Midis nesh

Pothuaj se nuk ka popull në botë që nuk ka asociacion shkrimtarësh: lidhje, forum, shoqatë etj. Për shembull, shoqata e shkrimtarëve francezë, apo anglezë, apo gjermanë etj. janë krenari kombëtare dhe e gëzojnë gjithë respektin e popullit e të shtetit.
Po shqiptarët, a kanë dhe, nëse jo, a guxojnë të kenë shoqatë shkrimtarësh! Ky asociacion është një prej asociacioneve më të filtruara dhe me të nderuara. Ka statutin e vet, ka rregullat, ka kriteret, ka një sërë kërkesash që duhet t’i plotësojë çdo kandidat për t’u anëtarësuar në këtë asociacion kombëtar!
Në mesin e një populli mund të ketë mijëra “shkrimtarë”, siç ka për momentin ndër popullin shqiptar, por ama, anëtarësimi i tyre në asociacion dihet si bëhet! Mbi të gjitha, është kritika letrare ajo që sinjalizon se për akcilin shkrimtar janë pjekur kushtet të bëhet pjesë e asociacionit. Pra, ja se pse, mbi të gjitha, i duhet një populli kritika e mirëfilltë letrare! Nuk janë orët letrare, nuk janë defilimet letrare, nuk janë “mastrubimet poetike”, as edhe recensionet e paguara, as edhe shkrimet gazetareske të porositura e të kurdisura, pra nuk janë as sasia e vetëbotimit as edhe “botimet miqësore”, kritere që e obligojnë një asociacion profesional që ta shtojë anëtarësinë e vet me “shkrimtarë”!
Shqiptarët kurrë nuk kanë qenë në pozita më të vështira se sa sot për sa i përket pranimit apo refuzimit të shkrimtarëve. Madje, situatë më e përkryer ishte edhe atëherë kur, të jesh apo jo shkrimtarë vendoste partia e punës! Të paktën kishte vlerësues, “filtra” dhe dihej se kush guxonte ta quajë veten shkrimtar e kush mbajtës i ditareve personale! Në Kosovë ishte kusht që autori t’i ketë të paktën tri libra të vlerësuar në pozitivisht nga kritika letrare.
Sot në botë ka kritikë e vlerësues krijimesh sa, kur ta thonë fjalën e tyre, brenda javës ikën tirazhi i botuar ose, stoku i librave do të ngelë përjetë në depot e shtëpive botuese. Ka emisione javore televizive dhe, brenda gjysmë ore kritikë, vendoset fati i shkrimtarit, nëse do të shpërthejë e të kontaktohet që menjëherë të nisë librin tjetër ose do të margjinalizohet përjetë dhe vetë do të përjashtohet nga asociacioni i shkrimtarëve!
Sot shqiptarët nuk duan të funksionojë një asociacion i tillë, sepse këto ekzistueset janë partizuar deri në grykë, ose janë monopolizuar, janë familjarizuar, janë personalizuar sa nuk gjen mundësi shkrimtari i pjekur se si të bëhet pjesë e këtij asociacioni. Të tjerët, ata të cilët e dinë veten që nuk mund të bëhen kurrë pjesë e këtyre asociacioneve, ndërkohë që janë të shumtë, të zhurmshëm, janë aktivë nëpër “ndeja poetike”, të tillët pra asociacionet e shkrimtarëve i ndjejnë si kështjella të pamposhtura për do “mbretër” të letrave shqipe, të cilët, sipas tyre, janë demode!
Janë mijëra persona që dinë të këndojnë, madje që këndojnë fort mirë e që nga këndimi fitojnë miliona lekë, por ama, jo të gjithë mund të përfshihen në trupën e një opere profesionale! Janë dhjetëra mijëra qejflinj të valleve, por ama jo të gjithë mund të përfshihen në një ansambël si valltarë profesionistë apo në një trupë baleti; janë qindra mijëra persona që kanë qejf të vizatojnë, por jo të gjithë mund të llogariten për piktorë; miliarda njerëz sot shkrepin foto nga celularët e tyre, por ec e cilësoi si fotografë-artistë; janë miliona fëmijë që ngasin dyrrotëshin, por asnjëri prej tyre nuk guxon të ulet në “katërrotësh” (automobil), sepse për këtë ka kushte e kritere! Vetëm ata që dinë shkrim-leximin, ata që kanë qejf të madh për të shkruar, ata që ia dalin të botojnë libra të vetëvlerësuara – vetëm këta kanë të drejtë të quhen direkt e shkrimtarë! Kështu vetëquhen e vlerësohen prej miqve, por në cilin asociacion t’i radhisim!? Në asociacion e Shkrimtarëve Shqiptar? Nëse jo, atëherë asociacionet ekzistuese profesionale duhet të dalin dhe t’i thonë popullit se çfarë po ndodhë me librin shqip, me kritikën letrare, me veprimtarinë botuese dhe, ku ka degraduar titulli “shkrimtar”! Dhe jo të rrinë memecë dhe të vetëkënaqen me pozitën aktuale të mjerë! Qëndrimi noshalant ndaj librit shqip është qëndrim bumerang, i cili kthehet mbi noshalantët. Shoqata e shkrimtarëve duhet të jetë rojtari më besnik i krijimtarisë së mirëfilltë letrare dhe filtruesi më profesional i pseudo-shkrimeve në shqip! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

POLITIKAT KULTURORE NË RAPORT ME LETËRSINË SHQIPTARE!

Midis nesh Politikat kulturore shqiptare, para se të jenë globaliste, është mirë…

Për çka i kemi fakultetet e arteve!?

Nisur nga një motiv profesional, për të dëshmuar publikisht të arriturat studentore…

Midis nesh / AKADEMIA MBARËKOMBËTARE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE

Në vitin 2019, si një nevojë imediate, u bë publike nisma për…

Shoqëria e lodhur shqiptare

Midis nesh Ndonëse dhemb shumë (e ndjejnë ata që e kanë të…

TË SHKRUARIT E LETËRSISË ËSHTË NJË PROCES I NDËRLIKUAR

HEJZA me Gëzim Aliun, shkrimtar dhe studiues Gëzim Aliu (1977) është shkrimtar,…