Vizita e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, në Prishtinë është e para e një kryeministri të Maqedonisë në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili po qëndron në Kosovë për herë të parë për vizitë zyrtare, është pajtuar me idenë e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, që të ketë edhe hetim ndërkombëtar për incidentin e përgjakshëm të Kumanovës, që ka ndodhur në vitin 2015. Në këtë incident, ku ishin të përfshirë edhe disa qytetar të Kosovës, u vranë tetë policë maqedonas dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur si dhe dhjetra të tjerë u arrestuan. Të arrestuarit një muaj më parë, pas një procesi të gjatë gjyqësor, u dënuan me shumë vite burgim, deri në burgim të përjetshëm nga Gjykatat në Maqedoni. Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, në një konferencë për medie së bashku me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, tha se qytetarët duhet ta dinë të vërtetën lidhur me incidentin e armatosur në Kumanovë.

“Jemi pajtuar që të ketë qoftë edhe një hetim ndërkombëtar ose të dërgohen përfaqësues ekspertë, të cilët do t’i ballafaqojnë të gjitha elementet dhe provat. E gjithë kjo, me qëllim që t’iu jepen qytetarëve përgjigjet e vërteta. Kjo është edhe në interes të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Nuk duhet që kjo çështje të mbetet pengesë në marrëdhëniet tona. E dini se rasti i Kumanovës është çështje shumë e ndjeshme, sepse aty u vranë edhe disa policë. Pra, do të ketë një hetim ndërkombëtar, me të vetmin qëllim që të arrihet tek e vërteta”, tha Zoran Zaev.

Marrëdhëniet e mira fqinjësore, shkëmbimet tregtare dhe orientimi euroatlantik i Kosovës dhe Maqedonisë, ishin temat e tjera për të cilat biseduan dy kryeministrat. Kryeministri Haradinaj, tha se marrëdhëniet e të dy vendeve po përparojnë.

“Janë marrëdhënie të mira dhe ato po përparojnë. Sot kemi marrë plot obligime që besoj se do të kemi rastin t’i finalizojmë në të ardhmen edhe në takime të përbashkëta të dy qeverive, pra të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, në interes të qytetarëve të të dy vendeve tona”, tha Haradinaj.

Kosova është në përfundim të autostradës që lidh Kosovën me Maqedoninë, një projekt ky që i ka kushtuar Kosovës rreth 800 milionë Euro. Edhe Maqedonia së shpejti do të nisë punimet e autostradës nga Shkupi deri në pikën kufitare me Kosovën. Autostrada “Arben Xhaferi”, e cila pritet të lidhë Prishtinën me Shkupin, do të lehtësojë komunikimin e qytetarëve dhe shkëmbimet tregtare.

“Kosova dhe Maqedonia janë dy vende mike që nuk kanë çështje të hapura. Unë jam kryeministri i parë i Maqedonisë që viziton Kosovën dhe jam shumë i lumtur për këtë. Patëm mundësinë të bisedojmë për perspektiva në interes të dy vendeve, folëm për ndërtimin e shpejtë të autostradës Shkup-Bllac, folëm për hapjen e pikës kufitare Bellanoc-Stançiq dhe shumë çështje tjera. Me Kosovën kemi nënshkruar 19 marrëveshje bilaterale, 16 dokumente të tjera dhe momentalisht po përgatiten të nënshkruhen edhe 20 marrëveshje të tjera”, tha Zoran Zaev, duke ftuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj që vitin e ardhshëm ta vizitojë Maqedoninë dhe në një mbledhje të përbashkët qeveritare të finalizojnë marrëveshjet e mbetura.

Për kryetarin e kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, i cili po ashtu takoi kryeministrin maqedonas, “Kosovën dhe Maqedoninë, si dy vende fqinje, të pavarura dhe sovrane, i bashkon shumëçka”.

“Kosova ndjek politikën e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit reciprok, si rrugë e vetme e realizimit të synimeve të përbashkëta euro-integruese dhe sigurimit të qarkullimit të lirë të njerëzve, mallrave dhe investimeve të përbashkëta në rajon”, tha Kadri Veseli.

Maqedonia e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, vetëm pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Vizita në Kosovë e kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, është vizita e parë e një kryeministri maqedon që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës./DW/ 12/12/2017

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

“Mosparaqitja e Ahmetit dhe Grubit si dëshmitarë, vulosi dënimet e përjetshme për herë të dytë”

Gjykata e Apelit në Shkup sot ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore…

Bugajski: Nëse rishikohen territoret në Kosovë, shqiptarët e Maqedonisë mund të kërkojnë bashkim me Shqipërinë

Ndërsa pandemia e koronavirusit shqetëson Uashingtonin, administrata e Trump pa dashje po…

Kurti i publikon me emra e foto: Vrasja e Aganit u urdhërua nga këta dy persona

Faton Kurti, kryetar i Republikanëve të Kosovës, ka thënë se vrasja e…

Hallaçi: Kërkoj zbardhjen e rastit të Kumanovës

Ju bejë Apel te gjithë Shqiptarve mbarë kombëtarë për hirë se vertetës…

Avokatja e Grupit të Kumanovës: Qeveria e Albin Kurtit do t’i lirojë djemtë tanë!

Kërkesa për hetim ndërkombëtar të rastit të Lagjes së Trimave të Kumanovës…