HEJZA me Sulejman Rushitin, regjisor

Regjisori i njohur nga Gostivari Sulejman Rushi, një pjesë të jetës e kaloi në Tiranë, ku studio në Akademinë e Arteve. Pas përfundimit të studimeve, ai u shqua për realizime të suksesshme në shumë teatro të hapësirave shqiptare, duke fituar edhe mjaft shpërblime nëpër festivale te teatrove. Të shumta janë angazhimet e tij jo vetëm në skenë, por dhe prapa kamerës.

HEJZA: Si do të dukej skena teatrale që do të paraqiste situata kombëtare nga realiteti dhe përditshmëria jonë? Si ta bëjmë të dobishëm këtë skenë për auditoriumin tonë? Ku është kufiri në mes të katarsisit dhe irritimit, zhgënjimit, arratisjes nga identiteti…

RUSHITI: Jam i shtrënguar të pohoj që situata jonë aktuale, mbarëkombëtare, ngjan me një burleskë apo me një bufonadë pa përmbajtje dhe pa formë apo me formë ameboide. Kjo gjendje kiçi prodhon kiç, sepse në këtë zhbërje, apati dhe anemi, nuk prodhohen as heronj as antiheronj. Nuk lindin as konflikte dramatike, por vetëm kore kakafonish pafund që nuk janë më tërheqës për teatrin e mirëfilltë, andaj prodhohen shfaqje pa thellësi dramatike, vetëm copëza vizuale, etyde të ngjitura pa ndonjë lidhje, pa unitet stili, dramaturgji- pa teatër. Sepse teatri jeton në shoqëritë me oscilime. Jeton në shoqëritë disidente. Teatri vdes në shoqëritë oportuniste. Teatri ndër ne po jep shpirt!

HEJZA: Pse nuk kemi rryma teatri? Sepse bien ndesh me politikat banale kombëtare prej të cilave varet, fatkeqësisht, edhe jeta kulturo-artistike, apo nuk kemi krijues origjinal shqiptar që do t’i provokonin këto rryma që e mbajnë në funksion të përhershëm aparatin e frymëmarrjes së identitetit kulturor kombëtar!

RUSHITI: Kemi fatin e keq që duke dashur t’i kompensojmë vitet e humbura, nga sistemi i kaluar, mungesën e artistëve teatror, kemi ulur kriteret dhe kemi prodhuar kuadro të cilët nuk kanë thellësinë intelektuale për të ndjekur filozofitë e ndryshme që është parakusht i krijimit të një rryme përkatëse. Për fat të keq, kemi aktorë që lexojnë vetëm pjesën e vet tekstit pa e njohur veprën e plotë dhe kemi regjisor që propozojnë tekste pa i lexuar, madje pasi i vënë në skenë i lexojnë gabimisht. Kjo kategori nuk mund të bëjë dot profilizime dhe krijim të rrymave. Për të krijuar dhe kultivuar rryma kërkohen njohje të thella të filozofive që paraprijnë rrymave artistike.

HEJZA: Cilat janë politikat kombëtare të shteteve dhe të lidershipit tonë në raport me identitetin tonë kulturor?

RUSHITI: Incidentale! Politikat mbarëkombëtare në raport me teatrin janë të paqena. As që e kanë në agjendë, përveç kur bëhet fjalë për ndonjë ja ndërtim ose ndonjë tender. E keqja është se politikanët tanë në teatër shkojnë pasi marrin poste. Për fushatë! Një zot e di se si durojnë gjatë shfaqjes. Shpesh u ndriçon fytyra gjatë shfaqjes, nga drita e celularit!

HEJZA: A na mungon apo a na duhet një TEATËR KOMBËTAR (gjithë-shqiptar) dhe sa mund ta quajmë “kombëtar” një teatër që prezanton ekskluzivisht vlerat e huaja? Apo, nëse dramaturgjia kombëtare e mbanë në jetë një “teatër etnik”, atëherë teatrot me “politika autoktone” për të prezantuar vlera ekskluzivisht të huaja, e vdesin dramaturgjinë kombëtare!

RUSHITI: Teatri kombëtar duhej të themelohej që nga ditët e para të pluralizmit. Akoma pa u prishur deri në fund kriteret e pa u përmbysur vlerat. Teatrot kombëtar në botë janë creme de la creme, janë superstruktura e grumbulluar në një vend. Më e mira e një kombi. Ndërsa në këtë periudhë të vlerave të përmbysura, të vlerave të imponuara nga interesat meskine politike e parapolitike, vështirë se do depërtonte kremi i shoqërisë në këtë teatër kombëtar. Pra, vlerësoj se edhe po të formohej tani, kujtoj që do të ishte një institucion i partizuar si të gjithë të tjerët.

HEJZA: Në bordet e teatrove tona, por edhe në “këshillat artistik”, më tepër ka peshë fjala e përfaqësuesve politikë apo e artistëve të politizuar, se sa komuniteti i regjisorëve? Kush i bën ndër ne politikat teatrore: politika ditore apo “i zoti” i Shtëpisë së Talias?

RUSHITI: Janë një mori sëmundjesh vdekjeprurëse nga të cilat lëngon teatri jonë. Nga bordet e partizuara, drejtorët e partizuar e deri te sëmundja më kancerogjene e teatrit, festivalet! Festivalet për mendimin tim, nga një platformë takimesh, workshopesh e debatesh, u shndërruan në arena të dekadencave morale e të korrupsionit. Festivalet janë vetëm për përfitime materiale të organizatorëve, ndërsa pazarllëqet që bëhen, në të shumtën e rasteve, e vrasin teatrin e lënduar nga moskujdesi i politikës dhe menefregizmi i intelektualëve.

HEJZA: I kujt është teatri? Çka përfaqëson teatri në një shoqëri të civilizuar? Ne, si komb, sa bëjmë për teatrin? Në ç’pozita është sot teatri shqiptar? A i duhet politikave tona kombëtare një qasje më serioze, më e dinjitetshme, në raport me dramaturgjinë tonë origjinale, si zhanër letrar jashtëzakonisht i rëndësishëm në krijimtarinë tonë letrare!

RUSHITI: Mendoj që teatri shqiptar gjithandej është në krizë. Në krizë morale. Kriza materiale është një pikë në oqean në raport me atë moralen që e ka kapluar komunitetin teatror. Ky komunitet nuk reagon as për të drejtat e veta e le më për drejtësi në shoqëri. Teatri nuk ka kuptim nëse nuk është kritikë dhe fshikullim ndaj veseve të shoqërisë. Dhe, në këtë kohë të privilegjuarit e pushtetit nuk bëjnë dot disidencë, andaj merren me pjesën e jashtme vizuale, pa thellësi, vetëm me klishe, shpesh me elemente të reklamimit të “skandalizimit” me “avangarda” të paqena duke mos trajtuar asnjë problem real të shoqërisë. Ndërsa dramaturgjia?! Mendoj se është neglizhuar shumë. Nuk ka më konkurse. As politikë stimuluese. Thjeshtë, dramaturgjia po mbijetoi. Do të mbijetojë falë dashurisë së dramaturgëve. Politikave tona kombëtare u duhet një teatër i fuqishëm që do t’i trazonte dhe t’i shkundte njëherë e mirë politikën. Teatri gjithmonë u ka parapri revolucioneve. Ne kemi nevojë për revolucion mendimi!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Për kulturën teatrore që na mungon

Letër nga Shkupi A do t’ia dijë dikush se çfarë po ndodhë…

Komedi mbi një tragjedi të trishtë

Letër nga Tirana Teatri Kombëtar ka vendosur që në skenë të vë…

Mohamed Salmawy: Një film për mbretin shqiptar të Egjiptit, Mohamed Ali

Më shumë se 3 shekuj më parë, një familje nga Zëmblaku i…