Sorting by

×

Popular Posts

Arrestohen në Shkup Bilal Kara dhe Geriana Arapi, pronari dhe ish-drejtuesja e “Sante Plus” në kërkim nga Shqipëria


Bilal Kara, pronari i rrjetit spitalor “Sante Plus”, dhe Geriana Arapi, ish-drejtuese e spitalit, janë arrestuar në Maqedoninë e Veriut pas më shumë se një viti në kërkim nga autoritetet shqiptare. Arapi dhe Kara kërkoheshin në Shqipëri që prej shtatorit të vitit 2025, pas bllokimit të klinikës së tyre “International Medicare” në Tiranë.

Sipas medieve maqedonase, ndalimi i tyre u realizua më 29 tetor në kuadër të një operacioni të gjerë kundër abuzimeve me ndërhyrjet kirurgjikale të syve, ku dyshohet se janë përfshirë edhe zyrtarë të Fondit të Sigurimit Shëndetësor vendas. Gjatë këtij aksioni, ku u ndaluan 8 persona dhe u hetuan 11 individë e një institucion privat, policia sekuestroi rreth 50 mijë euro dhe telefona celularë. Autoritetet dyshojnë se për të njëjtat ndërhyrje kirurgjikale faturohej si Fondi Shëndetësor, ashtu edhe vetë pacientët.

Ky hetim i ri në Maqedoninë e Veriut është i pavarur nga procedimi penal që Kara dhe Arapi kanë të hapur në Shqipëri. Në Tiranë, ndaj tyre rëndojnë dyshime për mashtrim, fshehje të të ardhurave dhe shmangie nga tatimet. Hetimi në Shqipëri nisi pas denoncimit të një pacienti portugez, i cili kishte paguar 5,200 euro për shërbime që nuk i mori kurrë, duke bërë që Gjykata e Tiranës të vendoste sekuestro konservative mbi pasuritë e shoqërive “International Medicare” sh.p.k. dhe “Sante Plus Group”. Dosja në Shqipëri përfshin edhe dyshime për përdorim medikamentesh të papërshtatshme dhe punonjës të pasiguruar.

Emri i Bilal Karas dhe spitalit “Sante Plus” ka qenë edhe më parë në qendër të denoncimeve publike nga pacientë të ndryshëm, përfshirë raste mediatike që daton që nga viti 2023. Tashmë, pas arrestimit të dy të kërkuarve në Shkup, pritet të nisin procedurat ligjore për të sqaruar hapat e mëtejshëm të bashkëpunimit mes autoriteteve të të dy vendeve dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e tyre ligjore në të dyja shtetet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *