Metodën komuniste pesëdhjetëvjeçare për ta shtrirë zhvillimin kulturor shqiptar vetëm në tri rrafshe (në botime, në skenë teatrale dhe në ansamble folklorike amatoreske), tash e njëzet vjet demokraci po e zbatojnë vullnetarisht dhe me mburrje edhe subjektet tona politike, shoqatat tona si dhe personat që mëtojnë të merren me aktivitete kulturore shqiptare
Shkruan: Avni Halimi

Janë një mori projektesh kapitale të ndërmarra nga Qeveria e Nikolla Gruevskit, të cilat, jo vetëm që e bëjnë konkurrente të drejtpërdrejtë në jetën dhe në aktivitetet e përditshme kulturore por që hedhin hije dyshimi edhe mbi qëllimin e pushtetit politik për t’u marrë me veprimtari kulturore. Janë institucionet, shoqatat, ojq-të, subjektet e ndryshme juridike e fizike që konkurrojnë në programin vjetor të ministrisë dhe që u përket ekskluzivisht atyre që të merren me zhvillimin e aktiviteteve dhe jetës kulturore.
Projektet kapitale më të mëdha të cilat i inicoi dhe që i financoi Qeveria përmes Ministrisë së Kulturës janë ato që i përkasin veprimtarisë botuese: projekti 130 vëllimësh i letërsisë maqedonase, letërsia e Nobelistëve, letërsia e yjeve botërore (mbi 400 tituj), letërsia ortodokse maqedonase etj. Qeveria, përkatësisht pushteti, sapo hetoi se mund të ketë reagim nga shtëpitë botuese kundër kësaj konkurrence të pandershme, menjëhere gjeti bartësin e këtyre projekteve. Gafa e radhës: si botuese e projekteve kapitale të Qeverisë na del një institucion nacional shfrytëzues i buxhetit shtetëror (Biblioteka nacionale).
Të gjitha këto projekte kapitale, të gjitha ato godina grandioze kulturore, të gjitha ato instalacione artistike mbi ura e mbi godina, ato kompozicione skulpturash, ato botime e sërë aktivitetesh të tjera kulturore etnikisht të pastra maqedonase, e bëjnë Ministrinë e Kulturës si grykën e babëzitur që e shterron papushim buxhetin e përgjithshëm të shtetit. Çdo gjë këtu bëhet në emër të kombit dhe në emër të përforcimit të identitetit të ri kulturor maqedonas. Në emër të kësaj kauze mund të falimentojë edhe shteti, ashtu siç “falimentoi” etika e elitës maqedonase. Sepse, në këto projekte u përfshinë të gjitha shtëpitë botuese maqedonase, të gjithë shkrimtarët, përkthyesit, klerikët maqedonasë dhe, kësisoj, pothuajse nuk ngeli asnjë zë kritik antiqeveritar pa copën e vet nga keku i Qeverisë.

(De)balanci kulturor

Pa dyshim, për këto vite qeveria në rrafshin kulturor ka krijuar një disbalancë të tmerrshme për të mos thënë që ka ushtruar një politikë raciste të egër. Këtë politikë përpiqet që ta kamuflojë përmes digasterit të vet, Ministrisë për kulturë, e cila, paksa në mënyrë më akademike e “zbut” disbalancin kulturor. Kjo “zbutje” i duhet sa për të krijuar një imazh të Maqedonisë si shtet që “vlon” nga diversiteti kulturor. Sepse kjo sjell investime dhe buxhete të majme nga organizatat ndërkombëtare. Por, aty ku madhërohet kultura e një etnie ndërsa kulturat e etnive të tjera mbahen me “serume” me afate të skaduara, aty vdekja e diversitetit ndodhë çdo vit, çdo muaj, çdo ditë, çdo minut.
“Balancin kulturor” Ministria përkatëse e dëshmon përmes publikimit në media të programit të vet vjetor, i cili i ngërthen të gjithë subjektet juridike e fizike si dhe titujt e të gjitha projekteve që kanë kaluar nga komisionet përkatëse, përkatësisht nga këshilli nacional për kulturë, trup ky më i lartë këshilldhënës i ministrit, në përbërjen e të cilit janë akademikë e profesionistë të ndryshëm, që të gjithë maqedonasë. Identik si ky trup këshilldhënës është edhe një tjetër, këshilli nacional për bashkëpunim me UNESKO-n, i cili bëri gjithçka që ta fusë nën mbrojtjen e kësaj organizate ndërkombëtare Ohrin, si trashëgimi kulturore maqedonase, ndërsa ta fshehë faktin se edhe në Ohër, në Prespë e në Strugë, jehon, dëgjohet dhe kultivohet polifonia shqiptare, ngjashëm si në Jug të Shqipërisë, e që UNESKO e trajton si pasurinë e paçmueshme të thesarit kulturor botëror. As UNESKO, as ministria për kulturë, as këshillat nacionale të saj, por as subjektet tona politike nuk e dinë se, në zonën e Karadakut të Shkupit, përkatësisht në trekëndëshin Kumanovë-Preshevë-Gjilan, është një “skenë” kombëtare shqiptare, e cila ndonëse e ngushtë, mund të jetë fenomen në botë me një numër aq të madh vallesh burimore të trashëguara që nga kohërat e hershme e që luhen edhe sot e kësaj dite.
Është edhe një këshill tjetër pranë kësaj Ministrie: këshilli nacional për trashëgimi kulturore, i cili, lejon dhe miraton që, Xhamia e Larme e Tetovës, apo Xhamia e Isa Beut e Shkupit, të prezantohen nëpër botë si trashëgimi kulturore jomaqedonase, por që nuk mund të jenë trashëgimi kulturore shqiptare! Sepse, për ne shqiptarët aty kanë hise të gjithë etnitë që i përkasin konfesionit islam, ndërsa për maqedonasit shpjegohen si kulte kulturo-fetare që i përkasin komunitetit maqedonë të islamizuar!
Programi nacional për kulturë është dokumenti i vetëm transparent nga i cili dalin dy synime kontraverse! Synimi kryesor i politikave kulturore maqedonase për të dëshmuar para faktorit ndërkombëtar se janë për diversitete kulturore, sepse aty vërehen të miratuara me dhjetra projekte nga “kultura shqiptare” dhe, synimi i dytë, i subjekteve politike shqiptare për t’u mburrur para elektoratit shqiptar se çfarë “hapash galopantë” po ndërmarrin në të mirë të kulturës kombëtare të shqiptarëve të Maqedonisë. Synimi i parë, nga pala maqedonase, në qarqet e tyre elitare, shpjegohet si synim i arritur dhe mjaft i suksesshëm, i pranueshëm nga faktorët e vendit dhe i përkrahur nga ndërkombëtarët, ndërsa nga “qarqet elitare” shqiptare të vendit shpjegohet si program që reflekton politikat diskriminuese antishqiptare.
Synimi i dytë nga “qarqet elitare” shqiptare shpjegohet si qëndrim diletant, mospërfillës madje dhe mohues i subjekteve politike shqiptare karshi kulturës dhe thesarit kulturor shqiptar në Maqedoni. Ky synim i subjekteve politike shqiptare flet për mungesën e koncepteve të tyre për kulturën, për mungesën e seriozitetit të tyre për institucionalizim të kulturës shqiptare, flet për shpirtin e tyre akulturor dhe, mbi të gjitha, flet për programet e tyre politike shumë të varfëra kombëtarisht.
Në të gjitha shpjegimet mbi këta dy synime e vërteta është vetëm dhe vetëm në anën e “elitës kulturore” shqiptare!

Shqisat e një etnie

Metodën komuniste pesëdhjetëvjeçare për ta shtrirë zhvillimin kulturor shqiptar vetëm në tri rrafshe (në botime, në skenë teatrale dhe në ansamble folklorike amatoreske), tash e njëzet vjet demokraci po e zbatojnë vullnetarisht dhe me mburrje edhe subjektet tona politike, asociacionet tona si dhe personat që mëtojnë të merren me aktivitete kulturore shqiptare. E tërë lufta bëhet që të rritet numri i titujve në botime, numri i premierave teatrale që nuk kalon më shumë se tri dhe, pjesëmarrja e ansambleve amatoreske në ndonjë festival provincial në Kosovë, në Shqipëri apo edhe në Turqi.
Shtëpitë e shumta botuese shqiptare (por edhe të tjerat) aktivitetin e vet parësor e kanë biznesin. Nuk janë subjekte që prodhojnë kulturë, por, subjekte që nxjerrin në treg prodhime nga kultura letrare si mallin e tyre tregëtar. Ndaj, lufta e subjekteve politike për ta shtuar sa më shumë numrin e titujve të librave shqip që botohen brenda një viti, aspak nuk i shkon në xhep letërsisë shqiptare, por, ekskluzivisht botuesve! Madje, fatkeqësisht, ndër shqiptarët e Maqedonisë për momentin nuk kemi më shumë se nja 3-4 poetë të verifikuar, më shumë se nja dy-tri romancierë, nuk kemi më shumë se nja dy-tri dramaturgë, nuk kemi më shumë se nja dy-tre shkencëtarë të letërsisë. Asnjë shtëpi botuese nuk i boton këta autorë, sepse duhet t’u paguhet honorari si e drejtë autoriale. Ndaj dhe stërbotojnë tituj nga fondi i traditës si dhe tituj të përkthyer shkel e shko nga gjuhët e ndryshme. Me këtë veprimtari që dikush e përcepton si aktivitet kulturor në fakt bëhet një kontaminim i letërsisë shqiptare, një plagosje e librit shqip si dhe një bastardim i gjuhës shqipe përmes shumë përkthimeve diletanteske.
A guxojmë ta konceptojmë teatrin si një godinë ku kultura teatrale merr kuptim vetëm nga numri i premierave! Teatrot nuk ekzistojnë për premiera, ndonëse premierat shtojnë numrin e repertoarit të përgjithshëm të një teatri. Mbi të gjitha, shtëpitë teatrale përgatisin premiera sa për t’u prezantuar nëpër festivale të ndryshme mbarëkombëtare e ndërkombëtare. Teatrot funksionojnë dhe marrin kuptim vetëm kur të shtohet numri i përsëritjes së shfaqjeve. Sa më shumë që përsëriten shfaqjet aq më shumë rritet kultura teatrale e një populli. Veç kësaj, shtimi i numrit të përsëritjeve të shfaqjeve i mbanë në kondiksion të gjithë aktorët e teatrit madje shton edhe nevojën për punësime të reja, për aktorë të rinj e të gatshëm për ta bartur mbi supe peshën e repertoarit të gjërë të teatrit. Me premiera të cilat mund të jenë dy-tri në vit jo vetëm që zvetënohet talenti i aktorëve por dhe kultura teatrale do të zhvillohet vetëm aksidentalisht. Teatri nuk është vetëm arenë kulturore por edhe vend që pasqyron gjendjen solemne të shpirtit aristokrat të një populli. Teatrot nuk janë institucione që duhet të kuptohen si vend i përshtatshëm për aktivitete sporadike kulturo-teatrale! Teatrot janë shtëpi e vulës së identitetit kulturor të një etnie.
Së këndejmi, teatrot shqiptare, respektivisht Teatri shqiptar në Shkup duhet të insistojë pa kompromis në realizimin e qëllimit emblematik: të përgatisë antologjinë e shfaqjeve ndër dekada dhe t’i digjitalizojë të gjitha ato, duke i hapur rrugë themelimit të një teatroteke të domosdoshme gati po aq sa edhe teatri.
Shoqëritë amatore kulturo-artistike përveç që janë “arkiv” i thesarit folklorik, ndër shqiptarët e Maqedonisë kanë luajtur rol tejet të rëndësishëm në përforcimin e shpirtërores si dhe të ndjenjave kombëtare të cilat jo pak herë gjendeshin nën presionin e tendencave asimiluese. Në shoqëritë e lira, këto shoqata kanë shërbyer si pararojë e ansambleve profesionale shtetërore, si furnizuese me elemente burimore folklorike. Ansamblet profesionale janë në fakt një pasqyrë e thesarit popullor të një etnie, por që shprehin edhe afinitetin dhe mjeshtrinë e asaj etnie për gërshetim të popullores me vlera të reja kulturore që arrihen përmes përpunimeve artistike, qoftë të këngës, të valles, të formës së ngjarjeve, të riteve etj. Ansamblet profesioniste me të drejtë quhen edhe si ambasadorë kulturorë të një etnie. Teatri-filmi, opera, baleti, filharmonia dhe ansambli janë pesë shqisat kryesore të një etnie, ndërsa letërsia është shqisa e gjashtë! Ato mundësojnë përceptim të qartë mbi jetën, kontakt të shëndoshë me botën dhe lartësim në nivelin e shoqërive të zhvilluara kulturalisht. Shqiptarët e Maqedonisë i kanë të gjitha kapacitetet, i plotësojnë të gjitha kushtet dhe kanë material të bollshëm kulturo-artistik për të pasur një ansambël kombëtar profesional si institucion nacional kulturor. Natyrisht, paralelisht me ansamblin është i domosdoshëm edhe funksionimi i institutit folklorik si dhe i muzeut etnologjik shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Për çka i kemi fakultetet e arteve!?

Nisur nga një motiv profesional, për të dëshmuar publikisht të arriturat studentore…

Pesëdhjetë vjet nga vrasja e poetit Alush Canaj

Pesëdhjetë vjet më parë, pikërisht në ditën e sotme të 15 shkurtit…

PSE FRIKËSOHET SHAQIR FETAI? PO “MYHYBTË” E TIJ?

Ta spostoshë apo ta deklasoshë me intriga e me insinuata liderin, me…

Ku mbeti shpirtërorja?

Midis nesh Ka shumë individë të dehur, jo nga alkooli, por nga…

“27 Prilli”, Sela apel ambasadorëve të BE-së dhe SHBA-së

Shkruan: Ziadin Sela / “Përgjegjësia për sulmin e 27 prillit 2017 ndaj…