NEVIANA SHEHI, për frymëzimin, procesin krijues, kohën…


Ndonjëherë më duket se jetojmë në një kohë pa kohë, ndaj dhe sikur nuk kemi me çfarë ta sfidojmë këtë kohë. Midis momenteve, e momentet janë format më të imta të kohës, ne duhet ta gjejmë një shteg, ku graviteti frymëzues është zero dhe ku liria është absolutet, pra e pa ndikuar nga asnjë forcë.
Dhe kur flasim për kohën, duhet theksuar se e kaluara është një gjendje emocionale dhe lidhet me kujtimet e fëmijërisë, rinisë, me të dashurit që s’jetojnë më. E tashmja është gjendje aktive, gjendje ekzistenciale, kurse ardhmja gjendje që në vete ngërthen shumë të panjohura dhe, mbase edhe frikë.
Është e natyrshme se e gjithë larmia dhe shumëllojshmëria e këtyre frymëzimeve në qendër të tyre kanë lirinë. Nëse do ta zgjeronim kufirin e perceptimeve dhe vizioneve tona, do të shikonim se koncepti i lirisë është dhe mbetet më kryesori. Është pikërisht ai koncept që vë në punë motorin e frymëzimeve tona dhe ju jep atyre më gjallëri dhe peshë logjike.
Akti i frymëzimit padyshim se është një akt hyjnor. Është një gjendje shpirtërore që jo gjithkush ka fatin ta provojë. Sigurisht, krijimi në vetvete është një punë e lodhshme dhe e mundimshme, sepse është një rrugë përplot me dilema, kurthe, pakënaqësi, një rrugë që ndodh të çon dy tre hapa para dhe pastaj të kthen dhjetë hapa prapa. Nëse autori kërkon ta çlirojë veprën e tij nga kufizimet e kohës, duhet patjetër të dalë mbi të, duke krijuar në imagjinatën e tij heronj dhe modele që do të jenë jo vetëm për një kohë të caktuar, por të gjithkohëshme, siç janë bie fjala, veprat e Homerit, Iliada dhe Odiseu, të shkruar para më shumë se 2700 vjetëve. Ne kemi lirinë absolute që personazhin e veprës ta çojmë në të kaluarën e ta kthejmë në të tashme. Jemi të lirë ta vendosim në një kohë të ardhme, duke krijuar një ambient, që do të ishte prodhim i fantazisë sonë. Prandaj koha nuk është komponentë që na kufizon, përkundrazi. Në kontekst të kësaj, më duket se si pengesë na paraqitet e tashmja reale që ravijëzohet në përditshmërinë tonë.
Në proces kam një libër me tregime poetike, sepse krahas poezisë që moti më intrigon edhe tregimi. Jam diku nga fundi i sistemimit të ashtuquajtur bruto material, i cili muajve në vijim, do t’i nënshtrohet një përpunimi më të thukët, për t’ia dhënë dorën e fundit. Deri në këtë proces vetes i kam dhënë një liri të plotë për sistemin e materialit, kurse tani kjo liri merr trajtë tjetër, sepse kërkon më shumë kohë, e cila, jam e vetëdijshme, se do të përcillet edhe me momente ankthi. Prandaj, koha e finalizimit kërkon një qetësi shpirtërore maksimale, e cila armikun më të madh do ta ketë dinamikën e kohës, dinamikë kjo që përshkohet me shumë trysni.
Dhe shtrohet pyetja: si te arrihet deri te ajo qetësi shpirtërore që të jesh ti dhe vetëm ti, vetë, dhe jo vet e dyzeta, siç themi shpesh. Pra, pengesat krijuese janë të pashmangshme, ndaj dhe përpjekjet bëhen në shumë drejtime, për të arritur deri te finalizimi i projektit. Frymëzimi, liria dhe koha janë tri shtylla, pa të cilat vështirë se do të arrihej realizimi i një vepre letrare. Ndonjëherë kemi frymëzim, por s’kemi kohë, ndonjëherë kemi kohë, por nuk jemi të lirë, ndonjëherë e kemi lirinë, por na mungon frymëzimi. Prandaj, përpjekja për të arritur që këto shtylla të shkrihen në një në shpirtin e shkrimtarit ndonjëherë është e dhimbshme, ndonjëherë kërkon sakrifica dhe në të shumtën e rasteve thjeshtë dorëzohesh dhe pret një moment më të volitshëm për ta kapur trenin që, megjithatë, nuk është i fundit.
Në kontekst të kësaj do ta përmend një dyvargësh të Azem Shkrelit, i cili mbase i vë pikën kësaj çështje:
Unë po ia mësoj mendimit tim
një dhimbje të re…/HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

BOTUES SERIOZ ME BOTIME JOSERIOZE

Midis nesh Nëse herë pas herë konstatojmë se ekziston edhe mafia letrare,…

Fytyrat pa fytyrë

Midis nesh Të qenë i pafytyrë do të thotë t’ia kthesh vetes…

Favorizimet dhe diskriminimi kulturor

Midis nesh Favorizimet kulturore janë dukuri që shprehen si pasojë e urdhrave…