Midis nesh

Disa nga përpiluesit e antologjive të ndryshme poetike jo vetëm që janë injorantë, por edhe arrogantë, saqë, sipas logjikës së tyre të mbrapshtë, për disa dështime, nuk skuqen fare që fajin t’ua hedhin autorëve, të cilët as që pyeten për faktin e përfshirjes së tyre në ato antologji, të cilat përgatiten brenda natës pa u respektuar as kriteret elementare.
Kritere të tyre janë miqësia dhe prapavijat plot intriga. Dhe sapo dalin, bëhet një zhurmë dy – tre ditësh dhe pastaj i përpin harresa.
Shumica e autorëve të përfshirë në ato antologji njoftohen vetëm përmes mediumeve apo rrjeteve sociale, ndërkaq kjo nënkupton se këtyre autorëve nuk u sigurohet së paku një ekzemplar. Kështu, autorët që jetojnë, sidomos në perëndim, duhet të pajtohen vetëm me një fakt, me lajmin se një apo dy poezi të tyre janë botuar në “antologji”.
Respekti nuk nënkupton vetëm përfshirjen (e merituar) në antologji, por edhe angazhimin që një apo dy ekzemplarëve të shkojnë në duart e autorëve që së paku ta ndjejnë një lloj kënaqësie. Ne veçanti, kjo vlen për ata autorë (që janë nga Shqipëria e që jetojnë në perëndim) të përfshirë në antologjitë që botohen në Kosovë. Por, e njëjta vlen edhe për ata autorë (nga Kosova) që përfshihen në ndonjë antologji që botohet në Shqipëri.
Prandaj, projektet e këtilla kërkojnë një qasje serioze, që nga përzgjedhja, përgatitja e deri te promovimi. Në vend të kësaj, askush nuk e çan kokën që në të tilla projekte manifestohet një diletantizëm i pashoq, një amatorizëm i skajshëm, por edhe mungesë qytetarie. Promovohen antologjitë pa qenë prezent autorët e përfshirë në të.
Nga ana tjetër (ku ka tym, ka zjarr), flitet se disa përpilues shndërrohen edhe në sekserë dhe, prapa perdeve, caktojnë një çmim për t’u “futur” në antologji. Ndaj dhe nuk duhet të habitemi kur nëpër këto antologji vërejmë emra të panjohur, në të cilat dukshëm ka “autorë” që jetojnë e veprojnë në Perëndim dhe të cilët kanë dëshirë të bëjnë emër më letërsi edhe përmes këtyre formave, të cilat janë më së të dëmshme për tërë shoqërinë shqiptare.
Është e çuditshme (ndonëse e tejdukshme) dëshira e atyre që si e si të bëhen autorë antologjie, duke krijuar situata sa me ngjyrime humori, aq edhe me ngjyrime mjerimi. Prandaj, atë që vendosin të realizojnë projekte të tilla pos seriozitetit, duhet të tregojnë minim respekt për autorët, letërsinë, librin, kulturën, por edhe për shoqërinë shqiptare…/HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Mediatizimi kulturor dhe heshtja institucionale

Letër nga Tirana Sot mediat elektronike luajnë një rol jashtëzakonisht të madh…

Maqedonia e Veriut apo Maqedonia Veriore?!

Probleme gjuhësor Shteti i Maqedonisë shtrihet në një hapësirë të Maqedonisë së…

Fytyrat pa fytyrë

Midis nesh Të qenë i pafytyrë do të thotë t’ia kthesh vetes…

Neviana Shehi: TË TRAJTOHEMI SI VLERË, E JO SI PORTOFOL ME EURO E DOLLARË

Me shkrimtarë të diasporës: NEVIANA SHEHI Neviana Shehi është lindur në Durrës…

LIBRI DHE BARBARIA DOGANORE

Midis nesh Pesëdhjetë udhëtarë në një autobus do ta kalonin kufirin pa…