Ish-drejtori i Policisë së Malit të Zi, Veselin Veljoviq është arrestuar mëngjesin e sotëm me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit, raporton televizioni malazez.
Veljoviq është marrë në pyetje nga Departamenti i Policisë Speciale (SPO), i cili e ka kryer arrestimin. Siç mësohet jozyrtarisht, arrestimi i Veljoviqit ka të bëjë me një rast lidhur me kontrabandën e cigareve. Përveç Veljoviqit, është arrestuar edhe Mujo Nikoçeviq nga Podgorica.
Paraprakisht, policia ka kontrolluar banesat dhe lokalet e tjera të të dyshuarve, ndërsa provat kundër tyre janë mbledhur në bashkëpunim me Agjencinë për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit të Bashkimit Evropian – EUROPOL.
Veselin Veljoviq ka qenë në krye të Drejtorisë së Policisë të Malit të Zi në dy raste – nga viti 2007 deri në vitin 2011, dhe më pas nga korriku 2018 deri në dhjetor 2020.
Pas përfundimit të mandatit të parë, Veljoviq ishte këshilltar i presidentit të atëhershëm të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërsa në kohën e Qeverisë së Millo Gjukanoviqit, nga viti 2014, ishte edhe sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.