(Bisedë me shkas me H. Afrim ef. Tahirin, ish-sekretar gjeneral i BFI-së, sot drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së, me të cilin biseduam për situatën aktuale në këtë Institucion si dhe për shum çështjesh të tjera rreth BFI-së.)

Këto ditë myslimanëve të Maqedonisë së Veriut u erdhi si shok-bombë çmimi për kryerjen e haxhit nën organizimin e BFI-së. 5700 euro për standardin tonë është një shifër “imagjinare”! Ju në BFI përfliteni si një prej organizatorëve më të denjë e më të mirë që kanë organizuar haxhin nën ombrellën e këtij Institucioni! Si caktohet çmimi i haxhit?

Më herët ka qenë shumë më vështirë! Organizimi i haxhit ka qenë një përgjegjësi po aq sa bartja e emrit mysliman! BFI-ja si Institucion është për ta ndihmuar myslimanin, për t’ia lehtësuar sa më shumë organizimin e jetës në frymën islame. Myslimani jeton një jetë të tërë për të arritur që ta përjetojë një njëzetë ditësh në vendet e shenjta ku kryhet një prej obligimeve islame, haxhi! Kjo është dëshirë jetike e çdo myslimani dhe, kushdo që ia mundëson sa më lehtë ta realizojë këtë dëshirë ai do të ketë sevape të panumërta. Është prej mëkateve të mëdha përpjekja që haxhi të shfrytëzohet si mundësi për pasurim personal, duke ia vështirësuar haxhiut realizimin e kësaj dëshire jetike.
Sot, Ministria e Haxhit e Arabisë Saudite, me qëllim që të vë rend e rregull, me qëllim që t’ua mbyllë edhe vrimat përfituese matrapazëve të ndryshëm, ka mundësuar që Haxhi të jetë shumë transparent dhe të dihen paraprakisht të gjitha shpenzimet. Në haxh numri i madh i haxhilerëve shkon në mënyrë të organizuar. Organizatori paraprakisht është i obliguar që, përveç marrëveshjeve administrative me institucionet gjegjse të shtetit arab, ta bëjë kontratë me hotelet, të cilat mund të ofrojnë edhe tre vakte ushqim brenda çmimit! Kjo kontratë të hapë mundësinë e marrjes së vizave, sepse do të dihet saktësisht numri i haxhilerëve që do të udhëtojnë nën organizimin e institucionit. Paraprakisht dihen edhe çmimet e vaksinave, të ilaçeve, të taksave, të qëndrimit në Mina, Arafat, udhëtimit brenda Arabisë Saudite. Dihen edhe biletat e udhëtimit! Pse të gjitha këto nuk bëhen transparente! Pse nuk tregohet se ku do të zënë vend çdo cent prej atij 5700 euro të caktuar si çmim haxhi! Do të bëhet një “haxh cilësor”? Po pse, si qenka bërë më herët haxhi? Haxh jo cilësor, ë? Sapo u bë zyrtar ky çmim, vërshuan qindra e mijëra reagime e komente të myslimanëve të vendit! Një reagim i tillë nuk është parë në historikun e rrjeteve sociale ndër ne dhe, unë, thjesht, jam pa fjalë para këtyre komenteve! Nuk do të kishte çmim përfitues për institucionin që do të më detyronte të rri kokëulur para atij lumi ofendimesh e sharjes, që të gjitha të arsyeshme!

Mbase situata financiare në BFI është shumë e rëndë dhe, është paralajmëruar edhe më herët se, përpara e kemi edhe organizimin e haxhit që është një burim financiar i mirë për arkën e BFI-së?

Jo, haxhi asnjëherë nuk mund të llogaritet si burim i rëndësishëm financiar i BFI-së! Sepse, ky nuk është qëllimi! Qëllimi parësor është që BFI-ja, anëtarëve të vet t’ua mundësoj kryerjen sa më rehat të këtij obligimi! Në shumën e përgjithshme të çmimit përfshihen edhe shpenzimet e ndryshme të cilat BFI-ja nuk ia del t’i mbulojë, siç janë shpenzimet e komisionit para udhëtimit, të mjekëve që duhet të jenë së bashku me haxhinjtë, pastaj, udhëheqësit e haxhinjëve e ndonjë shpenzim i papritur! Fatkeqësisht, kësaj radhe mund të jenë shumë individë që do të shkojnë “gratis” në haxh, në kurriz të haxhilerëve që do t’ua mbulojnë të gjitha shpenzmet. Po flitet se Shaqir Fetai planifikon të dërgojë sa më shumë “bashkëpunëtorë” me qëllim që t’i korruptojë e t’ua fitojë përkrahjen edhe për ndonjë ditë!

Përkrahjen Shaqir Fetai ua fitoi qysh para dy viteve! Pse a për brenda dy viteve do të shterrej kjo përkrahje?

Dy vite më parë, Shaqir Fetai në krye të BFI-së erdhi i shtyrë nga mekanizmat jashtë oborrit të çdo organi të BFI-së, që nga xhamitë e deri në Rijaset. Myslimanëve të devotshëm mund t’ua marrësh besimin, mund t’ua manipuloshë besimin, sepse ata nuk kanë kohë të kalkulojnë mbi dallaveret, planet e poshtra, sepse kohën e tyre e kanë për lutje dhe ibadete drejtuar Allahut xh.sh. Mund t’ua marrësh edhe përkrahjen duke u shitur si pjesëtarë i këtij komuniteti të devotshëm. Por ama, nëse një ditë ndërgjegjësohen, nëse një ditë shohin se i ke manipuluar, nëse një ditë të hetojnë se po i gënjenë, muslimanët e devotshëm nuk ta falin, të kthehen me një uragan të urrejtjes së përjetshme.
Dy vite më parë, Shaqir Fetai pranoi që të shkelet Kushtetuta e BFI-së! Mbarë opinioni e di se si erdhi përmes shkeljes së tërë rregullativës së BFI-së, traditës dhe historikut të formimit të kierarkisë fetare në vend! Shaqir Fetai më së paku duhej të ishte kandidati i mundëshm për Reisul Ulema, sepse, ai ishte aktori kryesor i dështimit të investimit të miliona dollarëve në Myftininë e Gostivarit dhe, edhe sot e kësaj dite nuk ka dhënë as përgjigje penale dhe as morale për atë se si u larguan investitorët arabë që ishin në gjendje të investojnë në një vakëf më të madhin në vend!

Megjithatë, ai u votua?

U votua prej personave jokompetentë dhe të paparaparë me Kushtetutë për të votuar! Ai, krye më vete themeloi “organe” vetëm që të sigurojë vota!

Dhe tani, mendoni se nuk e gëzon votën e tyre?

Nuk është kaq e thjeshtë! Pyetja duhet të shtrohet: çka ndikoi në shkaktimin e kësaj pakënaqësie jo vetëm të oganeve por edhe të tërë myslimanëve të vendit? Shaqir Fetai, një prej eprorëve më të dobët të organeve të BFI-së, si në profesion ashtu edhe në karakter, përkundër faktit që gjithmon e ka pasur përkrahjen dhe lavdin prej ish-reisul ulemasë, u instalua me premtime të mëdha, llafe goje! Asnjëherë nuk prezantoi program, asnjëherë nuk shpalosi projekte, asnjëherë nuk i analizoi as “të arriturat” dhe as dështimet për këto dy vite, as nevojat e myslimanëve dhe as të mirën e islamit në këtë vend, as çështjet kombëtare dhe as të komuniteteve të bashkësisë sonë! Ai erdhi përmes mashtrimeve, përmes truqeve të poshtra, përmes dallavereve dhe rrenave! Dhe, edhe më tej ka ngelur po në atë stad! Natyrisht që, kjo do t’i nervozojë dhe do t’i shqetësojë të gjithë, si brenda ashtu edhe jashtë BFI-së!

Të gjithë në BFI po thonë që, më mirë ta mbajmë Shaqir Fetain se sa të na vie Afrim Tahiri?

Po, është kjo një strategji e Shaqir Fetait që e ka përdorur deri më tani: nëse nuk rrini urtë do të vie Afrim Tahiri e do t’ju dëbojë të gjithëve!
Po pse t’i dëbojë Afrim Tahiri? Afrim Tahiri për tetë vite rresht kam qenë sekretar i përgjithshëm i tyre, ka mundur t’i largojë e t’ua gjejë zëvendësimin të gjithëve! Me cilin prej tyre, apo edhe më gjërë, me cilin prej të punësuarve në BFI ka pasur probleme personale Afrim Tahiri! Madje edhe kur ish-reisul ulema ka sjellë konstatime dhe vendime për të dëbuar dikë nga puna, unë e kam qetësuar, e kam bindur se nuk duhet të largohet nga puna. Ka nëpunës të tillë që edhe më kujtojnë si sebep që kanë vazhduar në punë edhe sot e kësaj dite. Po, i vetmi njeri për të cilin kam kërkuar të largohet nga puna ka qenë vetëm një person, Mustafa Dauti! Madje unë kam deponuar edhe dorëheqje me shkrim me të cilën kam kushtëzuar, ose unë në BFI ose Mustafa Dauti! Ai ka qenë i larguar pikërisht për shkak të vjedhjeve, manipulimeve, veprimeve antiislame që i ka ndërmarrur në emër të islamit dhe të BFI-së! Pas një viti, pasi u largova unë nga BFI, ai u rikthye në mënyrë triumfaliste!

Vetëm ky person na qenka problematiku i BFI-së?!

Jo, sot ai nuk është i vetmi, fara e keqe shtohet dhe ta shkrumbon tërë grunajën! Sot kemi plotë “bashkëpunëtorë” të Shaqir Fetait të cilët BFI-në, organet dhe objektet e BFI-së i përdorin si zyre, apo si logjistikë për ta zhvilluar bisnesin e vet personal e familjar, përmes organizatave, shoqatave e aktiviteteve të ndryshme. Ndërsa kemi plotë teologë të diplomuar e me tituj që rrinë në shtëpi, të papunë. Nuk mundet që një njeri, i cili ka punuar dy dekada kundër BFI-së, ta ka vjedhur fitrin, zeqatin, të ka ndërhyrë në organizim të haxhit, të ka dëmtuar në çdo pore të jetës fetare, sot të rehatohet në kolltukun e organeve të BFI-së dhe të punojë për BFI-në! Nuk mundet! Ai kolltukun e organeve të BFI-së e përdorë vetëm për ta dëmtuar edhe më tej këtë Institucion si dhe për ta dërguar jazin në mullirin e vet! Ai nuk është pjekur për të mirën e BFI-së por për të mirën e “dyqanit” të vet!
Natyrisht, Platforma e Lëvizjes që e drejtoj unë, Programi i Lëvizjes, projektet, vizionet, të gjitha janë në të mirë të reformimit të BFI-së, për kthim të dinjitetit të dikurshëm, për përforcim të personalitetit historik që e ka pasur dikur ky Institucion, për ngritjen e kapaciteteve të denja për një Institucion siç është BFI! Unë kurrë nuk formova as institucion paralel, as nuk formova shoqatë, nuk apelova që fitri e zeqati të derdhen në Lëvizjen tonë, nuk e dëmtova për asnjë sekond as Medresenë, as Fakultetin, i mbrojta të gjithë ata personalitete e teologë duke i mbajtur sa më larg Lëvizjes, sepse, do të rrezikonin me sanksione nga ata të cilët nuk mund të pajtohen assesi me Platformën tonë për ta vënë në binare të shëndosha BFI-në! Pra, synimi im nuk është që t’i hakmerrem dikujt, sepse askush nuk më ka më të voglin hak, aq më pak që të kryejmë reforma gjithëpërfshirëse në BFI duke larguar njerëz, por bashkarisht të kontribuojmë për një BFI me integritet e dinjitet origjinal. Këtë mision timin e lufton Shaqir Fetai. Duke u thënë të tjerëve, më përkrani mua sepse do t’ju vijë Afrimi!
Afrim Tahiri, ja, publikisht po prononcohem: nëse Afrim Tahiri do të jetë pengesë për reforma të thella dhe të shëndosha në BFI, atëherë, ja, këmba e Afrim Tahirit kurrë nuk do të shkelë në BFI!
Në një megaintervistë, të botuar më vitin 2016, me titull “BASHKËSINË FETARE ISLAME E PRET NJË EPOKË E RE”, veç tjerash kam deklaruar publikisht: “Kurrë në jetë, me asnjë çmim nuk do të pranoj të jem reisul ulema i BFI-së… Unë do të jem krah i atij që do ta kërkojë ndihmën time si njohës i organizimit dhe i politikave organizative të BFI-së. Ndryshe do të jem kritikues i rreptë dhe i përhershëm i të gjithë atyrve që veprojnë jasht linjave të përcaktuara me Kushtetutën e BFI-së…” Kësaj që kam thënë këtu e gjashtë vite më parë i qëndroj edhe më tej me besnikëri! Pra, nuk dua që Afrim Tahiri të bëhet problem i BFI-së! Unë jam thellësisht i interesuar që të shpëtojmë këtë Institucion dhe jo që të bëhem ndonjë “shef”! Për këto shtatë vite opozitarizëm kam mundur, kam pasur oferta të mrekllueshme të punësohem e të bëhem me dhjetra her shef e drejtor dhe ta harroj tërësisht BFI-në! Megjithatë, edukata ime, ndërtimi im intelektual, përgatitja ime akademike, përvoja ime profesionale, besimi im islam, nuk më lejuan që të jem tërësisht indiferent ndaj një të mire kolektive siç është BFI-ja dhe të mendoj fillikat për vetëveten!
Megjithatë, nëse vazhdojnë shkeljet kushtetutare, nëse vazhdon praktika e sotshme që BFI-ja të jetë institucion ku do të rehatohen e do të dirigjojnë fallcifikatorët, blerësit e diplomave, pseudo-teologët e diplomuar nëpër fakultete të dyshimta, ata që kryejnë fakultete për pesë-gjashtë muaj, apo për një e dy vite, duke u shitur pastaj si “gjeni”, do të jem i pakompromis ndaj këtij “komuniteti” ndotës të ambientit dhe emrit të BFI-së; do ta shtoj dhe do ta intensifikoj luftën time në rikthimin dhe në ruajtjen e pastërtisë shekullore të të vetmit institucion islam që e kemi në RMV! Spiunët dhe tradhëtarët, devalvuesit dhe kompromituesit e çështjeve kombëtare e fetare, le të angazhohen nëpër shërbimet e denja për profile të tilla, ata nuk e kanë vendin në BFI dhe nuk guxojnë të ankohen te asnjë faktor se po i sulmuakemi shumë! Një BFI me profile të tilla brenda, nuk e meriton të ekzistojë!

Si do ta shpëtojë Afrim Tahiri BFI-në?

Jo Afrim Tahiri, por askush, asnjë mysliman në vend nuk e ka forcën e mjaftueshmë për ta shpëtuar BFI-në dhe për ta nxjerrë nga kjo gropë e trishtueshme ku është katandisur! BFI-në mund ta shpëtojmë bashkarisht, të gjithë nëpunësit, duke zbritur në bazë, duke u përkulur e lutur para tyre që ta ritkhejnë besimin e humbur në BFI. Për këtë akt duhet shumë punë, shumë mund, shumë përkushtim! Nuk është rikthim i besimit dhe përkrahje, radhitja e njerëzve para kabinetit duke pritur rend të vijnë e të të urojnë “suksese e shëndet”! Çdo urim i sukseseve përkthehet në pritshmëri të sukseseve. Ndërsa sukseset arrihen vetëm kur për një sukses përfshirja e aktorëve është sa më e gjërë, që nga baza e deri lart! Nuk guxon të kalojë javë pa nisur realizimin e projekteve të reja, të cilat janë hartuar bashkarisht, nga nevojat, kërkesat dhe dëshirat e bazës në terren. Plani zhvillimor duhet të ofrojë kushte e mundësi që të gjithë myslimanët e vendit të ndjehen si kontribues të vërtetë e të sinqertë në ringritjen e BFI-së dhe të organeve të saj! Teologët dhe hoxhallarët duhet të jenë edhe advokues të xhemateve tona dhe t’i adresojnë të gjitha kërkesat dhe nevojat e tyre në organet më të larta të BFI-së! BFI-ja nuk do të mund të shfrytëzohet si logjistikë për ngritje të kapaciteteve vetanake e familjare të nëpunësve të vet! BFI-ja do të kontribuojë që të zhvillohen shoqatat e ndryshme me sufiksin humanitar e islam, do t’i ftojmë ata në partneritet, në angazhim të përbashkët për ngritjen e kualitetit jetësor si dhe për zhvillim të gjithmbarshëm të jetës islame në vend. Ky qëndrim është një prej postulateve kryesore të Programit tonë të Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së.

Cili është çelësi i juaj për akreditimin e Medresesë?

Akreditimi i Shkollës së Mesme Profesionale Medreseja “Isa Beu” është një përpjekje e kahershme e cila assesi të realizohet. Pse? Sepse asnjëherë nuk është kqyrur si projekt! Projektet ngriten në bazë të rezultateve të nxjerra nga një analizë dhe hulumtim i thellë! A është debatuar ndonjëhërë për nevojën e akreditimit, apo kjo gjithnjë na është imponuar si “strategji” e të parit me qëllim që të dalë në pah “fuqia politike” e tij! Shpesh është përdorur edhe për ta diskredituar forcën politike në pushtet karshi myslimanëve të vendit! Është jo korrekte dhe e pandershme që këtë barrë t’ua lëmë partive tona politike! Nuk jam për një akreditim me vendime qeveritare apo ministrore! Jam për një akreditim që do të vinte natyrshëm nga sistemi shoqëror. Për të ndodhur kjo gjë gjithësesi që duhet të ndryshojë ky sistem aktual politik, madje përmes ndryshimeve të mëdha kushtetutare! Tërë kjo katrahurë politike që të na mundësohet të prodhojmë hiperinflacion hoxhallarësh?! Nuk jam as për një akreditim i cili do t’ia hapte portat duarve të pushtetit për të vepruar pastaj si të dëshirojë me Shkollën tonë Profesionale. Pra, nuk jam për rikthim të një “Velika Medresa “Kral Aleksandar”! Po, jam për një ndihmë financiare tradicionale nga buxheti shtetëror, qoftë ajo edhe në përqindje simbolike, për të cilën do ta kishte tagrin e plotë për ta përcjellë institucionalisht shpenzimin e asaj ndihme!

Informacionet që vijnë nga brenda BFI-së flasin për një situatë kaotike, për anarki totale, për zhdukje të tërësishëm të besimit e të respektin të ndërsjellë, për një prishje të raporteve ndërnjerëzor e ndërkolegial! Kjo në masë të madhe po ia lëkundë pozicionin edhe Shaqir Fetait! Çka e shpëton Shaqir Fetain!

Dorëheqja! Sa më parë që të ndodhë kjo, aq më lehtë do të kalojë vetë Shaqir Fetai dhe, mbi të gjitha, do të ngelë një fije kashte e BFI-së ku mund të kapet dhe të shpëtojë nga një katandisje fatale! Mbi anarki nuk mund të ndërtohet asgjë e shëndoshë. Ai erdhi në mënyrë anarkike, me puç e me komplot, dhe, nëse nuk ofron dorëheqje të menjëhershme, në mënyrë anarkike do të ikë. Sepse, këtë rrugëtim ka trasuar ai: ardhje-vajtje anarkike! Instalimi në mënyrë antikushtetutare fundin gjithknjë e ka helaq! (TOP24.MK)

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

U rrit si bari me dele, sot është miliarder që të hyrat i ndanë me punëtorët – kurdi që ndërtoi perandori pa ndonjë përvojë në biznes

“Nëse fitoj unë, fitojnë edhe punonjësit e mi. Fitimi im është edhe…

Faruk Myrtaj: LETËRSIA ËSHTË VETI E MREKULLI INDIVIDUALE

Faruk Myrtaj, prozator Faruk Myrtaj u lind në Selenicë të Vlorës, ku…

Bislimi: Priten masa të tjera të reciprocitetit, targat ‘KM’ nuk do të ekzistojnë pas 21 prillit 2022

Qeveria e Kosovës ka thënë se më 2 tetor, fillimisht ushtarët e…