Ballsor Hoxha për kritikën letrare
(Enkas për Hejza-n)
Unë nuk e shikoj këtë çështje nga kjo perspektivë. Në të vërtetë, unë tërë letërsinë dhe shkencat humane i shoh si një për-pjekje, pra takim i lëvizjeve dhe zhvillimit të marrëdhënieve ndërnjerëzore, në të vërtetë të shkëmbimit ndërnjerëzor. Ne nuk mund te bëjmë statistika rreth numrit të kritikëve, e qoftë të veprave në këtë drejtim. Mendoj se vetë letërsia ka ngecur këtu. duke qenë se ajo është rezoni ku lind reagimi, studimi dhe debati. E nëse e “lexojmë” letërsinë, ndoshta aty është përgjigja, si raport ndërnjerëzor.
Mund të numëroj shumë shkrimtar, Virion Gaçin, Agron Tufën, Adil Ollurin e në veçanti Luljeta Lleshanakun, dhe të them se letërsia serioze dhe kulminante është duke ndodhur brenda nesh, por ka një çështje këtu. Njerëzimi, në kolektivitetin e tij është duke kaluar nëpër një tranzicion, tranzicion si pasojë dhe reaksion i shpërthimit të informatës në njerëzim. Dhe në këtë, mund ta citojmë edhe Umberto Eco, por është evidente për çdo kënd, se në këtë shpërthim tashmë jemi të gjithë gjenitë e çdo gjëje, dhe aq më shumë të shpërytherit, kolaterali i këtij shpërthimi. Thënë thjeshtë dhe guximshëm, ne nuk e kuptojmë këtë letërsi, andaj edhe nuk i reagojmë, apo nuk dimë si.
Por ,sa i përket mungesës, unë vitin e kaluar kam botuar një monografi/studim, dhe më tutje këtë vit do te dalë një studim edhe më i thellë si pjesë e veprës sime. Për gati çdo javë publikoj punime kritike etj. Sidoqoftë, në këtë bëhen dy çështje të cilat e kanë përmbytur kritikën, apo në të vërtetë është reaksion zinxhiror, duke qenë se pas shpërthimit të informatës, ne jemi të dezintegruar, derisa në mejdanin e letërsisë ka punë kritike. Çështja është që të pranojmë së pari, se kemi kaluar një prag të ri të njerëzimit, dhe se gjendemi në tranzicionin e lartcekur, dhe më tutje të kosolidohemi e të krijojmë sisteme e edukim të këtij pragu të ri.