Gruaja që është vrarë sot në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, dyshohet të jetë nga fshati Llugaxhi i Lipjanit, me inicialet H.M.
Klankosova.tv ka mësuar se ajo ishte e ndarë nga bashkëshorti i saj, i cili është edhe i dyshuari për vrasjen e saj.
Rastin për vdekjen e të ndjerës e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35-vjeçare”.
“Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.
Më vonë, lajmin se viktima u qëllua për vdekje në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë e ka konfirmuar edhe vetë Qendra Klinike Universitare e Kosovës.