Lideri kinez në Kongresin e Partisë nuk e përjashtoi përdorimin e forcës dhe kundërshtoi ndërhyrjen e shteteve të tjera
Presidenti kinez Xi Jinping në fjalën e tij në Kongresin e Partisë Komuniste ka rikthyer në vëmendje çështjen e Tajvanit të cilin Kina e pretendon si pjesë të territorit të saj. Ai u shpreh se Pekini nuk përjashton t edhe përdorimin e forcës dhe se ribashkimi i plotë i vendit duhet dhe do të realizohet.
“Përballë provokimeve të rënda nga forcat e pavarësisë së Tajvanit dhe nga ndërhyrjet e forcave të jashtme, ne zhvilluam me vendosmëri një luftë të madhe kundër separatizmit dhe ndërhyrjes. Zgjidhja e çështjes së Tajvanit është punë e vetë popullit kinez dhe i takon vetëm popullit kinez të vendosë”.
Duke përsëritur prioritetin e Pekinit për bashkim në mënyrë paqësore, por duke refuzuar të heqë dorë nga përdorimi i forcës, Presidenti kinez pati një mesazh për SHBA.
“Kina kundërshton me vendosmëri të gjitha format e hegjemonizmit dhe politikës së pushtetit, kundërshton mentalitetin e Luftës së Ftohtë dhe kundërshton ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe kundërshton standardet e dyfishta. Ajo që synohet kryesisht janë forcat e jashtme dhe një pakicë e vogël e forcave të pavarësisë së Tajvanit, por absolutisht jo shumica e bashkatdhetarëve të Tajvanit”.
Vërejtjet e Xi Jinping pasqyruan ndjenjën në rritje të Pekinit mbi atë që e percepton si përpjekje të SHBA-së për të ndryshuar status quo-në në ngushticën e Tajvanit veçanërisht, shitjet e armëve, vizitat e politikanëve amerikanë dhe deklaratat e përsëritura të Presidentit Joe Biden se Uashingtoni ishte i përkushtuar për të mbrojtur Tajvanin nëse Kina është e gatshme të sulmojë.
Gjatë tre viteve të fundit, Pekini ka lëshuar një mori iniciativash për t’u bashkuar me Tajvanin në atë që lideri kinez e ka cilësuar si një epokë të re. Pas një vizite të Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, në Taipei në Gusht, Ushtria Çlirimtare Popullore kreu stërvitje të paprecedentë rreth Tajvanit. Që atëherë, Pekini ka dërguar çdo ditë luftëtarë, drone dhe anije luftarake drejt ishullit.
Kongresi përgatitet të bëjë Presidentin kinez liderin e parë të partisë që nga Mao Ce Duni që do të qëndrojë në krye për më shumë se dy mandate.