Midis nesh

Në fondin e dokumenteve nga politika e jashtme e Mbretërisë së Serbisë, të përfshirë në Librin I të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, gjendet edhe një letër e Nikolla Pashiqit, i cili hedh idenë për një strategji të re të serbëve në raport me “arnautët”! Ai apelon në korrigjimin e qasjes nacionale serbe ndaj shqiptarëve, duke nënvizuar se si serbët, me dëbimin e shqiptarëve, humbën një “aleat” të fuqishëm të mbrojtjes së tokave serbe! Me qëllim që pikëpamjet nacionale serbe të jenë sa më të qarta, duhet që të kihet një kujdes më i madh në raportet serbo-arnaute, “duke kërkuar mënyra dhe rrugë që arnautët të vihen në shërbim të idesë nacionale serbe”!
Obligim parësor i serbëve, sipas Pashiqit, duhet të jetë që para Evropës të dëshmohet se populli serb është gjallë i interesuar që t’i ndihmojë shqiptarët në zhvillimin e tyre kulturor, duke i bindur në atë se shpëtimi i tyre është vetëm nën kupolën e rilindjes evropiane. Dhe kjo, sipas Nikolla Pashiqit, do të arrihej vetëm përmes angazhimit të strukturave politike serbe në zbutjen e vëllavrasjes fisnore e familjare te shqiptarët si dhe duke ua shtuar besimin se vetëm në bashkëjetesë me serbët, arnautët mund t’i ruajnë viset si dhe gjuhën e vet, dhe të sigurohen plotësisht se Serbia është e gatshme t’u garantojë autonomi në zonat e tyre fisnore!
Përmbajtja e letrës së Nikolla Pashiqit është kjo:
“Me qëllim që pikëpamjet nacionale serbe të jenë sa më të qarta, duhet që të kihet një kujdes më i madh në raportet serbo-arnaute, duke kërkuar mënyra dhe rrugë që arnautët të vihen në shërbim të idesë nacionale serbe.
Politika nacionale serbe ka bërë një gabim jashtëzakonisht të madh që gjatë çlirimit të tokave tona të reja i detyroi arnautët që të shpërngulen dhe, me këtë e ndërpreu një lidhje natyrore dhe shumë të favorshme në mes të shtetit serb dhe popullit arnaut, duke i shndërruar ata në armiq të pikëpamjeve nacionale serb! Me qëllim që në njërën anë të përmirësohet ky gabim, dhe në anën tjetër të sigurohet një angazhim i përbashkët në mbrojtjen e tokave të banuara me serbë dhe arnautë, si dhe para evropianëve të dëshmohet se serbët dhe arnautët mund të jetojnë së bashku njëri pranë tjetrit, kurse serbët janë gjallë të interesuar që ta ndihmojnë zhvillimin nacional dhe kulturor të arnautëve dhe me këtë t’i orientojnë kah vatrat e rilindjes evropiane – është e patjetërsueshme që fillimisht të përgatiten në një vatër arsimore, ku do të mësonin mbi tokat serbo-arnaute si dhe ku do ta zbusnin hakmarrjen fisnore e familjare. Kjo do t’i mbushte plotë me besim se vetëm në marrëveshje dhe në harmoni me serbët mund t’i ruajnë viset si dhe gjuhën e tyre, ndërsa serbët janë plotësisht të gatshëm t’ua garantojnë një autonomi në zonat e tyre fisnore, e cila, në kuadër të shtetit serb, mund të zhvillohej gjithnjë në të mirë të vëllazërisë serbo-arnaute”! (Koncept. AS, MID, PO, 1095, nr. 2601, F-I, D-IV)
Çka flet ky dokument sot, pas 117 viteve! A nuk është një “koncept-ide” mbi të cilën do të pasojnë të gjitha përpjekjet dhe strategjitë nacionale serbe, përgjatë një shekulli, që ta nënshtrojnë popullin shqiptar dhe atë ta vënë në shërbim të “mendimeve nacionale serbe”! A mos është “Ballkani i Hapur” një përpjekje e tërthortë e neo-pashiqëve që t’i detyrojnë shqiptarët vullnetarisht të punojnë mbi konceptet nacionale serbe të hartuara këtu e sa dekada më parë! “Ballkanin e Hapur”, ndonëse është projekt serb, “nuk e dëshirojnë serbët”, por e kërkon Evropa! Sot në Shqipëri ka plotë “kultorologë” që mendojnë se pa një bashkëpunim intensiv të kulturëbërësve serbo-shqiptar, vështirë se do të hidhej ndonjë hap më i madh në sendërtimin e projektit “Ballkan i Hapur”, ndërsa kjo do të thoshte “distancë e pakalueshme” e popullit shqiptar për në Evropë. Pra, pa një dëshmi se është e mundshme bashkëjetesa dhe harmonia serbo-shqiptare, duke u dëshmuar kjo përmes kontributit serb në zhvillimin kulturor të shqiptarëve, të cilët duhet të përqafojnë idetë nacionale serbe, Serbia nuk do të na ndihmojë që të kyçemi në Evropë!
Shqiptarët bëjnë mirë që herë pas herë, sa për vete, po zbulojnë dhe publikojnë strategji, ide dhe vizione serbe se si t’i përdorin shqiptarët për jetësimin e pikëpamjeve nacionale serbe. Po a kanë shqiptarët ndonjë koncept-ide, ndonjë dokument nacional të përjetshëm, i cili do të shërbente si Libër i Shenjtë kombëtar, nga i cili nuk guxon të ketë shkarje asnjë milimetër! Vetëm një dokument që do të dëshmonte për zhvillim kulturor kombëtar, i cili do t’i zhbënte të gjitha ato koncepte serbe për zhvillim kulturor me “autonomi të plotë në zonat fisnore”! Kështu si po na shkojnë punët, mund të na ndodhë që problemet brenda shqiptare, të marrin po ato përmasa historike që i kanë sot populli maqedonas dhe ai bullgar! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Kur “shkrimtari” fshihet prej vetes!

Midis nesh Misioni i artistit, përfshi edhe shkrimtarin, është t’i shërbejë të…

POLITIKAT KULTURORE NË RAPORT ME LETËRSINË SHQIPTARE!

Midis nesh Politikat kulturore shqiptare, para se të jenë globaliste, është mirë…

Faruk Myrtaj: LETËRSIA ËSHTË VETI E MREKULLI INDIVIDUALE

Faruk Myrtaj, prozator Faruk Myrtaj u lind në Selenicë të Vlorës, ku…

Si u bë Fatos Arapi Laureat i “Kurorës së Artë”

Në shiritin e kohës “Altruizmi shqiptar” shpesh po na kthehet si bumerang…

Inteligjencia si kategori amorfe!

Midis nesh Nëse nuk mendojmë për vete, atëherë të tjerët do të…