Çaslav Joliqi dënohet me pesë vjet e gjysmë burg për krime lufte

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim Çaslav Joliqin, i akuzuar për “krime lufte”. Në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 2 qershori 2022.

Po ashtu Gjykata me Aktvendim të posaçëm gjatë shpalljes së Aktgjykimit tha se të njëjtit i vazhdon masa e paraburgimit, derisa Aktgjykimi të marrë formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në Aktgjykim.

I akuzuari Joliq nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së Aktgjykimit. Po ashtu, as prokurori i rastit Ilir Morina.

“Të akuzuarin Çaslav Joliq kjo Gjykatë e gjen fajtor për pikën a) të përshkrimit faktik të Aktakuzës, respektivisht për veprën penale ‘krime lufte kundër popullsisë civile’, nga Neni 142, lidhur me Nenin 22 sipas Ligjit që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, andaj të njëjtin e gjykon për veprën penale ‘krim lufte’ kundër popullsisë civile, nga Neni 142, lidhur me Nenin 22 të Ligjit në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale dhe të njëjtin për këto veprime e gjykon me dënim në burgim në kohëzgjatje prej 5 vjet e 6 muaj burgim, ku koha e kaluar në masën e paraburgimit do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar”, tha gjyqtari Ngadhnjim Arrni.

“Lidhur me pikat b) dhe c) të përshkrimit faktik kjo Gjykatë ka gjetur se nuk është vërtetuar se i akuzuari Çaslav Joliq ka kryer ato veprime”, shtoi tutje gjyqtari Arrni.

Ky Vendim është marrë nga Trupi Gjykues, në përbërje të: Ngadhnjim Arrni (Kryetar i Trupit Gjykues) dhe Arben Hoti e Lutfi Shala (anëtarë).

Palët e pakënaqura kundër këtij Vendimi kanë të drejtë Ankese nëpërmjet kësaj Gjykate në Gjykatën e Apelit brenda 30 ditëve.

Në seancën e datës 20.05.2025 janë dhënë fjalët përfundimtare, lidhur me këtë rast.

Kujtojmë se më 10.06.2024, Çaslav Joliq ishte dënuar nga Gjykata e Prishtinës me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vjetësh, në bazë të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së. Pra 2 vjet e 6 muaj më shumë se Vendimi i fundit. Por, që Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin edhe një herë për Rigjykim.

Po ashtu, kujtojmë se edhe në Rigjykim, më 05.02.2025, i akuzuari Çaslav Joliq kishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë për akuzat që i vihen në barrë.

Çka thotë Dosja e Prokurorisë për Çaslav Joliqin?

Sipas Dosjes së Prokurorisë Speciale të Kosovës, në vitin 1998, në lagjen “Bllagaq” të fshatit Gurakoc, ishte rrëzuar një helikopter i forcave serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Z.M. po i shoqëronte për te vendi i ngjarjes dy gazetarë: njëri anglez e tjetri belg, së bashku me një përkthyese shqiptare.

Me të arritur te vendi i ngjarjes nga shtëpia e Rosa Pejoçinoviqit dalin pesë persona të veshur me uniformë të Policisë serbe: Radule (Dule) Pejoçinoviq, Çaslav Joliq, Darko Pejoçinoviq, Millosh Joliq dhe një person tjetër i paidentifikuar. Të njëjtit akuzojnë të dëmtuarin Z.M., se pse i kishte sjellë gazetarët në vendin e ngjarjes. Pas këtyre akuzave të lartcekurit e sulmojnë fizikisht dhe dy prej policëve e kapin për krahu dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grushte dhe shqelma për një periudhë prej 20 minutave, derisa në një moment personi me nofkën “Dule” e kishte goditur me boks në kokë të dëmtuarin, me ç’rast Z.M. kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë – duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, më 15.03.1998, derisa i dëmtuari tjetër N.F. po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurakoc, i shoqëruar nga disa persona, në lokal kishin shkuar 5 policë serbë dhe duke e kapur për qafe e kishin tërhequr zvarrë jashtë lokalit. Pastaj, të gjithë fillojnë ta sulmojnë fizikisht, duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas Aktakuzës, polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur me tytë të automatikut disa herë në kokë – duke ia mbuluar tërë trupin në gjak dhe duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në Stacion të Policisë në Gurakoc.

Tutje, në Dosje thuhet se duke e dërguar në Stacion të dëmtuarin e njoftojnë se do ta ekzekutojnë.

Ndërsa, më 28 mars të po të njëjtit vit të dëmtuarin e kishin detyruar që ta lëshojë shtëpinë si çdo banor tjetër i fshatit./Kallxo.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *