni ishte shenjë paralajmëruese për: Meksikanizmin. Në fillim të viteve 1920, për herë të parë në tërë historinë e pavarur, Meksika e pa veten qartë: zbuloi rrënjët e saj dhe historinë e vet, ushqimin, aromat dhe ngjyrat, fytyrat dhe tonet e ndryshme të lëkurës, muzikën, folklorin, doke dhe zakonet. Ishte një rilindje nacionaliste dhe shfaqje e një identiteti kulturor.

Në vitin 1921, përmes Ministrisë së Arsimit Publik, Jose Vasconcelos nisi një kryqëzatë që bazohej në këtë ideologji, për të cilën ftoi shkrimtarët, artistët dhe muzikantë. Ai i ofroi muret e kishave, të ndërtesave publike dhe të shkollave për piktorët, për ta treguar historinë e Meksikës. Këto mure u mbushën me simbole meksikane: florën dhe faunën, vullkanet, liqenet, qiejt, veshjet kombëtare dhe etnitë e ndryshme, dhe të gjitha me një vizion të veçantë të historisë së vendit.

Mund të thuhet se Frida Kahlo e zbuloi Meksikën në vitin 1922, kur ajo u bashkua me “Escuela Nacional Preparatoria”, si një nga 35 femrat e vetme që regjistroheshin në këtë institucion të njohur. Me një pasion adoleshent, ajo thithi atë meksikanizmin: një nacionalizëm që nisi me Revolucionin Meksikan, por shkoi shumë përtej.

Portreti i Frida Kahlos në oborrin e shtëpisë së saj

Në atë kohë ajo as nuk mendonte për veten si një artiste, por nuk mund t’i shpëtonte vorbullës së Meksikanizmit që po kaplonte vendin nën qeverinë e Alvaro Obregonit, duke u shfaqur në të gjitha fushat e dijes dhe edukimit. Nuk ishte revolucioni që frymëzoi Fridan, por meksikanizmi që përfundimisht u ngulit në ndërgjegjen e saj.

Krahas kësaj, mendimet e Fridas dhe idetë e saj rreth botës u ndikuan gjithashtu nga një ideologji që ishte në kulm në fillim të viteve 1920: socializmi! Parimet e tij kishin arritur në Meksikë pak vite më parë, dhe disa ideologë kryesorë të Revolucionit kishin përhapur fshehurazi mesazhin e tij. Megjithatë, triumfi i Revolucionit Rus në vitin 1917 dhe krijimi i Bashkimit Sovjetik në vitin 1922, i dha një shtytje përfundimtare kësaj. Nuk ishte rastësi që Partia Komuniste Meksikane u themelua në vitin 1919. As nuk ishte rastësisht që në funeralin e Fridas në vitin 1954, në Palacio de Bellas Artes (Pallati i Arteve të Bukura), Diego vendosi flamurin e partisë komuniste në arkivolin e saj.

Pamje nga ceremonia e varrimit të artistes së madhe

Frida asimilonte parimet socialiste, të cilat ishin një përshtatje e natyrshme me teorinë nacionaliste të periudhës. Ajo merr pjesë në grupet si “Los Cachuchas” dhe më vonë u bashkua me Lidhjen e Re Komuniste më 1927. Që nga ai çast, meksikanizmi dhe socializmi e formuan të menduarit Fridas deri në fundin e jetës së saj. Kjo u përforcua nga marrëdhënia e saj e fortë me Diego Riveram – një komunist në shpirt – të cilin e takoi në vitin 1928.

Sidoqoftë, meksikanizmi, socializmi dhe madje edhe ndikimet e caktuara të Revolucionit Meksikan nuk ishin burimi më i madh i frymëzimit të Fridas. Origjina e krijimtarisë së saj mund të gjurmohet më 1925, kur autobusi me të cilin po udhëtonte në shtëpi, një ditë u godit nga një tramvaj. Trupi i saj i thyer e mbushi me dhimbje deri në fund të jetës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Mbi origjinën ilire të gjuhës shqipe

Kumtesa e mbajtur në vitin 1982 në Beograd nga dr. Idriz Ajeti,…

Shqiptari Fetah Efendiu sipas dokumenteve të UDB-ës jugosllave

Pas vdekjes së Ataullah Hoxhës (dhjetor të vitit 1946), për udhëheqës të…

Mohamed Salmawy: Një film për mbretin shqiptar të Egjiptit, Mohamed Ali

Më shumë se 3 shekuj më parë, një familje nga Zëmblaku i…

Biografi për të famshmin Ali Pashë Tepelena

Nga Aurenc Bebja/ “La Quotidienne” ka botuar, të shtunën e 29 nëntorit…

Përshkrimi i udhëtimit të udhëpërshkruesit të njohur gjerman: Johann Georg von Hahn gjatë vitit 1858, nëpër trevat shqiptare të Leskocit

Serbët e shkruajnë se Hahn, kishte shprehur shumë interesim për ti vizituar…