Midis nesh

Është konstatim i përgjithshëm i politikologëve që thonë se, e meta më e madhe e sistemit demokratik është se, shpesh përdoret si trampolinë e përshtatshme nga demagogët për t’u hedhur drejt “majave” që ia mësyjnë! Demagogët i karakterizon një dhelpëri e kombinuar me nevojën e ujkut për mjegull! Demagogët shumë më lehtë vijnë deri te ajo “masë kritike” e përkrahjes që u duhet nga ana e luajalëve partiakë. Intelektualët e mirëfilltë kritikojnë, insistojnë në përmirësim, në avancim të programeve partiak, në kulturim sa më të gjerë të partisë; insistojnë në pastrim të subjektit partiak prej llumit që imponohet si vlerë! Ndërsa demokracia e përjashton këtë insistim, meqë i jep hapësirë e shanse të barabarta të gjithë atyre që mendojnë se mund të japin kontribut. Kjo është ajo mjegull që i duhet ujkut (demagogut) për të gjuajtur!
Një prej vlerave karakteristikave të veçanta të intelektualëve është fakti që ata as nuk nguten dhe as nuk ngusin! Problemeve u qasen me shumë kujdes, kërkojnë kohë për t’i zbërthyer, kërkojnë “mendje të ftohtë”, vendime që do të sillen pas një analize të thuktë dhe të thellë të situatës politike, ndërkohë që, demagogët imponohen gati dhunshëm, çuditërisht ia dalin edhe të përfshihen nëpër poste e komisione dhe, e kërkojnë me nguti zgjedhjen e problemit, sepse kjo u bëhet “licencë” për t’u përfshirë pastaj në të gjitha proceset “si kontribuues të pamohueshëm” në çështjet kombëtare!
Intelektualët e mirëfilltë, kur është në pyetje politika, shpesh dinë edhe të tërhiqen, nuk hezitojnë aspak që të refuzojnë dhe të mos pranojnë që të përfshihen nëpër trupa ku më tepër dëgjohet zëri i demagogëve! Kënaqësia më e madhe e intelektualit është fakti që i përket shpirtërores, kurse, çdo gjë tjetër përtej shpirtërores mund t’i shkaktojë situata jo të këndshme, mund ta stigmatizojë si “antikombëtar”! Tani, demagogu na del “vlerë kombëtar” dhe intelektuali i mirëfilltë na del “vlerë antikombëtar”?!
Pushtetet demokratike, duke u nisur nga parimi se gjithkush ka të drejtë vote si dhje gjithkush mund të votohet, shpesh shndërrohen në “pre naive” e demagogëve, të cilët janë “ekspertë” në shtendosjen e “masës kritike” duke dalë si garantë se, meqë tash janë aty-aty me pushtetin demokratik, shumë shpejt do të përmirësohet situata politike, ekonomike, shëndetësore, kulturore etj. Dhe, kësisoj, duke e shtensionuar “masën kritike” dhe duke u dalë garant se shumë shpejt situata do të përmirësohet, këtë “masë kritike” sakaq mund ta bëjnë elektorat të vetin dhe të vijnë në pushtet!
E metë tjetër e demokracisë, gjithnjë sipas politikologëve, është edhe fakti se në demokraci pranohen mendime të ndryshme si dhe ndryshueshmëria; dy vlera këto jashtëzakonisht të rëndësishme për demagogët, të cilët i përdorin si “ventil” për të depërtuar në strukturat sa më të larta partiake. Demagogët sukseset eventuale të partisë ia atribuojnë vetes, kurse dështimet, si pasojë e injorancës së tyre, ia mveshin kryesisë së partisë.
Në Ministrinë e Kulturës të Maqedonisë së Veriut ka pasur turli-farë funksionari shqiptar: zv. ministra, ministra, sekretarë shtetërorë, të cilët pa dyshim që kanë qenë “analfabetë kulturor” e të brumosur me tepricë demagogjike! Nuk ka përtuar, bie fjala, një sekretar shtetëror (fund e krye demagog) të dalë para opinionit dhe të thotë se kësaj radhe për kulturën shqiptare ka ndarë buxhet dyfish më shumë se për kulturën maqedonase dhe, sapo është botuar programi vjetor dhe është parë se ai program nuk ofron për kulturën shqiptare as 15 për qind nga buxheti i programit vjetor për kulturë, ka dalë sërish në media dhe është arsyetuar se, ai e ka ndarë dhe është shumë i habitur nga ministri (apo ministresha!) maqedonas që nuk e ka lënë atë ndarje të buxhetit sipas “kutit” të tij! Tani, ky farë demagogu, meqë fare lehtë ia ka dalë të emërohet “sekretar shtetëror” mendon se po aq lehtësisht do t’ia dalë që ta “ngulfasë” edhe eprorin e tij, ministrin! Ose qyqarllëku tjetër: në kohë kur iksi ishte sekretar shtetëror lulëzonte kultura shqiptare, sepse ai nëpër korridor të Ministrisë së Kulturës ecte me revole në brez! Demagogë të këtillë kemi në të gjitha shtresat partiake e të pushtetit demokratik, të cilët nuk ia përtojnë që nga pozita e funksionarit partiak e shtetëror të polimizojnë edhe me profesorët e tyre, sepse polemikat dhe “kundërshtimet patriotike” i vlerësojnë si atu për të ngelur sa më gjatë në pushtet! Dhe, pikërisht, për shkak të tyre sot, në çdo pore të shoqërisë, situatën e kemi si mos më keq!
Prandaj në Perëndim funksionon demokracia, sepse atje bartës të proceseve më të rëndësishme janë intelektualët nga fushat e ndryshme, të cilët detyrën kryesore e kanë që të përkujdesen për ta “kashagisur” sistemin sa herë që “trupi i tij” zë demagogë me profil morri. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

As në qiell, as në tokë!

Midis nesh Më 27, 28 dhe 29 tetor në Korçë të Shqipërisë…

Bashkimi gjysmak shpirtëror!

Midis nesh “Një gjuhë, një Abetare”… Kohë më parë u njoftua se…

Edhe aktorët janë krijues

Në fokus Në një bisedë televizive, kohë më parë, aktori “mjaft i…

Afirmimi i letërsisë shqiptare në përmasa ndërkombëtare

Midis nesh Në përmasat ndërkombëtare letërsia shqiptare kryesisht identifikohet me Ismail Kadarenë,…

Diletantizëm në emër të identitetit kulturor

Metodën komuniste pesëdhjetëvjeçare për ta shtrirë zhvillimin kulturor shqiptar vetëm në tri…