Letër nga Shkupi

Hapja e librarisë NOBELI në Shkup u konsiderua si një ngjarje e madhe kulturore, por edhe si një festë e librit shqip. E hapur në zemër të Çarshisë së Vjetër, pak metra larg Sheshit Skënderbeu, atëbotë NOBELI kishte mbuluar një zbrazëti të madhe, sepse shqiptarëve të Shkupit u mungonte një librari ku mund të gjendeshin të gjitha botimet e botuesve më me renome në hapësirat shqiptare.
Shumica ishin të bindur se kjo librari do të ketë jetë të gjatë dhe se do të jenë ata qindra qindra arsimtarë, qindra e qindra profesorë, qindra e qindra studentë, qindra e qindra nxënës, qindra “shkrimtarë”, “aktorë”, “biznesmenë” e shumë të tjerë, të cilët nuk do të lejojnë që Shkupi të mbetet pa një librari të mirëfilltë të librit shqip.
Por, fatkeqësisht, shumë shpejt ndodhi mbyllja. NOBELI u largua në heshtje, pa u vërejtur nga askush, mbase askujt nuk i bëri përshtypje. Historia e shkurtër e kësaj librarie, njëherit edhe shumë e turpshme, nxori në pah faktin e konstatuar shumë herë se në Shkup injoranca është shtylla kryesore e shoqërisë shqiptare dhe bashkëjetesa me këtë dukuri negative është bërë çështje normale, e cila nuk ia prish askujt gjumin, sidomos jo atyre që shtiren e marrin poza prej intelektuali.
Janë disa çështje që nuk i përkasin individit, por janë çështje kombëtare, çështje identiteti, të cilat po nuk u respektuan vënë në dyshim vlerat shpirtërore, në rastin konkret ato shqiptare.
Shkup dhe shqiptarët kanë një histori të bujshme dhe mjaft frymëzuese. Shkupi dhe shqiptarët janë përballur me shumë sfida. Një periudhë (pas ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë) shqiptarët iu nënshtruan një represioni të paparë nga makineria ndëshkuese komuniste. Atëbotë ishin ndaluar veprat e autorëve nga Shqipëria e Kosova, pra ishte ndaluar edhe libri shqip, që megjithatë lexohej duke kaluar fshehtas prej njërit te tjetri. Pati edhe shumë shqiptarë që e pësuan për shkak të librit shqip.
Dhe kur të gjithë menduan se etja për librin kishte arritur në kulm, pas rënies së sistemit komunist dhe kalimi në një demokraci të brishtë, kur edhe libri do ta përjetonte një lloj lirie, doli se ajo etje për librin ishte avulluar papritmas.
Në fakt, ndodhi diçka e çuditshme, u shtuan shkrimtarët, u shtuan botimet që nuk shiteshin askund, por ja që “lexuesit”shqiptarë nuk kishin etje. Por, edhe pse ishte si rrjedhojë e kësaj, ata pak optimistë nuk do ta pranojnë një të vërtetë se, megjithatë, fati i NOBELIT në Shkup disi ishte paracaktuar dhe vetëm ndonjë mrekulli do ta përmbyste atë fat. Dhe, ndodhi ajo që ndodhi. U lëshua perdja dhe ra terri.
Vërtet, a ju kujtohet libraria NOBELI në Shkup..?
/HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Ndërtuam autostradën e kombit, por jo edhe autostrada kulturore

Bashkimi kulturor, mision i (pa)mundshëm Enkas për HEJZËN, Afrim DEMIRI Në mes…

Reçension: Nusprodukti i një komploti dhe tradhëtie

Kohë më parë u paralajmërua se së shpejti do të dalin në…

Statusi i organizatave përkatëse në sistemin kulturor

Midis nesh Çka duhet të synojnë shoqatat apo organizatat kulturore gjatë zbatimit…

SHKËPUTJA NGA REALITETI

OSMAN DEMIRI për frymëzimin Kushti i parë për t’u marrë me art,…

Letër nga Tetova – MARRËVESHJA E OHRIT PA FRYMË KULTURORE?!

A u kërkua ndonjëherë interpretimi autentik i Marrëveshjes së Ohrit edhe nga…