Tre persona janë arrestuar për një tentim-grabitje në Prizren, ku si pasojë të lënduar kanë mbetur pronarët e lokalit.
Sipas prokurorisë, të dyshuarit, të cilët kanë qenë të armatosur me armë të gjata, gjatë përleshjes mes tyre dhe pronarëve të lokalit, ka ardhur deri tek shkrepja e armës, ku si pasojë janë lënduar pronari dhe djali i tij, të cilët janë jashtë rrezikut për jetë.
Tutje, Kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala, ka dhënë detaje për rastin, ku tha se të dyshuarit kanë shkrepur armë drejtë Policisë së Kosovës, ndërsa veturën me të cilën dyshohet se kanë ardhur deri në Prizren e kanë djegur.
“Të dyshuarit, gjatë arratisjes kanë arritur që ta lënë veturën e tyre dhe ta ndalin një veturë e cila ishte në lëvizje në ato momente dhe me forcë e detyrojnë shoferin të largohet. Të njëjtin automjet e marrin dhe shkojnë në drejtim të lagjes Jaglenicë ku shkojnë në një pompë derivatesh, marrin benzinë dhe kthehen dhe e kallin veturën me të cilën kishin ardhur deri në Prizren”.
“Të njëjtit largohen në drejtim të Suharekës, ku policia i është vënë në ndjekje, ku gjatë ballafaqimit të një patrulle të stacionit në Suharekë me grabitësit ka pasur edhe shkrepje armësh”, është shprehur Shala, njofton Klankosova.tv.
Më tej, Shala tha për momentin është parashtruar kërkesa për masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve, ku u bë e ditur se të tre vijnë nga rajoni i Prishtinës dhe të tre kanë të kaluar kriminale.