Midis nesh

Deri dje, për inteligjent merrej personi me njohuri dhe të arritura akademike! Tashmë kemi tjetër përkufizim për inteligjentin: ai që arrin njohuritë akademike t’i shtyjë më tej; personi që di qartë t’i bartë dhe t’i artikulojë të arriturat akademike dhe prej kësaj të ketë dobi komuniteti, kombi, shoqëria!
Pa dyshim që kemi të bëjmë me një evoluim të definicionit mbi inteligjentin! Në shoqërinë shqiptare ky evoluim është shumë i dukshëm! Fatkeqësisht, e kemi edhe devalvimin deri në humbje të tërësishme të përkufizimit të inteligjencës.
Në historinë relativisht të re (200-300 vite më parë) shqiptari inteligjent ka qenë ai që ka ditur ta predikojë dhe ta përhap qartë frymën e shenjtë. Pastaj, edhe më intelektual ka qenë kryeplaku përskaj oxhakut të odës që ka pasur mençuri e urtësi kanunore si për zgjidhjen e problemeve të ndryshme, po ashtu edhe për orientimin e familjes, të rrethit, të komunitetit kah e mbara dhe e mira. Tevona vjen faza e shkëputjes prej analfabetizmit; intelektualë, në fakt, njerëz të mençur, janë llogaritur ata që kanë ditur shkrim-leximin, ata që ndër popullin shqiptarë kanë dalë me ndonjë vepër të shkruar, por edhe ata që kanë qenë të dalluar si strategë në ballë të proceseve politike dhe luftarake, respektivisht ata që kanë përhapur idealin kombëtar duke e ngritur dhe duke i dhënë peshën e ekzistencës kombëtare.
Një kohë të gjatë në shoqërinë shqiptare inteligjent është llogaritur ai që ka mësuar te hoxha apo te prift, madje edhe ai që ka pasur një bukurshkrim të theksuar. Ky tip ”intelektuali” e ka bjerrë tërë kohën duke ua lexuar familjeve të ndryshme shkresurinat administrative si dhe duke u shkruar letra fëmijëve nëpër ushtri të ndryshme që u dihej adresa. Vijnë mësuesit, të cilët një kohë të gjatë kanë qenë ajka e inteligjencies shqiptare! Pastaj, vjen edhe njohuria akademike! Magjistra e doktorantë numëroheshin në gishta të një dore, kryesisht gjatë viteve 1945-1990!
A kanë ndryshuar kriteret që mundësojnë përkufizimin e intelektualitetit! Kemi mijëra klerikë që ta pështirosin edhe fenë! Kemi mijëra mësues, mijëra profesorë, mijëra “shkencëtarë” me tituj magjistra e doktorë, kemi qindra akademikë, qindra gazetarë, mijëra studentë! Në mesin e tyre kemi shumë bashkëpunëtorë të shërbimeve inteligjente nga e kaluara, por dhe sot; kemi shumë persona “intelektualë” të shantazhuar dhe që shantazhojnë; në mesin e tyre kemi shumë matrapazë, demagogë e mediokër; kemi kuazi-shkrimtarë që kanë me dhjetëra botime, por që nuk e kanë vlerën dhe kapacitetin intelektual të, për shembull, Konstadin Kristoforidhit, apo të librit të tij, Gjahu i malësorëvet!
Pa dyshim, nuk je intelektual nëse nuk ke tituj shkencor. Kështu mendojnë “akademikët” tezgaxhinjë të “titujve”. Si pasojë kemi shumë “intelektualë” dr. e mr., me tituj të blerë, me tituj të marra, duke keqpërdorur “aktivitetet luftarake” nëpër UÇK-të! “Intelektualë” të rreptë që në jetën e vet nuk kanë lexuar më shumë se nja dy-tri libra me përralla!
Edhe sot, si dikur, kemi intelektualë që publikisht, para foltoreve të parlamenteve, mundohen t’i artikulojnë nevojat dhe kërkesat kombëtare, edhe pse tërë ditës rrinë duk spiunuar e tradhtuar; ngrenë zërin kundër një padrejtësie, edhe pse tërë ditës rrinë, hanë e hingërizen me ata që ushtrojnë padrejtësi; të angazhohen për zhvillimin e shoqërisë, të institucioneve e të shteteve tona, edhe pse kanë arritur te një pasuri marramendëse dhe nuk denjojnë ta ndihmojnë qoftë një student në ndonjë universitet të huaj me ndonjë bursë modeste mujore; për zhvillim të shoqërisë hapin universitete, fakultete, institucione private prej nga shesin diploma e “tituj shkencor” për secilin “intelektual” që i duhet për CV!
Nëse intelektualët e dikurshëm shkrinë pasuri e u flijuan për komb e për atdhe, sot të gjithë treguesit flasin se, intelektualet e sotëm shkrijnë atdheun dhe e flijojnë kombin për interesa të veta meskine. A luftuan të parët tanë, a u rraskapit ekonomikisht familja jonë për këtë biçim intelektuali?!
Pak besëtytni! Në mesin e një shoqërie intelektualisht të përdalë, ka edhe Mesi për mëshirë të të cilit shoqëria ia del që mos të batardiset fare. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Afirmimi i letërsisë shqiptare në përmasa ndërkombëtare

Midis nesh Në përmasat ndërkombëtare letërsia shqiptare kryesisht identifikohet me Ismail Kadarenë,…

Kultura si paneton i ‘elitistēve’ partiakë

Letër nga Shkupi Në vendin tonë (RMV) janë publikuar dhjetëra shkrime gazetareske…

Të gjithë shqiptarët janë poetë

Midis nesh Poezia është krijim letrare i cili vjen si produkt i…

Hajredini: Grubi po i përsërit premtimet e rrejshme të Musa Xhaferit të vjetra më shumë se 10 vite

Albert Hajredini / Vendosja e një figure antipatike për elektoratin shqiptar në…