Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të takohet me zyrtarë të lartë të qeverisë polake të enjten për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë dhe thellimin e bashkëpunimit të mbrojtjes me Varshavën.
Kryediplomati i Uashingtonit udhëton në Poloninë aleate të NATO-s pas një vizite në Kiev të mërkurën, ku dëgjoi thirrjet e zyrtarëve ukrainas për t’u lejuar të lëshojnë raketa të furnizuara nga perëndimi thellë në territorin rus.
Blinken është planifikuar të takohet me kryeministrin polak Donald Tusk, presidentin Andrzej Duda dhe ministrin e jashtëm Radoslaw Sikorski, sipas zyrave të tyre, raporton Reuters.
Që nga fillimi i pushtimit rus, forcat ukrainase po i nënshtrohen presionit në fushën e betejës nga një armik më i armatosur dhe më i madh, teksa përpiqen të shmangin fitimet ruse në lindje, ku Moska po fokuson sulmet e saj.
Në një përpjekje për të rimarrë një pjesë të iniciativës dhe për të devijuar forcat ruse, Kievi muajin e kaluar dërgoi trupa në rajonin Kursk të Rusisë, por përparimi ka ngecur.